TIRANE- Çështja e ish-ministrit Tahiri ka detyruar Partinë Socialiste të ndërmarrë hapa konkrete për qartësimin e rregullave, kushteve dhe procedurave për arrestimin e deputetëve. Në projekt-vendimin e PS është vendosur si kusht paraqitja e provave bindëse nga ana e prokurorisë. Sipas propozimit, deputetët apo ministrat nuk mund të arrestohen në bazë indicesh apo dyshimesh të arsyeshme.

Organi i akuzës duhet të paraqesë prova bindëse, në të kundërtën kërkesa për arrestim rrëzohet. Në projektvendim saktësohen hapat procedurat që duhet të ndiqen për të shkuar tek arrestimi i një deputeti.

Si fillim, prokurori i paraqet kërkesën kryetarit të Kuvendit, së bashku me provat, për heqjen e lirisë për një deputet të caktuar. Më pas kreu i Kuvendit e nis kërkesën tek Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, dhe informon për këtë çështje Kuvendin dhe vetë deputetin.

Kreu i Kuvendit duhet të caktojë dy relatorë për çështjen; më pas deputetit i vihet në dispozicion kërkesa dhe informohet për ditën kur Këshilli do ta marrë në shqyrtim atë. Në mbledhjen e Këshillit, prokurori duhet të tregojë arsyet pse e ka bërë këtë kërkesë për arrestim, dhe pas ezaurimit të pyetjeve, fjalën e merr deputeti. Bie në sy propozimi që pas të gjitha diskutimeve, Këshilli i Mandateve duhet që brenda një jave të hartojë raportin për seancën plenare.

Në rregulloren aktuale të Kuvendit, Këshilli i Mandateve kishte afat deri ne 4 javë.

Partia Socialiste argumenton se në rregulloren e Kuvendit duhet të reflektohen ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe ndryshimet e bëra në kuadër të reformës në drejtësi.

Ky projektvendim i mazhorancës vjen në një kohë kur pritshmëritë se reforma në drejtësi do të godasë zyrtarë të niveleve të larta, janë të mëdha. Prandaj PS ka vendosur që të standardizojë të gjitha rregullat dhe procedurat që duhet të ndiqen për të lejuar arrestimin e deputetëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb