NGA EGLANTINA ALLIAJ*

TIRANË- Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj prezantoi në komisionin parlamentar të ekonomisë ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat. Sipas ministrit Ahmetaj ky projektligj synon thjeshtimin e procedurave për dhënien e një partneriteti publik dhe privat, duke eliminuar procedurat e tepërta në fazën parapërgatitore.

Këto ndryshime, shkurtojnë kohën e lejeve për dhënien e një koncesioni nga 272 ditë që është sot, në 150 ditë.

“Përmes këtij projektligji synohet reduktimi i procedurave për dhënien e një partneriteti publik privat, duke eliminuar procedurat e tepërta në fazën përgatitore. Në fazën e identifikimit të projekteve, studimit të fizibilitetit dhe deri në vlerësimin e ofertave, procedurat do të kryhen nga një komision i përzgjedhur nga autoriteti kontraktor në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për ekonominë (Njësinë e Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private) dhe brenda 60 ditëve nga krijimi i këtij komisioni kryhen të gjitha procedurat e sipërpërmendura. Ky afat mund të shtyhet për shkaqe të kompleksitetit të projektit jo më shumë se 30 ditë. Po ashtu në p/ligj parashikohet zgjerimi i fushës së veprimit. Në ligjin ekzistues nuk është përfshirë si fushë e veprimtarisë sektori i bujqësisë. Nëpërmjet këtij ndryshimi është bërë i mundur zhvillimi i projekteve në fushën e bujqësisë nëpërmjet partneritetit publik privat”, tha Ahmetaj.

Ndërsa deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, kërkoi më shumë transparencë, saktësi dhe qartësi në procedurat për këto partneritete.

FUSHAT E ZBATIMIT TË LIGJIT
Në ligjin ekzistues nuk është përfshirë si fushë e veprimtarisë sektori i bujqësisë. Nëpërmjet këtij ndryshimi është bërë i mundur zhvillimi i projekteve në fushën e bujqësisë nëpërmjet partneritetit publik privat. Projektet për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet, të cilat përjashtoheshin nga ligji ekzistues, sipas ndryshimeve të propozuara me këtë projektligj do të kryhen në përputhje me procedurat e parashikuara në këtë ligj, përveç atyre me kapacitet të instaluar nën 2 MW.

BONUSI
Për propozimet e pakërkuara është parashikuar që propozuesit t’i jepet bonusi në procedurën konkurruese deri në 10% të pikëve totale të garës. Këshilli i Ministrave me akt të veçantë do të përcaktojë rregullat për vlerësimin e pranueshmërisë, përmbajtjes dhe trajtimin e propozimeve të pakërkuara dhe bonusit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: