TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar lidhur me propozimin e Partisë Socialiste për projektligjin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se kryeministri Edi Rama me këtë ligj po mbron ‘peshqit e mëdhenj’ për të arrestuar vetëm ‘cironkat’


“ Edi Rama ka propozuar një ligj të posacëm për të mbrojtur peshqit e mëdhenj.Të gjithë ata që prisnin arrestimin e tyre, tani të kënaqen me cironka. Kjo do e kthejë SPAKU-n në një organizatë joqeveritare. Me këtë akt Rama po kthen modelin me të cilin mbrojti Tahirin, të gjithë shqiptarët që presin rezultate nga Reforma në Drejtësi, e panë se si Rama e ktheu Kuvendin në gjykatë. Dhe tani këtë po e kthen në ligj këtë model, duke hedhur poshtë Reformën në Drejtësi. Me këto akte që ka ndërmarrë, po zhbën Reformën. Po merr masa që asnjë ministër i korruptuar apo i zhytur në krim të mos dalë para drejtësisë. Pa pikë dyshimi PD do ta kundërshtojë fuqishëm këtë akt, i cili ka një synim; zhbërjen e reformën në drejtësi. Nuk ka për të pasur konsensus as për këtë dhe as për hapa të tjerë që synon të mbulojnë gjurmët” tha Basha.

‘BalkanWeb’ siguroi dje projektligjin ku i kërkonte Kuvendit ndryshime në rregulloren e Parlamentit për hyrjes edhe në fuqi të ndryshimeve kushtetuese për t’u përshtatur me to. Vendimi vjen pak kohë pas rastit të ish-ministrit Saimir Tahiri, kur Prokuroria kërkoi heqjen e mandatit të tij, pas publikimit të disa përgjimeve ku grupi ‘Habilaj’ implikonte emrin e tij të lidhur në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas rregullores aktuale, mjafton që sot organi i akuzës të dërgojë në Kuvend një kërkesë dhe dokumentet shoqëruese. Në propozimet e selisë rozë shihen edhe terma të tilla si ‘prova’, debati që doli gjatë kërkesës për arrestimin e Tahirit. Socialistët kërkuan që Prokuroria t’i provonte Kuvendit fajësinë, kurse opozita tha se Parlamenti nuk ishte gjykatë. Socialistët në propozimin e tyre i japin të drejtën ligjvënësit që t’i drejtojë pyetje Prokurorisë gjatë shqyrtimit të kërkesës, siç ndodhi edhe për çështjen ‘Tahiri’.

(e.f/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: