TIRANE- Për të marrë vërtetimin e përfitimit të pensionit, nuk do të duhet më të viheni në radhë pritjeje. Ky dokument, prej kësaj jave, mund të sigurohet elektronikisht përmes portalit e-Albania në internet, duke i çliruar në këtë mënyrë pensionistët nga barra për tërheqjen e tij dorazi.

Lajmin e dha dje ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Nga ambientet e Kryeministrisë, Manastirliu tha po ashtu se pajisja me vërtetim nuk do të jetë kusht dhe nuk do të kërkohet më as nga institucionet shtetërore, pasi vetë këto të fundit do të kenë akses për ta siguruar online, duke u kursyer kohën e mundin qytetarëve. Veç vërtetimeve të pensionit, elektronikisht do të lëshohet edhe karta e shëndetit, një tjetër dokument i rëndësishëm për marrjen e shërbimeve në institucionet shëndetësore.

“Për të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin apo dorëzojnë dokumente në zyrat e administratës, këtë javë, ne shtojmë listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin eAlbania, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet publike, të cilave u nevojiten ato. Vërtetimet e pensionit dhe kartën e shëndetit qytetarët mund t’i tërheqin duke filluar nga kjo javë në portalin e-Albania. Më e rëndësishmja, asnjë institucion shtetëror nuk do t’ua kërkojë më këto dokumente qytetarëve, për nevoja të procedurave të tyre, duke u kursyer në këtë mënyrë sorollatjet e panevojshme të gjithë atyre që marrin këto shërbime”, tha ministrja.

Marrja online e kartës së shëndetit është lançuar dhe ka nisur zbatimin që para një viti, por, me sa duket, gjatë kësaj periudhe fluksi i kërkesave ka qenë i ulët, shkruan “panorama”. Në jo pak raste qytetarët e kanë parë të udhës të drejtohen në sportelet e Fondit të Sigurimeve, pranë qendrave shëndetësore, për t’u pajisur me kartë dhe jo ta printojnë atë vetë nga interneti. Kjo për shkak edhe të praktikës që duhet të ndiqet, me të cilën mund të adaptohen lehtësisht të rinjtë, por jo të moshuarit.

APLIKIMI ONLINE
Për pensionistët, zëvendësimi i librezës me kartë shëndeti ishte lehtësues, sepse i shpëtoi nga rinovimi i përvitshëm që duhet të bënin në momentin që mbusheshin faqet. Për t’i përfituar elektronikisht vërtetimet e pensionit dhe kartën e shëndetit mjafton që të jeni të regjistruar në portalin qeveritar e-Albania.

Dhe për ta bërë këtë, ju duhet vetëm një mjet identifikimi që mund të jetë kartë identiteti apo pasaportë. Më tej mjafton të ndiqni hapat që ju kërkohen. Falë rrjetit të informatizuar që është krijuar, mund të përfitohet në kohë reale informacion në disa institucione njëherësh si në regjistrin e Gjendjes Civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve, regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike.

KARTA E SHËNDETIT
Në portalin e-Albania është një dritare e posaçme për pajisjen me kartë shëndeti online. Por kjo mund të shfrytëzohet prej atyre që e kanë përfituar një herë dhe duan ta rinovojnë atë, pasi duhet që qytetari të figurojë i regjistruar pranë mjekut të familjes më parë, në të kundërt shërbimi nuk ofrohet.

Karta e shëndetit që përfitohet online është në formatin letër, të madhësisë A4, dhe jo në prerjen e saj të zakonshme. Pavarësisht kësaj, ajo do të ketë të njëjtën vlefshmëri. Vjet, Qeveria rriti jetëgjatësinë e kartës nga 6 muaj, që ishte më parë, në një vit. Ndërsa pensionistët, të sëmurët me tumor dhe invalidët e kanë pa afat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb