Vajza 14-­vjeçare Reem Sahwil, e cila qau në sy të Kancelares Angela Merkel për faktin se nuk donte që të riatdhesohej në vendin e saj, në Palestinë, mund të qëndrojë në Gjermani.

Gjatë një emisioni televiziv, Reem Sahwil, i tha Kancelares në gjuhën gjermane se prej katër vitesh në Gjermani ende kishte statusin e refugjates bashkë me familjen e saj dhe se nuk dinte se çdo të bëhej me të ardhmen. Por Kancelarja ishte e prerë duke i thënë se nuk mund të qëndronte në Gjermani, për faktin se kjo do të shkaktonte një valë refugjatësh për të cilën vendi i saj do të ishte i papërgatitur.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe ministri për Politikat e Emigrimit në Gjermani, Aydan Oezoguz, i cili tha se nuk e njihte rastin personalisht, por tha se vajza fliste në mënyrë perfekte gjermanishten dhe jeton prej kohësh në vendin e tij.

“Pikërisht për persona si ajo sapo kemi modifikuar ligjin, për t’i dhënë këtu tek ne një perspektivë të rinjve që janë integruar”, ­ka thënë Oezoguz, sipas agjencisë së lajmeve “Ansa”.

Ligji i ri i qeverisë federale është aprovuar nga Bundestag dhe Bundesrat dhe do të hyjë në fuqi këtë verë. Ky ligj parashikon që adoleshentët e huaj të cilët kanë jetuar për të paktën katër vite në Gjermani, pa lëvizur nga ky vend, mund të marrin lejen e qëndrimit.

Por, ky ligj përgjithësisht iu vjen në ndihmë të gjithë njerëzve që prej kohësh jetojnë në Gjermani, ku dhe janë integruar, e që nuk kanë e kanë marrë ende përgjigjen e kërkesës për azil. Aktualisht në Gjermani këtë kërkesë e kanë 125 mijë persona.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: