Nga: Shaban MURATI

Ironitë e historisë janë të habitshme për sa i përket fatit të popujve. Herë luan historia me popujt dhe herë luajnë popujt me fatet e tyre. Me këtë rastin e dytë mund ta ilustrosh atë që ndodhi në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 27 janarit 2018 në Çeki.

Sivjet është 50 vjetori i pushtimit rus të Çekosllovakisë në 21 gusht 1968.

Dhe Çekia në këtë 50 vjetor të pushtimit rus zgjodhi si president të saj Milosh Zeman, duke detyruar gjithë mediat europiane ta karakterizonin si “fitore e njeriut të Putinit”. Në anën tjetër të barrikadës së interesave, mediat ruse e duartrokitën nxehtësisht rizgjedhjen e tij, sepse, siç shkruante portali rus “news.rambler.ru” në 26 janar, Milosh Zeman “është pothuajse politikani më prorus në BE”.

Kur Milosh Zeman u zgjodh për herë të parë president në vitin 2013 mund të thuhet se elektorati çek nuk e njihte mirë dhe ai nuk e kishte shfaqur akoma hapur profilin e tij politik prorus.

Por në pesë vitet, që ishte në kolltukun presidencial, ai e manifestoi në forma provokuese filorusizmin e tij, me kundërshtimin e sanksioneve të BE ndaj Rusisë për Ukrainën, me pranimin e pushtimit rus të Krimesë si “një fakt i kryer”, me lidhjet e ngushta me presidentin rus, me kritikat ndaj NATO-s se nuk po lufton seriozisht terrorizmin, me kritikat ndaj BE për pranimin e refugjatëve nga luftërat e Sirisë dhe të Irakut, me pjesëmarrjen në veprimtaritë e oligarkëve rusë, që janë në listën e sanksioneve të BE, etj.

Brenda linjës proruse duhet parë edhe qëndrimi i tij kundër bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë e Millosheviçit, dhe kundërshtimi i tij në tetor të vitit të kaluar për pavarësinë e Kosovës dhe për njohjen e Kosovës nga Çekia, qëndrime aspak serioze për një president të një shteti të NATO-s, që e ka njohur Kosovën.

Mund të llogaritësh shumë faktorë në fitoren presidenciale të Milosh Zemanit, në planin e elektoratit të brendshëm çek dhe mbështetjen, që ai gëzon në zonat rurale të vendit. Ai mundi kandidatin tjetër profesor Jiri Drahosh, i cili ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Çekisë, një shkencëtar me emër dhe një europianist dhe një atlantist, që kërkonte aktivizim më të madh të Çekisë në NATO. Beteja e tyre presidenciale, siç theksonte Radio Praga në 27 janar, u konsiderua “një duel midis Lindjes dhe Perëndimit”.

Duelin elektoral çek e fitoi Rusia ose Lindja dhe në kolltukun presidencial kemi politikanin, i cili, siç shkruante BBC në 27 janar “është një nga avokatët më të lartë dhe më të zëshëm të Moskës në Europë”. Është vërtet një enigmë politike, psikologjike dhe kombëtare se si elektorati çek i dha votëbesimin njeriut të Rusisë, të asaj Rusie, e cila 50 vjet më parë pushtoi me tanke Pragën dhe ishte pushtimi i parë në histori i një shteti komunist nga një shtet aleat komunist, ku të dy bënin pjesë në të njëjtën aleancë ushtarake, Traktati i Varshavës, i cili presupozohej se do ta mbronte Çekosllovakinë nga agresorët e jashtëm. Pas shembjes së komunizmit, kur të gjithë shtetet ish-komuniste të Europës Lindore vrapuan të shkëputen nga zgjedha dhe aleancat ruse, Çekia me president intelektualin e madh demokrat Vaclav Havel nxitoi të orientohej nga Perëndimi dhe të anëtarësohej në BE dhe në NATO. Dhe tani zgjedh një president, që kërkon ta çojë prapë atje te tutela e kryeqytetit, që e pushtoi 50 vjet më parë.

Zbërthimi i profileve personale dhe politike të dy rivalëve për president dhe i skenës politike dhe elektorale çeke të mundëson të përqendrohesh në një nga faktorët determinantë të kësaj fitoreje presidenciale të njeriut të Putinit, të Rusisë dhe të Lindjes. Në procesin elektoral çek ka pasur një ndërhyrje dhe një veprimtari intensive dhe të organizuar të përzierjes dhe lobimit të shërbimeve sekrete ruse në favor të presidentit Zeman dhe të forcave proruse në vend.

Profesori Jiri Drahosh, rivali properëndimor i Zemanit, deklaroi në televizion në prag të zgjedhjeve se “shërbimet sekrete ruse u implikuan në zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit të kaluar në vendin tonë dhe Moska po përpiqet të ndikojë fushatën presidenciale, që Milosh Zeman të rizgjidhet”. Drahosh deklaroi se kundërzbulimi çek e ka parashtruar këtë mundësi.

Ndërhyrja e shërbimeve sekrete ruse dhe e institucioneve të tjera të Rusisë në procesin zgjedhor presidencial të Çekisë vjen si pjesë e një masterplani të madh rus dhe të një përvoje të madhe për ndërhyrje në proceset elektorale të shumë vendeve perëndimore, të NATO-s dhe të BE. Tashmë janë të njohura akuzat zyrtare, që i janë bërë Rusisë dy vitet e fundit për ndërhyrje në zgjedhjet dhe në proceset elektorale në SHBA, Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani, Spanjë, Hollandë, etj.

Po ta analizosh ndërhyrjen e shërbimeve të specializuara ruse në proceset elektorale të vendeve të NATO-s dhe të BE do të dallosh dy mënyra. Mënyra e parë është ajo e përpjekjeve për të ndikuar në procesin politik dhe elektoral, duke ndihmuar forcat dhe partitë politike, që janë kundër integrimit atlantik dhe europian. Kjo mënyrë është aplikuar në drejtim të shteteve të forta dhe me institucione të konsoliduara demokratike, ku Rusia nuk mund të ndërhyjë dot në timonin qendror të shtetit.

Këtë e kemi parë në ndihmën ruse për forcimin elektoral të partive ekstremiste të djathta në Francë, Gjermani, Spanjë, Holandë, Austri, Hungari, etj. Mënyra e dytë është ajo e strategjisë elektorale ruse për të ndikuar që të zgjidhet në pozita kyçe të drejtimit të shteteve europiane politikanë, që janë filorusë dhe të lidhur me Rusinë. Kjo mënyrë zbatohet sidomos në të ashtuquajturat vende të “Europës së re”, siç quhen vendet ish-komuniste të Europës Lindore. Këtë praktikë Moska e ndoqi në vitin 2016 me zgjedhjet presidenciale në Bullgari dhe në Moldavi, ku arriti të vendosë në postet e presidentit kandidatë filorusë. Tani shohim të zbatohet kjo praktikë në Pragë, ku fiton një president ultrafilorus.

Jemi përpara një zhvillimi dramatik dhe një forme të re të përplasjes gjeopolitike midis Perëndimit dhe Rusisë, ku shfaqet një fushë dhe një formë e re lufte, siç është ndërhyrja ruse në proceset elektorale të vendeve të NATO-s dhe të BE. Është një formë moderne dhe e sofistikuar, e cila nuk është hasur gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Por zhvillimi i teknologjisë së informacionit, internetit, rrjeteve sociale dhe dixhitalizimi i proceseve politike e elektorale e ka lehtësuar strategjinë e shërbimeve sekrete ruse për depërtim dhe ndikim kibernetik.

Është një situate e re, e cila kërkon ndërgjegjësim nga gjithë vendet e NATO-s dhe të BE-së lidhur me frakturat e mëdha gjeopolitike, që mund të shkaktojë Moska në drejtim të kohezionit të aleancës atlantike dhe europiane nëpërmjet instrumentit elektoral. Është një situatë e re, e cila mund të sjellë të papritura dhe pasoja negative në shtetet e dobëta, siç janë ato të Europës Juglindore. Përmendëm shembullin e Bullgarisë dhe të Moldavisë, ku Rusia ndikoi që të zgjidhen presidentë filorusë. Por kjo nuk përjashton nga objektivi edhe shtetet e tjera të Ballkanit.

Mësimi i madh, që del nga këto forma të reja të luftës gjeopolitike, është se anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk është imunitet automatik ndaj ndikimit dhe penetrimit rus në njërin apo tjetrin vend. Udhëheqësit filorusë, që po fitojnë postet në njërin apo tjetrin shtet ish-komunist, anëtarë të NATO-s dhe të BE, sinjalizojnë se nga udhëheqës filorusë mund të kalohet lehtë në politika shtetërore proruse. Kjo mund ta dëmtojë shumë homogjenitetin gjeopolitik dhe proteksionin atlantik brenda NATO-s dhe BE. Ndaj shtetet anëtare të NATO-s dhe të BE, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet t’i kushtojnë vëmendje adeguate këtij fenomeni, sepse lufta gjeopolitike midis Perëndimit dhe Lindjes vazhdon në forma të sofistikuara. Jashtë kësaj lufte nuk është as Shqipëria, për të cilën kam paralajmëruar që në vitin 2015 se përfshihet në projektet e Rusisë për të ndikuar në proceset politike dhe zgjedhore në favor të politikanëve dhe forcave filoruse.

Burimi: http://www.gsh.al/2018/01/29/ne-50-vjetorin-e-pushtimit-rus-cekia-zgjedh-rusine/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb