Nga: KIÇO BLUSHI*

Kohët e fundit argumentet që jepen për të mos e votuar reformën e drejtësisë nuk janë më shumë se dy: 1. “Ka për t’u cenuar sovraniteti” po qe se në të ashtuquajturin vetting do të fusin duart edhe ndërkombëtarët.
2. “Po qe se reforma e drejtësisë nuk do të votohet me konsensusin e opozitës, (përkatësisht me atë të PD-së), do të rrezikohet seriozisht stabiliteti”.
Nuk është e vështirë të kuptohet se të dy argumentet janë edhe pa kuptim, edhe pa themel.
Sepse flitet në hava për rrezikun e humbjes së sovranitetit në një shoqëri të hapur, jo të mbyllur; për një shtet të drobitur ekonomikisht, që më shumë importon se eksporton (sigurisht përveç krahut të punës që nuk ia pranon Evropa); për një popull që kërkon të integrohet në BE dhe nuk po i hapin derën, pa i vënë kushte të njëpasnjëshme; për qeverisjet e derisotme të ashtuquajtura “demokratike”, si të djathta e të majta, të cilat pavarësisht nga liderët, programet dhe flamurët partiakë, realisht nuk kanë mundur të prodhojnë mirëqenie dhe mirëbesim, të ardhura e begati, aq sa të paguhen me buxhetin vetjak investimet publike, administrata, nëpunësit, ushtarët e policët, mësuesit dhe pensionistët, le më pastaj të mbajnë popullin me punë, shpresë, entuziazëm e bukë…
E pra, për çfarë sovraniteti mund të flitet sot?
A mund të kërkohet sovranitet, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, nga një klasë politike që nuk ka dëshmuar asnjëherë të vetme dinjitet, mëvetësi, integritet, të paktën moral para kombit të vet?
Mjaft që të shihet se si të gjitha ligjet në këto 25 vjet kanë ardhur si mallra importi nga jashtë, nga specialistët e huaj të Evropës dhe SHBA-ve për të kuptuar sovranitetin. A nuk i ka miratuar Kuvendi, edhe kur kanë pas qenë ligje hibride (deledash), të cilat nuk mund të mbinin në tokën tonë “shkëmbore”, në një shoqëri “pa kulturë demokratike”? Nën këtë trysni, në një mungesë të theksuar sovraniteti (vartësie), për të mos thënë servilizimi, krerët tanë të të gjitha ngjyrave nuk kanë guxuar kurrë të kundërshtojnë ndërkombëtarët, edhe kur këta vinin të na mësonin “se si zihet kosi”, aq më pak për të zbatuar politika proteksioniste në mbrojtje të prodhimeve bujqësore e blegtorale, të pyjeve e ujërave, të naftës, kromit apo duhanit, si dhe vlerat të trashëgimisë kombëtare, përfshi edhe rrjedhjen katastrofike të trurit e të krahut të punës që kanë ikur gjatë këtyre 25 viteve “në drejtim të paditur”.
Dhe për t’i shkuar argumentit të sovranitetit edhe më tej: cilët janë ata krerë politikë që po e përmendin sot rrezikun e cenimit të sovranitetit edhe si kërcënim të standardit demokratik, bash në atë kuptim dhe nënkuptim që këtij parimi i jepte dikur diktatura, kur na izolonte nga bota për të mbijetuar sa më gjatë si sistem politik?
Ndaj, besoj se nuk do të ishte keq që krerët tanë të “sovranitetit” të rishihnin filmin artistik, të prodhuar nga vetë amerikanët, ku tregohet se si ambasada amerikane ia mbylli derën diktatorit Markos, edhe pse se ky kishte pas qenë një kukull politike në duart e tyre. Atëbotë, i mbetur mes dy zjarresh, mes popullit të zemëruar dhe amerikanëve të zhgënjyer, Markosi foli i dëshpëruar për “sovranitet të Filipineve”…
E megjithatë, iku në ekzil.
***
Ka shumë shembuj në historinë moderne kur autokratët dhe diktatorët e përdorin konceptin e sovranitetit si vetëmbrojtje vetjake, aspak kombëtare. Zakonisht janë krerë lapërdharë e puthadorë, që qoftë edhe një foto, le më pastaj ndonjë kronikë, ndonjë takim zyrtar, një dhënie dore a përqafim me ndonjë udhëheqës botëror, makar edhe me kongresmenë amerikanë apo komisionerë evropianë, i reklamojnë (gjoja si rastësisht), prapa supeve, teksa japin intervista nëpër studio apo në zyra, për të na i paraqitur si “dëshmi historike”, si “dokumente kokëforta”, të cilat automatikisht do të provojnë se ata, me gjasë (pikërisht ata!) janë më të përzgjedhurit, që kanë mbështetje amerikane apo evropiane.
Kuptohet, derisa ata janë “të përzgjedhurit” e amerikanëve, atëherë, afërmendsh, edhe ne “si popull” duhet t’i votojmë e t’i ndjekim pas. Janë aq të mefshtë sa nuk e kuptojnë se me kësi mjetesh e marifetesh të sforcuara mediatike, trukimesh e trushpëlarjesh jo vetëm që nuk do t’i shpëtojnë shembjes, por kanë për t’i lenë emrit vetjak vulën e pashlyeshme të ofiqarit jo vetëm të pazot, të paaftë e zullumqar, por edhe pa personalitet, pa dinjitet, pa karakter, pse jo edhe antikombëtar.
Edhe në demokracitë jofunksionale, si kjo e jona, krerët që e përdorin argumentin e sovranitetit dhe të gjoja pavarësisë nga ndërkombëtarët, (si vepron psh., Gruevski në Maqedoni) kur gjatë gjithë jetës së tyre politike kanë qenë puthadorët e tyre të pështirë, provojnë, pa dashje se janë në fund të karrierës dhe të dështimit të tyre të pashmangshëm. Kjo me sa duket është karta e vetme e bixhozit politik. E një bixhozi, që asnjëherë nuk të shpëton e nuk të nxjerr dot nga falimenti, përkundrazi.
Kur krerët e shteteve-provinca, të dala nga diktaturat, pasi i kanë djegur të gjitha kartat e besimit, si te populli dhe më pas edhe te ndërkombëtarët, ata e përdorin sovranitetin si mburojë, si helmetë nacionaliste, ashtu siç kanë vepruar edhe sivëllezërit e tyre në Azi e në Afrikë, të cilët kur ndjejnë se po iu rrezikohet seriozisht pushteti, ngulmojnë të rilindin konceptin e munguar të sovranitetit, si mundësia e vetme për të mbetur në pushtet, ose më së paku, për të fituar imunitet, dmth., për të dalë nga loja me sadopak dinjitet.
Duke qenë pa pikë dinjiteti, pasi politikëbërjen e kanë kuptuar si zbatim të arrogancës me më të dobëtit, me qytetarët e vet, ndërsa me kancelaritë e shteteve të mëdha, në mos si një marrëdhënie incesti, në rastin më të mirë si sjellja e një fëmije kopshti të përkëdhelur, që para edukatores është i detyruar të rijë sus, pasi ajo, pasi të ushqen, ka të drejtë edhe të të rrahë. Harrojnë se janë marrë më se një herë përdore nga ndërkombëtarët nëpër disa “Krokodile”, jo për t’i stërvitur, as për t’i argëtuar në kopshtet zoologjikë të politikës evropiane, por për t’i zbutur dhe edukuar me standardet demokratike.
Ndërkombëtarët dhe kancelaritë e tyre qendrore në fakt kanë dështuar me ta, sepse një skllav i lirë, i cili abuzon sistematikisht me lirinë e dhuruar dhe që, për më tepër, lirinë dhe fuqinë e pushtetit nuk i ka të fituara me merita dhe përkushtim, por të blera te padroni me puthadorësi e me shërbime të dyshimta, nuk mund të ketë as dinjitet, as integritet, as personalitet.
Dhe sigurisht që edhe fjala sovranitet në gojën e tyre merr kuptim të kundërt.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: