Disa i njihnin si një çift shembullor dhe të lumtur ndërsa të tjerë si një çift që herë pas here kishte probleme. Komshinjtë janë zgjuar të tronditur kur kanë marrë vesh se Bashkim Teli ka vrarë bashkëshorten e tij me të cilën jeton prej 3 vitesh Suzana Shemuni.

Ngjarja ndodhi në Shkodër mesnatën e kaluar kur 68 vjeçari qëlloi me çekiç duke e lënë të vdekur në vend bashkëshorten e tij. Drande Shishkja, një komshije e çiftit dashuria e të cilëve përfundoi në tragjedi thotë se viktima ka dashur që t’i marrë shtëpinë burrit të saj.

Drande Shishkja: “Ata kanë 2-3 vite që jetojnë sëbashku. Prej kohësh Suzana ka tentuar që t’i marrë shtëpinë Bashkimit. Ata vetëm kohët e fundit kanë bërë celebrimin sepse deri më tani vetëm kanë bashkëjetuar. Më vjen keq për çfarë ka ndodhur por Bashkimin e njohim për një burrë të mirë. Suzana ka 7 fëmijë sepse ka jetuar në Itali dhe atje thonë që u ka marrë disa shtëpi të moshuarve me të cilët ka jetuar.

Ajo është martuar disa herë. Edhe këtu në Shkodër ka dashur që t’i marrë Bashkimit shtëpinë. Pasi kanë bërë celebrimin sipas asaj çfarë kemi dëgjuar Suzana i ka thënë burrit të saj se ta marr shtëpinë tani sepse më takon edhe mua”,-thotë ajo për Shkodra News.

Një tjetër fqinje thotë se çifti dukeshin se kishin harmoni mes njëri tjetrit dhe se nuk kanë dalluar asgjë ndërsa dënojnë ngjarjen e rëndë duke e quajtur një makabër, shkruan ShkodraNews.

“Jam tronditur kur kam mësuar se çfarë ka ndodhur. Unë jetoj në këtë pallat dhe çifti kishin 3 vite këtu sëbashku. I shihja tejet të lumtur. Dilnin bashkë, të përqafuar dhe të kapur për dore.

Kishin harmoni dhe dashuri me njëri tjetrin. Nuk kam qenë në dijeni të ndonjë problemi mes tyre. Kur kam marrë vesh çfarë ka ndodhur nuk e kam besuar. E dënoj rëndë krimin makabër që ka bërë Bashkimi.

Gjithnjë e më shumë gruaja është viktimë në shoqërinë shqiptare dhe po bie pre e këtyre krimeve të rënda”, deklaron një tjetër fqinje.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: