Bienalja 2017 ka mbërritur në mbrëmjen e saj të gjashtë me koncertin “Në kërkim të muzikës së humbur”. Në mjediset e Muzeut arkeologjik të Durrësit dhjetra artdashës kanë ndjekur kompozimet e disa prej autorëve, që pësuan edhe persekutimin gjatë diktaturës.

Nën kujdesin e drejtorit artistik Florian Vlashi, sopranoja Eva Golemi kishte përzgjedhur romanca të shkruara nga Ramadan Sokoli, Palok dhe Lec Kurti, Tonin Harapi, Lola Gjoka dhe Preng Jakova.

Këngë të njohura si “Turtulleshë”, “Kajrafil të zgjodha”, “Margjelo” apo “N’atë zaman t’asaj furie” fituan duartrokitjet e të pranishmëve jo vetëm për teknikën profesionale të sopranos së njohur dhe shoqërimin e pianistes Ingrid Pulizo, por edhe për melodinë dhe tekstet që vazhdojnë të jenë shumë të dashura për publikun.

Më pas studentët Roland Deda në violinë dhe Nancy Kume në piano interpretuan me sukses një Romacë dhe një Sonatë, kompozuar nga Lec Kurti në vitin 1915.

Edicioni i tetë i Bienales “Netët e Muzikës Klasike” do të vijojë sot me koncertin e pianistit francez Daniel del Pino dhe do të mbyllet nesër me “Kuartetin për fundin e kohëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: