Në 19 komuna të Kosovës, përfshirë qendrat e mëdha, me 19 nëntor votohet për kryetar komunash. Ky është rrethi i dytë i zgjedhjeve. Një komunë e banuar me shumicë serbe shkon në rivotim.

Në Kosovë nisi zyrtarisht fushata për zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen në 19 nga 38 komunat e Kosovës. Kësaj radhe do të votohet vetëm për kryetar komunash, në ato komuna ku në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, asnjë kandidat nuk e mori numrin e mjaftueshëm të votave mbi 50% të pjesëmarrjes, sa janë të nevojshme për t’u zgjedhur në raundin e parë. Fushata për rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash do të zgjatë pesë ditë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë të ditur se të drejtë vote kanë rreth 1.8 milion votues. Në ditën e zgjedhjeve, do të jenë të hapura 614 qendra të votimit nga 899 sa ishin në raundin e parë.

Zgjedhje në 19 komuna
“Këtë të diel në raundin e dytë, zgjedhje mbahet në 19 komuna vetëm për kryetarë të komunave. Ndërsa në komunën e Parteshit, ku janë konstatuar parregullësi në raundin e parë, do të rivotohet vetëm për kryetar të komunës. Në 19 komunat e Kosovës, ku do të mbahet raundi i dytë. Do të hapen 614 qendra të votimit, me gjithsej 1.777 vendvotime”, njofton zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

Në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit për kryetar komunash, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në 9 komuna, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, Aleanca Kosova e Re në një komunë, Nisma në një komunë dhe Alternativa në një komunë.

Koalicione të reja
Këto subjekte politike këtë fazë që nga raundi i parë i zgjedhjeve me 22 tetor, shfrytëzuan rastin për të bërë koalicione në nivel lokal nga më të ndryshmet. Gara më e fortë për kryetar komunash, parashihet të jetë në qendrat e mëdha, që janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Ferizaji, Gjilani dhe Mitrovica. Në Prishtinë për kryetar komune, garojnë (LDK-VV), në Prizren, (PDK-VV), në Ferizaj, (PDK-LDK), në Mitrovicë, (PDK-AKR), në Gjilan, (LDK-VV) dhe në Gjakovë (AAK-Alternativën).

Ngjashëm si edhe në proceset zgjedhore paraprake, edhe në këtë raund zgjedhjet do të vëzhgohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe vëzhguesit e ambasadave të vendeve më të industrializuara. Në raundin e parë të zgjedhjeve, me 22 tetor zgjedhjet kanë përfunduar në 19 komuna.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një komunë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 2 komuna. Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa në raundin e parë nuk arritën të fitojnë asnjë komunë. Lista Serbe ka fituar në 9 komuna të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Sipas raportit të vëzhguesve evropianë, në këto komuna procesi nuk ka qenë tërësisht demokratik, sepse “janë evidentuar presione tek votuesit që të votohet vetëm për një subjekt politik” – në këtë rast për listën “Srpska”, që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd. Qeveria e Kosovës këtë e cilësoi një ndërhyrje të papranueshme të drejtpërdrejtë të Beogradit në zgjedhjet lokale në Kosovë./dw/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb