Nga Valbona Nathanaili
Më 19 maj 1926, Ministria e Arsimit u kërkonte drejtorive përkatëse në rrethe të raportonin për shkallën e edukimit të popullatës. Sipas Jani Mingës, inspektorit të arsimit për rrethin e Gjirokastrës, 75% e popullatës ishte injorante dhe 25% ishte e mësuar.

Megjithëse mungon si përkufizim se çfarë kuptojmë me injorancë në atë kohë, fakti që vihet përballë fjalës “të mësuar” dhe, sipas statistikës, “të mësuar” janë ata që kanë mbaruar një shkollë, nga fillorja deri në universitet, është arsye për të besuar se koncepti i “injorancës” në atë kohë mund të njehsohet me atë “të pamësuar”, ose që nuk ka mbaruar nivelin më të ulët të arsimimit, shkollën fillore.

Pra, injoranca, më shumë se mungesë dijesh elementare në të shkruar dhe lexuar, nënkuptonte mungesë të një niveli të caktuar njohurish dhe aftësish, që merren e zotërohen me mbarimin e katër a pesë klasave të shkollës fillore të asaj kohe.

Nga viti 1926, të gjitha qeveritë që kanë ardhur më pas, e kanë pasur në qendër të vëmendjes uljen e përqindjes së injorantëve, ose të atyre që nuk mbarojnë shkollën fillore, ose të “të pamësuarve”, deri sa erdhi një ditë që nuk gjeje asnjë shqiptar që kënaqte kushtet e mësipërme.

Për t’i bindur të gjithë se nuk kemi injorantë, fjala u hoq edhe nga Fjalori i Gjuhës Shqipe dhe mungon edhe në botimin e vitit 2006.

Por fjala nuk u hoq asnjëherë nga përdorimi në jetën e përditshme, ndërkohë që merrte një konotacion gjithnjë e më negativ, si dhe ndërronte vazhdimisht etimologji, për të ardhur në ditët tona me një kostum më modern.

Së pari, për të evidentuar atë kategori individësh që kanë mungesë informacioni a dijesh në një fushë a për një problem të caktuar, si dhe mungesë aftësish për t’i përdorur e përpunuar ato kur u ofrohen.

Për këtë lloj injorance, fajtore, për sa mund të bëhet fajtore, është pakufizimi i hapësirës së dijes dhe mundësitë e aftësitë tona si qenie njerëzore, objektive a subjektive.

Gjithsesi, e rëndësishme është që në këtë rrugëtim, semaforët janë gjithnjë të hapur në ngjyrë jeshile dhe të gjithë jemi në lëvizje, kush më shpejt e kush më ngadalë.

Së dyti, për të evidentuar një lloj tjetër injorance, injorancën e kultivuar, ku shkak nuk është “sepse jam i pamësuar”, por “sepse e kam mësuar gabim”. Injoranca e llojit të dytë, ose injoranca “sepse e kam mësuar gabim” nuk është rasti kur mësues të paaftë u mësojnë nxënësve teoritë gabim, ose kur inxhinierë të paaftë projektojnë rrugë e ura që shemben me rrebeshin e parë. Por është rasti, kur mbi bazën e një strategjie të mirëmenduar, për interesa të caktuara të grupeve të caktuara, dija prodhohet në mënyrë të qëllimshme gabim, në formën e teorisë a informacionit të rremë dhe fakteve të shtrembëruara, ose që anashkalojnë thelbin.

Më pas, ashtu e paplotë dhe e shtrembëruar, shpërndahet dhe me apo pa dashje, shumëfishohet, duke marrë përmasa sociale, për të ruajtur një pushtet të caktuar politik e vjelë interesa të caktuara financiare.

Shembujt e injorancës “sepse e kam mësuar gabim” janë të shumtë, duke filluar nga kompanitë që prodhojnë duhanin e fshehin dëmet e tij dhe deri tek ato farmaceutike, që nuk raportojnë efektet anësore të një ilaçi të caktuar, a të gjitha arritjet e shkencës, nga institucionet që shndërrojnë amatorët në ekspertë dhe deri tek universitetet që promovojnë e shndërrojnë studentët e sapodiplomuar në akademikë.

Vetëm 40 vite më parë, kompanitë që shisnin duhanin nuk flisnin asnjë fjalë për dëmet që shkaktonte konsumi i tij. U deshën përpjekje e beteja ligjore, që këto kompani, me detyrim ligjor të raportojnë saktësisht dëmet, në çdo paketë.

Farmaceutika duket se ka ende një rrugë të gjatë përpara. Shoqëritë e zhvilluara dhe vërtet demokratike luftojnë me të gjitha format për të ndaluar precipitimin e kësaj lloj injorance dhe në rastin më të keq, të paktën për ta denoncuar. Në shoqërinë tonë, ku sistemi arsimor po degjeneron çdo ditë e më shumë, ndërsa institucionet demokratike, në përmbajtje e funksion janë larg të qenit si të tilla, gjithë kjo lloj injorance po precipiton, në mënyrë eksponenciale dhe po shndërrohet në një llucë, nga e cila duket e vështirë shkëputja.

Shpjegimi i vendimit të papritur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të ndryshuar thjesht orarin e një dite shkollore në funksion të lehtësimit të çantës së fëmijëve, duke theksuar se do të reduktohej numri i lëndëve që zhvillohen në një ditë, përmbante informacion jo të plotë, arsyetim të bazuar vetëm mbi fakte dytësore e që të largojnë nga e vërteta dhe realiteti. Kështu, nëse kimia bëhej dy herë në javë, nga një orë dhe në ditë të ndryshme, tashmë do të bëhet një herë në javë, në të njëjtën ditë dhe në dy orë të njëpasnjëshme. Nëntëdhjetë minuta kimi?! Dhe i njëjti program për t’u zhvilluar!

Edhe në fakultet ora mësimore ka zbritur në 60 minuta, ndërkohë që kujdesen t’i alternojnë llojet e njohurive të ofruara. Për fat të keq, për shkak të “injorancës së llojit të parë” dhe shumë elementeve të së dytës, në shumë portale dhe nga shumë komentues në rrjete sociale, u gjykua si një mënyrë për të lehtësuar ngarkesën ditore të mësimeve të fëmijëve, gjë që është “injorancë”.

Akoma, sa shpesh ka ndodhur, që të huajt që vijnë në Shqipëri të paraqiten si ekspertë, kur në fakt kanë qenë batakçinjtë e hajdutët e radhës? Sa shpesh ka ndodhur, që një taksë të paraqitet si zgjidhje për ekonominë, kur në fakt ka qenë zgjidhje vetëm për xhepin e një grupi të caktuar biznesmenësh? Dhe sa herë, pavarësisht çfarë dëshmon realiteti, drejtuesit e këtij vendi marrin guximin e flasin me fakte e informacione krejtësisht dytësore, jo në funksion të së vërtetës së plotë? Të kuptosh “injorancën” e ditëve të sotme dhe të bësh përpjekje për të dalë nga lluca e saj, jo për të bashkëjetuar, është e vështirë. Por të shërbesh si virus për shpërndarjen e precipitimin e saj është shumë e thjeshtë. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: