Në Gjermani, gjatë muajit shkurt kanë kërkuar azil 26 mijë e 83 persona, një shifër shumë herë më e lartë se vitin e kaluar. Në muajin shkurt të vitit 2014 ishin regjistruar 14.863 azilkërkues. Ndërsa në krahasim me janarin e vitit 2015, në muajin shkurt janë regjistruar 4.2 për qind më shumë kërkesa për azil.

Zyra Federale për Emigracion dhe Refugjatë ka vendosur në shkurt për 17.580 kërkesa. 6.465 persona (ose 36.7%) kanë marrë statusin e refugjatit. Në dhjetor të vitit të kaluar në Gjermani kanë kërkuar azil 1956 shtetas kosovarë. Në janar të vitit 2015 kanë kërkuar 3630 kosovarë të tjerë ndërsa në shkurt kjo shifër është dyfishuar dhe ka arritur në 7728 persona. Rritje ka shënuar edhe numri i azilkërkuesve nga Shqipëria: në dhjetor 940 persona, në janar 1648 dhe në shkurt 1794 azilkërkues.

Ndërkaq, Ministri i Brendshëm i Landit të Bavarisë, Joachim Herrmann është shprehur më parë se shqiptarët e Kosovës nuk duhet ta braktisin vendin e tyre, por nga ana tjetër ai ka kërkuar nga BE-ja ta ndihmojë më shumë Kosovën. “Unë do t’i këshilloja me urgjencë kosovarët që marrin rrugën drejt Gjermanisë të mos e bëjnë këtë hap. Nuk ka asnjë shans për azil dhe do të ishte fatale për dikë që dorëzon shtëpinë apo banesën në Kosovë për të kërkuar një të ardhme këtu në Gjermani. Brenda pak javësh ai do të jetë sërish në Kosovë dhe do të duhet të përpiqet të riorganizojë rishtazi jetën e tij. Unë i këshilloj me urgjencë të qëndrojnë në Kosovë”, është shprehur Herrman në një intervistë për agjencinë e lajmeve Deutsche Welle.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: