Poezia është gjuha që këndon, thoshte poeti i njohur francez Paul Eluard. Ky përcaktim shumë domethënës ndan shprehjen e vetvetishme, plot ndjenjë dhe çiltërsi, me spërdredhjen e sforcuar sterile. Vëllimi poetik me titullin e bukur “Lajme nga dielli” qëndron në anën e gjuhës që këndon.

Autorit Tomor Kotarja i këndon zemra në secilin prej motiveve të larmishme të frymëzimeve të tij, ku spikat si një fill tejpërçues drita e magjepsjes me ekzistencën, drita e dashurisë, mirënjohjes dhe mirësisë, drita e rrezatimeve diellore që kthen në vargje dhe këngë shpirti i pushtuar nga poezia. Me këto fjalë Preç Zogaj ka vlerësuar një botim të ri. Është promovuar në Tiranë libri me poezi “Lajme Nga Dielli” i poetit Tomorr Kotarja.

“Mendimi pa droje që buron nga shpirti nuk quhet rebel/ E në ndodhtë kjo le të quhem rebel!/ Rebel me veten, rebel me të tjerë, rebel me motin pa diell e pa erë…/ Rebel me qenien, me ankthin në shpirt, rebel me të padrejtën, me vdekjen e hirtë/ Por kurrë rebel me shokët me miqtë…”, janë disa prej vargjeve të tij. Sipas Arben Çejkut, Tomorr Kotarja është një zë i ri poetik tepër i veçantë dhe origjinal, që prej sot po i bashkohet familjes së poetëve shqiptarë me vëllimin e tij të parë, “Lajme nga Dielli”.

“Unë pata fatin që t’i lexoj poezitë e Tomorrit para se ato të hynin në procesin e botimit dhe mund të them me bindje se, lirikat e përmbledhura te ky vëllim janë një buqetë artistike me vlera të qëndrueshme artistike”, shkruan Çejku, duke shtuar se ai është pasardhës i një familjeje të shquar, rrethuar nga një peizazh i bukur malor, siç është Luma, nga ai vjen, brumosur me vlerat më të larta të traditës, historisë dhe kulturës sonë kombëtare, Tomorri na sjell përmes vargjeve të tij një tablo epike të pakrahasueshme plot me ngjarje, emra shoqëruar me peizazhet ekspresioniste. Kotarja u lind më 4 gusht 1977 në Kukës. U diplomua në fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, Universiteti Bujqësor i Tiranës. Master shkencash Fakulteti i Ekonomisë, Administrim publik.

Master profesional, Menaxhim Mjedisi. Ekspert i certifikuar në fushën e mjedisit (VNM) & Pasuri të Paluajtshme. Administrator në fushën e ndërtimit që nga viti 2002 e në vazhdim. Prej disa vitesh e në vazhdim punon në qeverisjen lokale Bashkia Kamëz. Poezitë e para, botuar në shtypin e kohës. Del për herë të parë me vëllimin poetik “Lajme nga Dielli”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: