Në prag të sfidës miqësore kundër Bosnje-Hercegovinës, trajneri i kësaj kombëtareje, Mehmed Bazhdareviç, ka lëshuar një deklaratë disi të çuditshme por edhe shpresdhënëse përsa kohë vjen nga një profesionist.

“Brenda pak vitesh, Shqipëria do të jetë një nga kombëtaret më të mira në Europë”. U shpreh ai në konferencën për shtyp para takimit miqësor në “Elbasan Arena”.

“Shqipëria është një vend që investon shumë për futbollin. Po ecën përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda pak vitesh do të jetë një ndër më të mirat në Europë. E njëjta mund të thuhet edhe për Bosnjë-Hercegovinën”, u shpreh Bazhdareviç.

Përballja e nesërme ka një domethënie simbolike për boshnjakët, të cilët ndeshjen e parë zyrtare e kanë luajtur pikërisht përballë kuqezinjve. Ishte 30 nëntori i vitit 1995, vetëm nëntë ditë pas mbarimit të luftës, dhe Shqipëria triumfonte 2-0 në miqësoren e luajtur në “Qemal Stafa”.

“Kemi marrëdhënie miqësore në futboll. Ndeshja jonë e parë zyrtare ishte pikërisht në Shqipëri dhe shoh që gjatë këtyre viteve të dyja skuadrat janë zhvilluar shumë. Shqipëria do të jetë një kundërshtar i fortë në këtë ndeshje, ku ne do të provojmë shumë lojtarë të rinj”, u shpreh tekniku boshnjak.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb