TIRANE– Kryeministri Edi Rama u ka kthyer një përgjigje të gjithë zërave kritikë lidhur me projektet urbanistike ‘Rilindja Urbane’ që qeveria ka ndërmarrë në mbarë vendin.

Teksa ishte i ftuar në aktivitetin “Nxitja e Kulturës për Zhvillim të Qëndrueshëm”, kreu i Ekzekutivit shqiptar e cilësoi këtë zë kundër, qëndrim vulgar dhe mendjelehte. Nga ana tjetër ai theksoi se këto diskutime janë një humbje kohe.

“Ka sfida të përbashkëta, për të cilat mund të shërbejë eksperienca për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime. Besoj që rajoni ynë prej shumë vitesh jeton nën agresionin e së shëmtuarës, për sa i përket marrëdhënies me të bukurën si trashëgimi dhe raportin e zhvillimit si përfitim. Kjo na ka bërë që të kemi një qasje strategjike. Besoj se është me shumë rëndësi për qeverisjen në funksion të së bukurës. Unë shpesh herë ndeshem me një kritikë vulgare që lidhet me programin tonë të rilindjes urbane, që ringjall një raport me të bukurën dhe me hapësirën publike. Një kritikë që sipas të cilës ‘ne jemi pa bukë’ ju investoni për fasadat’. ‘Ne jemi pa ujë, ju investoni për ndriçim’, ‘Ne kemi një mijë halle të tjera, ju merreni me muzeume’. Kjo është kritikë mendjelehtë, mbase më duket e kotë që të humbasim dhe kohën. Për politikën vulgare dhe mendjelehtë them sesa me rëndësi është e bukura në raport me marrëdhënie me komunitetin.”, tha Rama.

Duke qëndruar në këtë linjë, Rama tha se agresioni i të shëmtuarës na ka varfëruar në raport me trashëgiminë.

“Jam krenar të them se në këtë faze te qeverisjes, pavarësisht trashëgimisë së financave, rritëm buxhetin për kulturën. Të rrisësh buxhetin për kulturën nuk është asnjëherë mjaft, ndaj duhet te thellojmë dialogun e bashkëpunimin mes njeri -tjetrit këtu ne rajon. Kemi sfida te përbashkëta. Aty ku investimet tona për te bukuren janë konsistente, ashtu është dhe zhvillimi ekonomik vendor. BE qasje gjithmonë e me shumë pozitive ndaj kërkesës sonë për te sjelle njerëzit pranë bukurive te se shkuarës”, theksoi kryeministri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: