Nga FATMIRA NIKOLLI

Kanë mbërritur të martën në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë kryeveprat italiane të 1900-ës. Ato janë pjesë e ekspozitës së parë që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve këtë vit, realizuar si bashkëpunim mes GKA-së, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrisë. Ekspozita e kuruar nga Maria Catalano, Federica Pirani dhe Stefano Roffi, me mbi njëqind “kryevepra” që vijnë nga Galeria e Artit Modern të Romës, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike të Romës në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, gjuhët që janë ndjekur, artistët dhe lëvizjet e referencës, duke kaluar nga Simbolizmi, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi. Mësohet se veprat kushtojnë më së paku 12 milionë euro, ndërsa kryeministri Edi Rama ka dërguar ftesa të personalizuara dhe një letër të “pazakonshme” për këtë ekspozitë. “I (e) dashur…- Kryeveprat është e para ekspozitë e një koleksioni pikturash origjinale që vjen në Shqipëri, nga muzeumet e Europës. Ky koleksion i jashtëzakonshëm i pikturës italiane të Novecentos, do të qëndrojë në muret e Galerisë Kombëtare, për kënaqësinë e rrallë të artdashësve shqiptarë, duke filluar nga 15 janari.

Duke ju dërguar këtë shënim të pazakonshëm, bashkë me ftesën, për të marrë pjesë në ceremoninë e çeljes së dyerve, të këtij koleksioni të rrallë, dëshiroj të ndaj me ju kënaqësinë e posaçme, për këtë ngjarje artistike krejt të veçantë. Edi Rama(firma)”- ky është teksti i letrës. BILETAT 700 LEKË Figurat e mrekullueshme femërore, portretet e personazheve të famshëm, pamjet e qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e vdekura, janë subjektet kryesore të trajtuara nga artistët protagonistë të ekspozitës, ndër të cilët dalin në pah emrat: Giacomo Balla, Carlo Carrà, Giorgio de Chirico, Fortunato Depero, Renato Guttuso, Giacomo Manzù, Tato, Giulio Turcato, vetëm për të përmendur disa nga më shumë se 60 artistët e paraqitur.

Ekspozita është promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në bashkëpunim me Sovrintendenza Capitolina (Drejtoria e mbikëqyrjes Capitolina), Bashkia e Romës, Departamenti i Rritjes Kulturore, Galeria e Artit Modern të Romës, dhe është realizuar e organizuar nga Arthemisia Group. Këtë herë, bileta për të parë ekspozitën kushton: E plotë 700 lekë, me zbritje 500 lekë, grupe të rriturish 500 lekë, ndërsa shkollat 100 lekë. Kryeministri Edi Rama, shkruante në llogarinë e tij në “Facebook” se “pas Koncertit të Vjenës në Tiranë, janari do të sjellë edhe të parën ekspozitë në Shqipëri të një koleksioni kryeveprash origjinale në pikturë”.

Sipas tij, për herë të parë, jo vetëm artistët e rinj apo edukatorët e artit, po edhe nxënësit, studentët e mbarë publiku artdashës, do të mund të marrin shijen unikale të telajove origjinale të mjeshtërve të pikturës europiane. “Kjo rrugë e re eksperiencash të rralla artistike për publikun shqiptar, të cilën njësoj si Koncertin e Vjenës në Tiranë, duam ta kthejmë në traditë, vit pas viti, nis me kryeveprat e pikturës italiane të Novecentos, dhe kam shumë shpresë se do të vazhdojë në vitin 2018, me një koleksion veprash origjinale të Muzeut Picasso në Paris”, e mbyllte postimin e tij kryeministri. Kjo ekspozitë do të çelet më 16 janar e do qëndrojë për artdashësit deri më 2 prill 2017.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb