* Halimi: Të mos kapet politikisht sistemi. Braho: Ku ndahemi me draftin e sjellë
* Majko: Referendum nëse s’ka konsensus
* Halimi: Ka kohë për hartimin e një drafti tjetër me ekspertët e mazhorancës dhe opozitës
* Komisioni për Reformën, të hënën PD paraqet vërejtjet për draftin në Komisionin e Venecias

TIRANË- Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, pas rreth 3 orësh diskutime vendosi që t’i dërgojë Komisionit të Venecias draftin e hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, por duke i bashkëngjitur propozimet e LSI­-së dhe Partisë Demokratike.

Për këtë pjesë, Komisioni i Posaçëm do të mblidhet sërish të hënën.

Në fund do të jetë Venecia ajo që do të ndajë përfundimisht se cilat nene të secilit prej tre varianteve do të marrë parasysh.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e Komisionit shprehën qëndrimin e tyre lidhur me draftin e hartuar nga ekspertët për Reformën në Drejtësi. Duke folur si përfaqësues i opozitës, deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi, tha se për këtë draft nuk u ndoqën rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Halimi tha se ekspertëve duhet t’u caktohet nga Komisioni i Posaçëm detyra që kanë, dhe të hartojnë draftin bashkë, ekspertë të opozitës dhe mazhorancës, sipas rekomandimeve të Venecias.

Deputeti i PD tha se opozita nuk ka shprehur kundërshti lidhur me hartimin e mekanizmave që luftojnë korrupsionin tek zyrtarët e lart dhe gjyqtarët. Sipas tij, pika kryesore ku nuk ka dakordësi mes opozitës dhe mazhorancës, është mënyra e votimit me 3/5 apo 2/3.

Në emër të LSI­-së, deputeti Spartak Braho këmbënguli tek konsensusi, duke theksuar se kush i largohet dialogut dhe konsensusit nuk përfill opinionin e Venecias. Braho mbështeti draftin e paraqitur, por pranoi se forca që përfaqëson ka rezerva për të.

Ky draft do të jetë i vetmi dokument që do të kalojë në komision, ndonëse në media u bë publik dhe një tjetër draft i Ministrisë së Drejtësisë, për të cilin ekspertët e lartë thanë se e kanë përfshirë në projektin e tyre final.

Paketa e ndryshimeve kushtetuese, e rishikuar mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, nuk u pranua nga opozita, për shkak të qëndrimeve të kundërta lidhur me shumicën në votimin e drejtuesve të institucioneve të larta të drejtësisë.

Drafti i ekspertëve parashikon votimin me shumicë të cilësuar (3/5), ndërsa ekspertët e PD-së i qëndrojnë variantit për shumicë kushtetuese 2/3-a. Sipas tyre vota me 3/5 ‘çimenton kapjen e sistemit të drejtësisë’.

HALIMI: TË IMPLEMENTOHEN 138 REKOMANDIMET E VENECIAS, JA KU NUK BIEM DAKORD ME MAZHORANCËN
Deputeti i Partisë Demokratik u ndal tek qëndrimi i opozitës lidhur me draftin e hartuar nga ekspertët për Reformën në Drejtësi. Duke u shprehur se për këtë draft nuk u ndoqën rekomandimet e Komisionit të Venecias, Halimi tha se ekspertëve duhet t’u caktohet nga Komisioni i Posaçëm detyra që kanë, dhe të hartojnë draftin bashkë, ekspertë të opozitës dhe mazhorancës, sipas rekomandimeve të Venecias.

“Komisioni duhet të ishte mbledhur me 22 dhjetor, një ditë pasi Komisioni i Venecias na solli rekomandimet. Duhet të uleshim ne bashkë me ekspertët tanë, dhe ne si komisionin i përbashkët, i krijuar me paritet mes palëve politike, dhe t’i kërkonim që të pyesnin grupet e interesit, dhe të hartonin një draft që të respektojë një më një rekomandimet e Venecias. Ky duhet të ishte procesi që duhej bërë, nëse te të gjithë ne ekziston vullneti për të bërë një reformë ashtu siç duhet, bazuar në raportin e Venecias.

Por për t’i ikur procesit, i thirrët ekspertët tuaj, dhe thatë hajde bëjmë një draft parafabrikat, si ai që bëtë. Nuk duhet ta bënit procesin në mungesë të plotë transparence. Ky nuk është një draft në përputhje me Komisionin e Venecias, dhe nuk u morën aspak parasysh kërkesat e opozitës, kapja politike e sistemi, neni 55. atyre ekspertëve nuk u janë caktuar detyrat nga ne këtu, nga Parlamenti për të bërë punën. Ndaj ne tani duhet t’ua japim detyrën, kohë kanë, e të ulën ta hartojnë bashkë ekspërtë të mazhorancës dhe opozitës”, tha Halimi.

Më tej deputeti demokrat u ndal konkretisht tek drafti i hartuar nga ekspertët, duke u shprehur lidhur me komponentet kryesorë të tij. Halimi tha se opozita nuk ka shprehur kundërshti lidhur me hartimin e mekanizmave që luftojnë korrupsionin tek zyrtarët e lart dhe gjyqtarët. Sipas tij, pika kryesore ku nuk ka dakordësi mes opozitës dhe mazhorancës, është mënyra e votimit me 3/5 apo 2/3.

“Qeveria është në konflikt interesi, ndaj dhe kjo është kërkesa jonë e parë që duhet të shkojë sipas rekomandimeve të Venecias. Duam që këto rekomandime të plotësohen një për një. Të mos fshihemi pas ekspertëve, nëse nuk e bëjnë dot ata, ta bëjmë ne.

Drafti i hartuar nga ju ka komponentin e hartimit të mekanizmave për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë. Por a kemi patur ne ndonjë ditë të vetme kundërshti ndaj këtyre mekanizmave që luftonin korrupsionin ndaj zyrtarëve në nivel të lartë.

Komponenti i dytë ka të bëjë me luftimin e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve. A kemi patur ne ndonjë kundërshti për këtë. Zero. Kemi patur vetëm një, bazuar në rekomandimin e Venecias, për rrezikun e kapjes politike të sistemit.

Komponenti i tretë ka qenë skema se si do të bëhet organizimi i sistemit, kush duhet t’i emërojë dhe kush t’i kontrollojë. Për këtë kemi patur kundërshtime. Ju kërkuat 3/5 dhe ne 2/5. kjo ishte pika e vetme ku ne nuk ramë dakord. Ky është shqetësimi ynë i vetëm, jo mekanizmat e tjerë. Duhet një konsensus bazuar tek Venecia, tha Halimi.

BRAHO: KU BASHKOHEMI E KU NDAHEMI ME DRAFTIN E SJELLË
Në emër të LSI­-së, deputeti Spartak Braho këmbënguli tek konsensusi, duke theksuar se kush i largohet dialogut dhe konsensusit nuk përfill opinionin e Venecias.

“LSI kërkon vazhdimin e dialogut, ai është mjeti, konsensusi është rruga ku duhet të arrijmë, nuk arrijmë te konsensusi profesional pa dialog, jo konsensus i allishverisheve, jo i pazareve, por profesional, duke vazhduar pa ndërprerje dialogun dhe ai bëhet këtu, në tavolinë jo duke u larguar nga tavolina, unë e ritheksoj edhe njëherë këtë kërkesë dhe nuk kam arsye të mos përshëndes ardhjen e opozitës dhe kam përshtypjen që edhe ata do të vazhdojnë të jenë aktivë në procesin e dialogut”, tha Braho.

Deputeti i LSI-­së, Spartak Braho, mbështeti draftin e paraqitur, por pranoi se forca që përfaqëson ka rezerva për të.

“Ndahemi te sistemi i karrierës, duam qe ai te jete thelbi. Kemi mendim ndryshe për mandatin e institucioneve, riformulim tjetër për zgjedhjen e anëtarëve te Kushtetueses, opsion tjetër për organizimin e Gjykatës se Larte, ajo duhet te jete një dhe e vetme, kemi gjykim tjetër lidhur me organizimin e prokurorisë si një organ te unifikuar. Nuk mund te ketë struktura te tjera qe raportojnë ne Kuvend për sa kohe qe këtë e bën Prokurori i Përgjithshëm dhe duam rritje te rolit aktiv te Ministrit te Drejtësisë”, tha Braho.

MAJKO: REFERENDUM NËSE S’KA KONSENSUS
Në fjalën e tij lidhur me reformën, ish-kryeministri Majko u shpreh se ky proces do kryhet nëpërmjet bashkëpunimit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve shqiptarë. Majko e lidhi rëndësinë e kryerjes së reformës me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke e cilësuar reformën si prioritet kyç. Më tej Majko u shpreh se ne me këtë draft po i drejtohemi Komisionit të Venecias dhe po i tregojmë këtij Komisioni se si dhe sa ne kemi reflektuar mbi kritikat që Komisioni na bëri. “Ne duam një sistem funksional dhe jo kapje të drejtësisë nga politika. Më duhet të falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për kontributin dhe asistimin e dhënë deri tani për kryerjen e reformës. Dhe më duhet të them se ne do i qëndrojmë në mënyrë konseguente këshillimeve të tyre”, tha ai. Në fund Majko lëshoi edhe një mesazh për opozitën ai fillimisht tha se opozita dhe mazhoranca duhet të bien dakord për reformën, në rast se kjo nuk ndodh atëherë do na duhet t’i drejtohemi popullit për referendum, tha ai.

FJALA E PLOTË E MAJKOS
Vlerësoj gjithë këtë punë që është bërë muaj pas muaji nga ekspertiza e huaj dhe ajo shqiptare. Ndryshimet kushtetuese janë temë qendrore. Opozita ka të drejtën si opozitë të shprehë mosbesim. Dëshiroj të nënvizoj edhe në emër të kolegëve të PS, se kemi ardhur me një qëndrim të qartë për të ndryshuar kushtetutën, pronë e gjithë shtetasve dhe konsensusi është temë e diskutimeve tona. Ne do ti qëndrojmë asaj që kemi thënë se këtë proces do ta bëjmë së bashku me ekspertët ndërkombëtarë dhe ata vendas. Ky është një proces delikat, sepse bën fjalë për marrëdhënien e politikës me drejtësinë. Konsensusi shumë i rëndësishëm në këtë diskutim. Do të kem mirëkuptimin e kolegëve se prevalenca përballë konsensusit është edhe integrimi në BE, që lidhet shumë me këtë reformë. Ne jemi duke ecur natyrshëm, të qetë dhe me trajtimin në mënyrë shumë të qartë të vërejtjeve të ekspertëve. Ne po i drejtohemi Venecias për t’u shprehur ajo.

Ekspertët me shumë të drejtë po na propozojnë që ne t’i drejtohemi sërish komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet e bëra prej tyre. Në këtë pikë, unë dhe kolegët do t’i drejtohemi edhe me një reflektim për shumicën e 2/3 apo 3/5. Ne duam një sistem funksional. Nëse diskutojmë për pavarësinë e drejtësisë mirë është të shohim si është sot sistemi i drejtësisë. Ne u detyrohemi një ndjesë publike të gjithë atyre gjyqtarëve që kryejnë detyrën me ndershmëri sipas kushtetutës.

Nga ana tjetër parlamenti nuk po tregohet i njëanshëm por e ka filluar këtë metodologji nga vetja. Dekriminalizimi ka të bëjë me ndërprerje mandatesh. Parlamenti ka filluar nga vetja për ta vazhduar nga sistemi i drejtësisë. Në emër të PS-së falënderoj SHBA dhe BE për ndihmën. Do i qëndrojmë parimeve të reformës që do hapi dyert për në BE.

Në funksion të transparencës ne kemi edhe një rrugë të ndershme, që është shkuarja tek publiku, referendumi. Për të eliminuar çdo lloj skenari për kapje të sistemit. Një parti me 62 vota nuk mund të bëjë pushtetin në Shqipëri.

BYLYKBASHI: NJË PROCES I KEQ, KA PAK SHANSE TË GARANTOJË NJË PRODUKT TË MIRË
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka kritikuar procesin për reformën në drejtësi që sipas tij është tentuar t’i iket opozitës. Bylykbashi tha se mbledhja e sotme duhet të ishte bërë para asaj të ekspertëve.
“Sot është mbledhje e rëndësishme. Kjo mbledhje duhet të ishte bërë me njëherë pas raportit të Komisionit të Venecias. Grupi i ekspertëve është një etnitet që zhvillon punën pranë komisionit. Legjitimitetin e merr nga komisioni. Të 140 burrat dhe gratë do të duhet të ngrenë duart e të votojnë. Shpresojnë të votojnë të 140. Kjo sallë ka parë ndër vite reforma të thella kushtetuese që janë bërë me një metodologji krejt tjetër nga ajo që po funksionon ky komision. Duhej një format që garanton konsensus. Është për të ardhur keq që ne kemi humbur të paktën 6 muaj kohë. E mat nga momenti kur opozita vendosi t’i kthehej procesit. Po flasim sikur ne të kishim vetëm 6 muaj kohë dhe të punonim fort dhe të prodhonim 67 amendamentet kushtetuese ne mund të kishim bërë një mrekulli.
Ajo që është për të ardhur keq, koha e madhe e humbur dhe këtë e thotë Komisioni i Venecias. Ai thotë se shumë gjëra janë bërë mirë, tani po ju them 130 paragrafë që nuk shkojnë. Po ia thotë parlamentit të Shqipërisë, merreni dhe bëjeni punën. Kemi një produkt që duhet ribërë. Kur thotë këtë Komisioni i Venecias ka dy gjëra: Duhen bërë të tëra një akt dhe i kthen palët në nivelin e barabartë për konsensus. Në këtë 6-mujorin e fundit patëm një garë për t’i ikur opozitës çdo ditë.
Një proces i keq ka shumë pak shanse të garantojë një produkt të mirë dhe ka pak shanse që produkti të jetë i mirëpranuar”, deklaroi Bylykbashi.

RISTANI: NË REFERENDUM DUHET Ë MARRIN PJESË 2 MLN ZGJEDHËS, TE NE VOTOJNË 1.5 MLN. LËRINI BALLOT ME MASKA
Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i është përgjigjur qëndrimit të deputetit të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, për idenë e referendumit për reformën në drejtësi. Sipas Ristanit kjo gjë është e pamundur, pasi në referendum duhet të marrin pjesë 1/3 e zgjedhësve të vendit.

“Me këtë ligj që është nuk shkoni dot në referendum, pasi ai kërkon jo më pak se 1/3 e zgjedhësve. Në vendin tonë ka 3.3 milionë zgjedhës, dhe ju e dini që në procesin zgjedhor në vendin tonë marrin pjesë 1.5 milionë zgjedhës. Ndërsa sipas ligjit duhet të marrin pjesë jo më pak se 2 milionë zgjedhës. Pra kjo është e pamundur. Lërini këto maskime dhe ballo me maska.

Gjeni një formulë që mos kapet politikisht sistemi, as nga Rama sot e as nga Basha nesër, dhe dihet që ka mekanizma plot që të mos kapët politikisht drejtësia”, tha Ristani.

XHAFAJ: DUHET DIALOG PËR TË GJETUR NJË KONSENSUS SHUMË MË TË GJERË SE SA KY QË KEMI SOT
Në mbyllje të diskutimit të sotëm rreth draftit të hartuar nga ekspertët e lartë, kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se nga debati veçon dy gjëra: së pari, të gjithë biem dakord dhe shprehim vullnetin politik si ligjvënës se reforma në drejtësi është themelore për procesin e integrimit, por mbi të gjitha për demokracinë në Shqipëri, shtetin e së drejtës dhe qytetarët shqiptarë. Së dyti, biem dakord se projekti që kemi ka një bazament të shëndetshëm, me të cilin të gjithë ndajmë shumë të përbashkëta, por me rezerva, pasi kemi dhe këndvështrime të ndryshme për çështje të veçanta nga pikëpamja e leximit që i është bërë rekomandimeve të Komisionit të Venecias, tha Xhafaj.

Të dyja këto momente vijoi ai, si vullneti politik ashtu dhe pikat e përbashkëta në draft janë një bazament i rëndësishëm që ne do mund të vazhdojmë një dialog për të gjetur një konsensus shumë më të gjerë se sa ky që kemi sot. Pozitive është që kolegët e opozitës trajtuan sot tre çështje themelore që janë në bazamentin e këtij drafti lufta kundër korrupsionit brenda sistemit, eficenca dhe përgjegjshmëria e sistemit në raport me dukuritë korruptive dhe së treti çështja e kapjes politike të sistemit. Dy të parat, tha kreu i komisionit kanë mirëkuptimin e përgjithshëm, por sa i takon së tretës kemi këndvështrime të ndryshme, por dhe për këtë mund të gjejmë emërues të përbashkët.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb