TIRANE- Gjatë vizitës së tij në Tiranë, i derguari i kancelares Angela Merkel deklaroi se “reforma në drejtësi do jetë kyçe në vendimmarrjen për hapjen e negociatave”.

Gjatë një konference për shtyp, sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange, tha se “progresi në reformën e drejtësisë, përshpejtimi i reformave në procesin e drejtësisë është një nga hapat e rëndësishme që do të kenë ndikim në këtë vendimmarrje dhe siç jeni të informuar ky është një vendim unanim që merret nga shefat e qeverive dhe të shteteve”.

“Patjetër që edhe shtete të tjera anëtare do të hedhin vështrimin nga sistemi i drejtësisë të Shqipërisë. Sistemi i drejtësisë është i rëndësishëm edhe për ne, ka një rëndësi të madhe, kjo është arsyeja që unë kam ardhur so”- tha ai.

Lidhur me vendimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Lange tha se: “ne do ta marrim vendimin tonë në kohë, vendim që do merret para mbledhjes së Këshillit Europian. Çështja e zhvillimeve në fushën e drejtësisë do të luajë një rol të rëndësishëm. Sistemi i drejtësisë është çelësi për një zhvillim ekonomik. Një shtet i së drejtës që funksionon është dhe baza për funksionimin e ekonomisë dhe biznesit”.

I pyetur lidhur me deklaratën e zv/kryetarit të Grupit Parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave, Christian Lange tha se “e kam dëgjuar deklaratën e kolegut Wadephul dhe mund t’u them që Gjermania nuk e ka traditë të mbajë qëndrim mbi çështje të politikës së brendshme prandaj edhe kjo gjë më ka surprizuar”.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse çështja Tahiri është pengesë për hapjen e negociatave, ai tha se “nuk është praktikë e zakonshme e Gjermanisë të mbajë qëndrime për politikat e brendshme të shteteve”.

Ai vuri theksin te lufta ndaj korrupsionit, fenomen për të cilin tha se i janë ankuar edhe investitorët gjermanë në Shqipëri.

“Ka ende punë për të bërë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë sidomos në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mban peng te gjitha shtetet demokratike dhe duhet të jetë në qendër të betejës. Ai lufton demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Investitorët gjermanë që takova më sollën në vëmendje që problemi kryesor që kanë është korrupsioni”, shprehet Lange.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: