TIRANE- Presidenti Ilir Meta i ka dhënë sot autorizimin ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatit, për nisjen e negociatave me Greqinë për çështjen detare.

Përmes një njoftimi zyrtar, Meta teksa i jep plotfuqishmërinë Bushatit, i kërkon atij dhe institucioneve të tjera të përfshira në negociata, që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial.

Lëvizja e Presidentit zhbllokon kështu bisedimet mes Tiranës dhe Athinës për një sërë çështjesh në diskutim, ndërsa Bushati ishte në pritje të plotfuqishmërisë për ccështjen detare. Kujtojmë se dje Meta deklaroi në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, se marrëveshja e re për kufirin detar nuk duhet të kalojë “vijën e kuqe”, duke u ndalur tek rrëzimi i marrëveshjes Berisha-Karamanlis në 2009.

Sjellim në vëmendje se ministri Bushati i dërgoi më 12 shkurt një letër presidentit Meta ku i kërkonte plotfuqishmërinë për c çeljen e negociatave, ndërsa ky i fundit zhvilloi një sërë takimesh konsultative me paraardhësit e tij në detyrë, Nishani, Topi, Moisiu, Mejdani dhe Berisha, të cilët i kërkuan që qeveria të bëjë transparente negociatat me palën greke.

NJOFTIMI I PRESIDENCES
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb