TIRANE– Presidenti Ilir Meta i ka dhënë dje autorizimin ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatit, për nisjen e negociatave me Greqinë për çështjen detare.

Përmes një njoftimi zyrtar, Meta teksa i dha plotfuqishmërinë Bushatit, i kërkoi atij dhe institucioneve të tjera të përfshira në negociata, që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial.

Pas këtij autorizimi, ka reaguar dhe vetë ministri Bushati, i cili u shpreh se pa humbur kohë “do të procedojmë me plotfuqinë”.

“Për pak kohë do të nisin bisedimet teknike me palën greke. Jemi të vendosur për marrëveshje të drejtë e të ndershme, Shqipëria është drejt një marrëveshje të re ku nuk duhet të përsëriten gabimet e paktit të vitit 2009. Kohëzgjatja e negociatave ka rëndësi të dorës së dytë. Më shumë rëndësi ka produkti i negociatave,” tha Bushati.  

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb