Nga: Jorgji KOTE

Kështu mund të thuhet pas turit diplomatik dyditor në Bruksel të kryeministrit Rama dhe kryediplomatit Bushati në fillim të kësaj jave. Presidenti i Këshillit, Tusk, i Komisionit Juncker, i Parlamentit Evropian Tajani, Shefja e Politikës së Jashtme Mogherini dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së vlerësuan njëzëri hapat dhe arritjet tona të deritanishme në të gjitha fushat. I njëjti vlerësim u shpreh dhe në dy veprimtari të gjera publike në Bruksel që do thënë se ishin vlerë e shtuar e kësaj vizite. Ndërkohë, ku më shumë e ku më pak, herë hapur e herë midis rreshtave u tërhoq vëmendja dhe ndaj mangësive dhe sfidave jo të pakta. Vetëkuptohet me qasje pozitive dhe inkurajuese, sepse qeveria “Rama 2” sapo ka marrë mandatin e ri.

Natyrisht, për arsye që janë shpjeguar dhe në shkrimin tonë të datës 12 nëntor «Prapë Hapa, pastaj Data», nuk pritej që Brukseli të jepte datë konkrete për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Gjithsesi, këto takime dëshmuan se Shqipëria është shumë pranë këtij objektivi historik. Madje, sipas procedurave të BE-së dhe në pritje të tre aktiviteteve madhore të saj që do të përmenden më poshtë, janë të gjitha gjasat që kjo datë të caktohet qysh në gjysmën e parë të vitit 2018.

Kjo vizitë tregoi përgjegjësinë politike dhe qytetare të kësaj mazhorance për të mbajtur një premtim të kahershëm duke përshpejtuar ritmin e procesit integrues të vendit tonë. E gjitha kjo në një periudhë kur në kontinent dhe në institucionet e BE-së, krahas dukurisë së lodhjes nga zgjerimi, po fryjnë edhe erëra antievropiane, krahas krizave tashmë të njohura.

Gjithashtu, BE-ja është e angazhuar në tratativa intensive me Britaninë e Madhe për realizimin sa më parë të BREXIT. Ndërkohë që Gjermania, Austria, dhe Holanda janë ende në procesin e mundimshëm të krijimit të qeverive funksionale.

Po ashtu, politika dhe diplomacia jonë po shfrytëzojnë me lëvizje proaktive disa veprimtari me rëndësi të BE-së për të ardhmen e rajonit dhe vendit tonë.

Kështu, në janar do të marrë Presidencën e radhës të BE-së Bullgaria, vend fqinj ka kaluar shumë prej problemeve dhe shqetësimeve të vendit tonë e me predispozicion pozitiv ndaj nesh.

Në shkurt 2018, BE-ja do të shpallë strategjinë e saj të re mbi zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, dhe në muajin prill Komisioni Evropian do të bëjë vlerësimin e progresit të vendeve tona; ndërsa në mes të muajit maj, në Sofie do të zhvillohet Samiti i Posaçëm i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në përfundim, samiti i radhës i BE-së në qershor pritet të «vulosë» vendimet e Forumit të lartpërmendur, duke përfshirë dhe çeljen e negociatave me vendin tonë, por gjithnjë në rast se do të plotësohen kushtet dhe kërkesat tashmë të njohura.

Ky moment madhor bëhet më urgjent dhe merr rëndësi të veçantë për vendin tonë, sepse në muajin qershor 2019 do të zhvillohen zgjedhjet e reja për në Parlamentin Evropian në të 27 vendet anëtare të BE-së. Por, procesi i rikonstituimit të tij dhe të institucioneve të BE-së do të përfundojë nga fundi i vitit 2019. Në këto kushte, mosçelja e këtyre negociatave brenda vitit 2018, do të shkaktonte shtyrjen e tyre për në vitin 2020 apo dhe më tej, çka do te ishte dështim historik i gjithë politikës sonë!

Mirëpo, caktimi i kësaj date nga Brukseli, pavarësisht nga vlerësimet pozitive të shprehura edhe gjatë vizitës së lartpërmendur, kërkon nga Tirana zyrtare intensifikimin e ritmit të reformave, bashkë me rezultate të prekshme dhe të matshme në pesë prioritetet e njohura dhe veçanërisht në fushën e vetingut gjatë muajve të ardhshëm deri në maj 2018.

Është përmendur dhe më parë se në përgjithësi, pa përjashtuar ndonjë mangësi, diplomacia jonë e sidomos stafi i vogël, por profesionist i Misionit tonë pranë BE-së në Bruksel i ka kryer më së miri detyrat e veta gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Të vjen vërtet mirë kur dëgjon në kancelaritë evropiane dhe ato belge në Bruksel fjalë dhe vlerësime aq pozitive për përkushtimin dhe kapacitetet profesionale të tij dhe të zonjës Suela Janina, ambasadores kompetente, energjike dhe të kudondodhur, sa në kancelaritë e BE-së aq dhe në veprimtaritë publike. Kush e njeh ose dhe ka punuar në diplomaci e di mirë se sa e vështirë është që të organizosh në Bruksel dhe në një muaj si dhjetori vizita me plot 10 takime e aktivitete të kësaj natyre, me një cilësi, nivel dhe format të tillë të lakmueshëm!

Por si dhe më parë, aq më tepër tani, gjithçka gjatë muajve të ardhshëm, kur do të jemi nën një vëzhgim dhe më të madh nga BE-ja për ato çështje që janë bërë të ditura me shqetësimet përkatëse, përshpejtimi i këtij procesi historik është plotësisht në dorë të politikës sonë, në radhë të parë të mazhorancës, por dhe opozitës, si dhe aktorëve/faktorëve të tjerë. Sepse le ta përsërisim, në BE nuk do të hyjë vetëm mazhoranca dhe diplomacia, por gjithë Shqipëria.

Për këtë qëllim, brenda vendit është jetik rinovimi i konsensusit të plotë politik të mazhorancës me të dy partitë e opozitës, PD dhe LSI. Këto të fundit do të tregonin shenja të emancipimit politik dhe vizion real që krahas oponencës së fuqishme, të ofronin dhe bashkëpunimin e tyre konstruktiv.

Por, dhe mazhoranca nga ana e saj ka vend për të dhënë më shumë hapësirë dhe terren për opozitën, nëpërmjet një qasjeje më dashamirëse dhe tolerante. Aq më tepër që krahas PD, me kusuret, por dhe meritat e veta, tashmë në opozitë është dhe LSI, ish-aleatja që ka kontribuar jo pak në këtë fushë.

Opozita mund të japë argumentet e saj lidhur me mungesat dhe mangësitë e rastit, por jo deri aty sa të kërkojë moshapjen e negociatave. Aq më tepër kur përvoja tregon se sa herë BE na ka hapur dritën jeshile në këtë proces, ka pasur hope cilësore dhe zhvillime pozitive. Veç kësaj, qëndrimet frenuese dhe kundërshtuese, lidhur me këtë aspekt madhor, jo vetëm nuk do të ndihmonin, por përkundrazi do të dëmtonin seriozisht reformimin dhe mbi të gjitha besueshmërinë politike të vetë opozitës.

U ndalëm pak gjatë në këtë pikë, sepse mungesa e dialogut të duhur politik gjatë muajve të ardhshëm mund të kompromentojë procesin dhe të bëhet shkas për vonesa të tjera të pafalshme lidhur me çeljen e negociatave. Me siguri Presidenti i Republikës do të luajë rolin e tij në realizimin e këtij dialogu. Për më tepër si student i dhjetorit evropian, është ndër « pionierët » dhe tashmë protagonisti i nivelit më të lartë të integrimit evropian të vendit tonë.

Lidhur me lobimin përkatës, politika dhe diplomacia jonë, me përvojën e ndjeshme që ka grumbulluar, krahas institucioneve të BE-së, bëjnë mirë që po kujdesen posaçërisht dhe për marrëdhëniet me secilin prej 27 vendeve anëtare të saj. Vërtet që deri tani, siç thuhet, pothuajse asnjë vend anëtar nuk ka shprehur rezerva ndaj nesh, por kjo nuk ka pse të na verë në gjumë. Sepse askush në Tiranë apo dhe në Bruksel nuk mund «të verë dorën në zjarr» lidhur me qëndrimet e tyre të ardhshme; për më tepër kur vendet anëtare do të shprehen zyrtarisht vetëm pasi Komisioni Evropian të dalë me vlerësime dhe propozime një datë konkrete, gjë që shpresohet të ndodhë në gjysmën e parë të vitit 2018.

Në këtë vështrim, krahas politikës së moderuar dhe konstruktive rajonale, bien në sy për mirë dhe disa demarshe të kohëve të fundit me disa vende anëtare të BE-së; veçojmë këtu takimin e nevojshëm dhe të dobishëm të Kretës; me frymën e re pozitive që ka krijuar, vijimi i tij në Tiranë është me ndikim të dukshëm pozitiv në trajtimin e problematikës së njohur me atë vend e për rrjedhojë dhe të integrimit tonë evropian.

Po kështu dhe vizita zyrtare që Kryeministri Rama bëri fill pas takimeve të lartpërmendura në Poloni; vend me një peshë të konsiderueshme, edhe si pjesëtari më i madh i Grupit të Visegradit.

Pjesë përbërëse e lobimit është dhe takti dhe etika gjatë argumentimit të domosdoshmërisë së çeljes së negociatave sidomos me vendet anëtare. Kjo kërkon që në komunikimet me partnerët të përqendrohemi tërësisht në punën dhe arritjet tona, në dinamikën e pesë përparësive të njohura, duke shmangur sidomos në publik referimet/krahasimet me vende të tjera të rajonit; ca më pak duke pretenduar se po na bëhet padrejtësi. Natyrisht ndonjë rezervë dhe mund ta shprehim, por me kujdes dhe në formatin e drejtpërdrejtë dypalësh. Po ashtu, BE-ja, që e njeh shumë më mirë gjendjen e sigurisë rreth saj dhe lëvizjet e aktorëve të tjerë me peshë në rajon, nuk impresionohet e ca më pak të ndikohet nga këto referime si dhe nga përmendja e alternativave të tjera jashtë BE-së nga ana jonë.

Ja pse, sërish «topi është në fushën tonë»; sa më mirë e më shpejt të luajmë atë në Tiranë, me vazhdimin e hapave dhe veprimeve konkrete të deritanishme, aq më të lehtë do ta ketë Brukseli caktimin e datës së shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Burimi: http://www.gsh.al/2017/12/10/negociatat-topi-ende-ne-fushen-tone/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: