TIRANE – Vajzën që ende nuk ka mbushur 5 vjeçe e ka të vetme, por fatkeqësisht me probleme shëndetësore. Natasha N. është me arsim të mesëm, rreth të tridhjetave, e papunë prej vitesh, nuk merr asistencë sociale dhe ka një borxh prej 500 mijë lekësh për energjinë elektrike. Borxh që e ka çuar drejt izolimit në Komisariatin Nr. 3 për 8 orë, së bashku me vajzën e sëmurë, duke shkaktuar skandal. Shoqërimi i saj në polici për energjinë duket se është bërë selektiv, pasi në lagjen ku banon Natasha nuk ka precedentë të tjerë. Natasha aludon se për shkak të një konflikti të vjetër në lagje, dikush i ka orientuar me qëllim, me keqdashje drejt saj, pasi ajo nuk është e vetmja që nuk ka paguar energjinë. “Por nuk e pranoj që kam vjedhur energji, as që kam bërë lidhje të jashtëligjshme. Sahati i dritave ka punuar ndër vite dhe vijon të punojë. Do t’i paguaj sapo të gjej një punë”, – thotë Natasha, teksa flet për gazetën “Panorama”.
“Në datën 30 nëntor, rreth orës 13:00. Isha afër pallatit, duke shoqëruar vajzën që po lozte. Erdhën policët dhe më pyetën: “A je ti Natasha?”. U thashë po. “Atëherë do të vish me ne”, më thanë. I pyeta pse. Më thanë se jam e akuzuar për vjedhjen e energjisë dhe duhet të shkoja me ta në polici. Dakord, u thashë dhe mora vajzën për dore. Policët më thanë që duhet të gjesh dikë për t’i lënë vajzën.”- rrëfen gruaja.

Një ditë më parë Ministria e Brendshme sqaroi arsyet e shoqërimit të vajzës së mitur në komisariat, bashkë me të ëmën.
“Në datë 30 nëntor, në ora 13:00, grupi i punës së OSHEE-së, ka konstatuar një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në rrugën “Jordan Misja” Tiranë, pallati Gener 2, kati 5, pasi në datë 25 nëntor i ishte ndërprerë lidhja me energji për shkak të debisë së krijuar nga mospagimi i faturave në shumën rreth 500 mijë lekë. E dyshuar për vjedhjen e energjisë është shtetësja N.N. dhe këtë arsye është shoqëruar në Komisariat. Ajo me dëshirën e saj i ka kërkuar policisë të marrë me vete fëmijën. Për këtë arsye në ambientet e Komisariatit nr. 3, iu krijua mundësia që të qëndrojë në një ambient të përshtatshëm gjatë kohës së marrjes në pyetje, dhe jo tek dhomat e të shoqëruarve. Ajo sqaroi se kontrata rezulton në emër të bashkëshortit të saj. Shtetësja N.N, pranoi se në datë 30.11.2014 e ka rilidhur vetë në matës energjinë elektrike, të ndërprerë nga OSHEE.”- bën të ditur Ministria e Brendshme.
“Pas konsultimit me Prokuroren, shtetësja N.N u la e lirë, ndërsa materialet proceduriale në ngarkim të saj i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Policia e Tiranës ka shoqëruar me mjetet e saj për në banesë shtetasen N.N. së bashku me fëmijën.”- thuhet në njoftimin e MPB-së.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb