Grevë dhe bojkot deri në ndalimin e projektligjit të Ministrisë së Kulturës për artin. Aktori Neritan Liçaj vjen në një reagim tejet të ashpër në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, sa i takon projektligjit më të ri që Ministria e Kulturës ka hartuar për artin. Pasi thekson se komuniteti artistik nuk është konsultuar dhe nuk i është marrë mendim, aktori i njohur, thotë se ligji i ri i jep shumë pushtet ministres dhe madje i ndalon artistët të kenë aktivitete artistike pa marrë më herët leje në ministri, edhe në rastin kur financimi është tërësisht privat. Ditën e martë, është mbledhur anëtarësia e gjashtë shoqatave kinematografike për të diskutuar lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën””, si dhe projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për riorganizimin e shkollës së lartë jopublike “Marubi…”.

Sipas shoqatave, ligji “Për kinematografinë”, i hartuar dhe miratuar, bazuar në eksperiencat më të mira evropiane, në vitin 1996, ka krijuar skemën më demokratike dhe bashkëkohore të prodhimit të veprave kinematografike, ndaj vlerësohet e papranueshme që sot, në vitin 2018 të bëhen hapa mbrapa dhe të preket themeli i mekanizmit të funksionimit të kinematografisë shqiptare.
Nga ana tjetër, të martën, kineastët shqiptarë kundërshtuan në themel iniciativat e ndërmarra, pasi konstatojnë asgjësimin e parimeve bazë mbi të cilat funksionon kinematografia shqiptare. “Projektvendime të tilla minojnë skemën bazë me të cilën funksionon konkurrimi i lirë dhe përzgjedhja e projekteve – format, i miratuar gjerësisht nga kineastë, i cili gëzon mbështetjen e tyre më të gjerë. Komuniteti i kineastëve shqiptarë shpreh indinjatën legjitime për tentativat e vazhdueshme për të tjetërsuar formën juridike dhe buxhetin e QKK, në favor të interesave dhe të individëve të caktuar”, thuhej në deklaratën e tyre.

Në intervistën e mëposhtme, Liçaj rendit arsyet pse është kundër ndryshimit.
– Pse jeni kundër projektligjit të ri të artit?
Nuk është puna se nuk jemi dakord të ndryshojmë ligjin, absolutisht jo. Unë jam një njeri që kam kërkuar të ndryshojë ligji dhe të bëhet statusi i artistit. Unë kam 15 vite që e kërkoj. Kërkoj që të bëhet një ligj i aplikueshëm. Ministrja Kumabro premtoi 6-mujorin e parë të mandatit të saj të parë, si ministre, të bënte ligjin për artin dhe statusin e artit. Kaloi mandati i saj i parë dhe nuk u bë asgjë. Ia kam kërkuar edhe përmes, mediave të ndryshme, që të mbajë premtimin.
Si duket pas katër vjetësh ministrja paska bërë një ligj absurd, sepse ligji është qesharak, veçse i papranueshëm nga artistët.
Domethënë, ministrja të emërojë gjithçka, as kryeministri të mos pyetet, për drejtorët e teatrove, për bordet e teatrove, për shfaqjet e për gjithçka. Ligji e përqendron të gjithë pushtetin te ministria dhe te ministrja.

– Çfarë ndodh me ketë ndryshim? Ju hiqen të drejta?
Shkon deri në absurdin që, nëse unë dua të bëj një projekt privat, me financime komplet joshtetërore, por tërësisht private, unë duhet të marr leje në ministri e kjo është absurde përveç faktit që i do të gjitha pushtetet vete ministrja.
Ministrja bashkë me kryeministrin, kanë bërë krimin e madh që kanë ndryshuar sistemin e punësimit të artistëve. Që të ndryshosh sistemin e punësimit në një sektor kaq të madh sa është arti duhet të marrësh një vendim qeverie, nga gjithë ministrat. Ose një botim nga parlamenti.
Këta nuk e kanë bërë dhe ne tani kemi kontrata të paligjshme.
Po ta çojmë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, ne i dërrmojmë ata.
Imagjino që përpiqen t’ua hedhin nëpunësve të vet. Harrojnë se ne jemi artistët e Shqipërisë, nuk jemi as të tij, as të Saliut, as të Lulit, as të Ilirit, të askujt. Ne i shërbejmë kulturës së kombit. Kjo gjë, çështja nuk lihet me kaq. Reagimi ka për të qenë shumë i fortë, thjesht po i shkurtojnë ditët vetes.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2018/02/08/neritan-licaj-greve-dhe-bojkot-te-shfaqjeve-kunder-projektligjit-te-kumbaros/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb