Nga: Brikena Metaj*

KONICË- Kriza e refugjatëve sirianë po afrohet gjithnjë e më shumë në kufirin shqiptar. Vetëm pak më shumë se 100 km larg Gjirokastrës dhe shumë pranë kufirit shqiptar, në fshatin Konicë, në Greqi, janë strehuar më shumë se 160 refugjatë sirianë të ardhur prej mijëra refugjatëve të grumbulluar në Portin e Pireut. News 24 niset për të parë nga afër gjendjen e këtyre refugjatëve.

‘Rama “malaga” hap kufijtë’, kështu thonë grekët duke kërkuar që hapja e kufijve të bëjë që refugjatët të shkojnë drejt vendeve të tjera europiane. Në një ditë të ftohtë e të lagësht ne udhëtojmë drejt Konicës, aty ku refugjatët gjenden të strehuar në Qendrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, një godinë e madhe në varësi të Ministrisë së Punës Greke. Prej së largu i shohim një pjesë të tyre ndërsa kanë dalë në oborr grupe – grupe, por që largohen sapo shohin kamerat të afrohen. Ndoshta të zhgënjyer nga pasqyrimi mediatik, ndoshta të pashpresë se diçka mund të ndryshojë nëse historia e ndonjërit prej tyre, që është historia e përbashkët e gjisecilit prej këtyre refugjatëve, bëhet publike. Ata preferojnë të heshtin.

Heshtja dhe mungesa e informacionit na shoqëron edhe në takimin me përfaqësues të kësaj qendre që nuk pranojnë kamerat në brendësi të qendrës e duke mos pranuar të pronocohen në kamera mbi situatën ne këtë kamp të ri të improvizuar. “Është ende shumë herët për të folur. Kjo është vetëm dita e parë. Nuk kemi ç’të themi, nuk dimë asgjë çfarë do të bëhet” – pohojnë ata ndërsa na tregojnë murin rrethues prej nga mundemi të filmojmë.

Njerëz të të gjitha moshave, profesioneve, mësues, studentë, gjimnazistë, fëmijë të vegjël që mbledhin lule apo luajnë në krahët e prindërve, kanë lënë pas jetët e tyre të prera në mes, kujtimet e një jete që tashmë ndodhet nën rrënojat e luftës disavjeçare dhe një komb i tërë në arrati.

Një nënë e re kërkon dëshpërimisht të bashkohet me të birin në Gjermani. “Kërkoj dikë të më ndihmojë. Jemi të pashprëse. Kam një djalë dhe ndodhet në Gjermani i vetëm. Ka 6 muaj që nuk e shoh. Jam shumë e lodhur, erdha këtu nga deti dhe është gjithçka shumë e vështirë. Do doja të ishte dikush që të më ndihmonte, por askush nuk do t’ja dijë. U largova nga Siria para 6 muajsh dhe duke fjetur nëpër çadra nga Turqia erdhëm këtu. Këtu na kanë prituar mirë, por këtu ka shumë njerëz e fëmijë që janë të lodhur e nuk mund të flejnë. Unë desha një dhomë për mua dhe miqtë e mi me fëmijët e tyre, por nuk ka”, thotë ajo.

Trishtimi, vuajtja, nëpërkëmbja e një jete që po endet dyerve të botës reflektohet në sytë e çdo refugjati. Por pavarësisht kësaj, të gjithë ata janë gati të sakrifikojnë gjithçka për të arritur qëllimin final. Pothujase të gjithë refugjatët e intervistuar dhe kontaktuar nga kamera e News 24 pohojnë se kanë si destinacion Gjermaninë. E ndërsa ka prej tyre që ankohen për kushtet në këtë qendër, të tjerë shprehen të kënaqur, por askush prej tyre nuk di të thotë se ku do të shkojnë pas përfundimit të kohëqëndrimit në këtë qendër, që mësohet se mund të jetë për vetëm 15 ditë.

Do kalonit nga Shipëria për në Gjermani?

“Kudo nga çdo vend, mjafton t’i bashkohem djalit tim në Gjermani”

“Jemi të kënaqur me kushtet këtu dhe njerëzit sillen shumë mirë me ne. Na kanë thënë që do të qëndrojmë këtu rreth 15 ditë, por më pas nuk dimë se çdo të bëhet. Askush nuk na ka thënë asgjë”.

E njihni Shiqipërinë, keni dëgjuar më parë për të?
“Jo askush nuk na ka thënë gjë për Shqipërinë. E dimë që është vendi i afërt me Konicën ku ndodhemi aktualisht, por nuk dimë nëse mund të shkojmë atje”.

A mendoni se mund të kaloni kufijtë drejt Shqipërisë?
Ndoshta?

Po nëse Shqipëria mbyll kufijtë, çfarë do të bëni?
“Asgjë, vetëm do presim nuk kemi zgjidhje tjetër”

A e shikoni si mundësi kthimin në Siri?
“Jo kurrë, në asnjë mënyrë”

Po çfarë do bëni do qëndroni këtu përgjithmonë?
“Do presim edhe mbi një muaj, jemi gati të bëjmë gjithçka? Unë dua të shkoj në Gjërmani pasi atje kam dhe vëllanë”

Cfarë profesioni ushtronit në Siri?
“Mësues”

E qetë paraqitet situata edhe në Konicë, aty ku jeta vazhdon rrjedhën e vet normale. Të rinjtë që festojnë karnavalet, ndërsa prindërit e tyre çojnë në qendrën e refugjatëve ushqime e veshmbathje. Refugjatët janë kryefjala e ditës sot në Konicë, por ata janë bërë pjesë e përditshmërisë së këtij fshati po me aq lehtësi e shpejtësi sa u mirëpritën prej tyre. Refugjatët sirianë i gjen kudo nëpër rrugët e Konicës teksa bëjnë pazar apo thjesht shëtisin.

Lajmi për një grup xhirimi shqiptar u përhap shpejt në Konicë. Banorët tregohen të gatshëm të ndihmojnë për gjithçka i pyesim, përveç se të dalin në kamera. Për këtë të fundit tregohen tepër të rezervuar edhe pse, jo pak prej tyre, kuptojnë e flasin shqip ndonëse nuk e pranojnë. Por ajo që ata nuk ngurrojnë të thonë është fakti se refugjatët i kanë mirëpritur si dikur shqiptarët, që sot po mbyllin kufijtë për këta refugjatë, sjellje sipas banorëve të Konicës e papranueshme.

“Ata janë njerëz të varfër duhet t’i ndihmojmë. Ju shqiptarët e harruat si u sollën italianët me ju që ju mbytën në det. Kurse në grekët kujdesemi për ta.”

“Kur ju shqiptarët erdhët mbi 1 milion refugjatë në Greqi, ne nuk ju përzumë, tani ju mendoni se ne nuk duhet të kujdesimi për këta? Pse mos ta bëjmë? Keq po veprojmë ne? Po Shqipëria pse nuk i hap kufijtë? Ai Edi Rama i poshtri ….Kur ju shqiptarët erdhët në Greqi të gjithë grekët ju pranuan.”

Por a duhet Shqipëria t’i hapë kufijtë? A është ajo një rrugëkalim për këta refugjatë dhe si do të sillen ata nëse kufijtë shqiptarë mbeten të mbyllur? Të gjitha këtyre pyetjeve, refugjatët sirianë u përgjigjen me pak fjalë. Disa kanë vështirësinë e gjuhës, të tjerë mungesën e informacionit.

Këta janë vetëm refugjatët e parë kaq pranë kufirit me Shqipërinë, të tjerë ndoshta do të vinë duke u afruar përherë e më shumë kufirit shqiptar, tashmë si e vetmja rrugëkalimi drejt vendeve të BE. Askush nuk di të thotë për momentin se si do të vazhdojë rrugëtimi i tyre që ata nuk kanë ndërmend ta ndërpresin. Afrimi i tyre kaq pranë kufirit me Shqipërinë ka nxitur edhe angazhimin e policisë shqiptare për të përforcuar kontrollin e kufijve. Vetëm pak orë pas mbërritjes së refugjatëve në Konicë, në kufirin jeshil në Kakavije oficerë shqiptarë dhe italianë kanë bërë patrullime nga ajri, ndërsa ende nuk shihet asnjë masë konkrete për sigurimin e godinave të përshtatshme për akomodim të refugjatëve në rast fluksi të tyre në Shqipëri. Të gjendur në udhëkryq më sytë nga e gjithë bota, refugjatët sirianë, por jo vetëm, presin që dikush të marrë në dorë fatet e tyre e t’i ndihmojnë të nisin një jetë më tç mirë nga ajo që i detyroi të marrin arratinë nga vendi i tyre Siria.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: