Futbollisti brazilian i Barcelonës, Neymar, sipas studimit të “CIES” është lojtari me vlerën më të madhe në tregun e transferimeve. “CIES” është observatory i futbollit i cili studion vlerën e lojtarëve bazuar edhe te të dhënat e “Transfermarket”.

Sipas “CIES”, Neymar është në krye të listës së futbollistëve më të vlefshëm në botën e futbollit, me 246.8 milionë euro, i ndjekur nga argjentinasi Messi me 170.5 milionë. Ky i fundit, së bashku me Cristiano Ronaldon, janë të vetmit lojtarë mbi 25 vjeç të përfshirë mes 10 futbollistëve me vlerën më të lartë në merkato, me portugezin që ndodhet në vendin e 7, me 126.5 mln euro.

Podiumi i këtij klasifikimi plotësohet nga Paul Pogba, me një vlerë prej 155.3 milionë euro. Pas francezit pozicionohen dy futbollistë të tjerë që janë pjesë e La Ligës, Antoine Griezmann në vendin e katërt dhe Luis Suarez në të pestin.

Listën e 10 futbollistëve me vlerën më të lartë në merkato e mbyllin Dybala i Juventusit, Dele Alli i Tottenhamit dhe Eden Hazard i Chelseat.

Në listën e 100 lojtarëve më të vlefshëm janë edhe dy futbollistë shqiptarë, ndonëse asnjë prej tyre nuk vesh fanellën kuqezi të përfaqësueses. Të dy luajnë në kampionatin anglez dhe janë pjesë e Arsenalit, Shkodran Mustafi dhe Granit Xhaka.

Sipas CIES, Shkodran Mustafi ka vlerën 60,5 milionë euro dhe mban vendin e 40 në këtë renditje të veçantë. Për Xhakën, vetëm vendi i 63-të, me një vlerë të kartonit të tij që përllogaritet në 46 milionë euro.

“CIES” tregon se kriteri kryesor i këtij studimi ishtë rendimenti i lojtarëve por edhe mosha e tyre.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb