Të shkarkuar, të larguar vetë përpara se t’u prisnin biletën, por edhe mes akuzave apo polemikave me vetë kreun e institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka. Historia e këtij të fundit me trajnerët e huaj nisi keq. Në vitin 2002, kur mori dhe drejtimin e FSHF-së, Duka emëroi italianin Xhuzepe Dosena, i cili debutoi me një barazim ndaj Zvicrës në “Qemal Stafa”. Pas pak muajsh nga emërimi, italiani u largua në mënyrë misterioze, duke lënë të shtangur në atë periudhë presidentin e FSHF-së. Dosena nuk e përtypi dot mentalitetin që ekzistonte në ekipin kombëtar dhe u dorëhoq pas humbjes 4-1 në Rusi, duke mos qëndruar as tre muaj si trajner i Shqipërisë. Dosena zgjodhi të vazhdonte karrierën në një klub arab.

Më pas, Duka zgjodhi një gjerman, pikërisht Hans Peter Brigel, që shumë shpejt fitoi zemrat e tifozëve shqiptarë, duke debutuar me një fitore historike ndaj Rusisë 3-1 në Shkodër, për të vijuar më pas me triumfin kundër Greqisë kampione Europë më 4 shtator të vitit 2004 në Tiranë. Pas tri vitesh në krye të kuqezinjve, kur pritej të rinovonte marrëveshjen me FSHF-në, gjermani u largua mes polemikave, duke akuzuar në atë kohë zv.presidentët e FSHF-së, Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri, se i kishin ndryshuar në momentet e fundit parametrat e kontratës së re. Pas Brigelit, radhën për të drejtuar Shqipërinë e kishte një emër i njohur i trajningut si Oto Bariç, që kishte drejtuar Kombëtare si Kroacia dhe Austria. “Plakushi” kroat u përshtat shpejt dhe arriti disa rezultate pozitive, por në fundin e kualifikueseve për Europianin 2008, Shqipëria humbi turpshëm në Rumani me shifrat 6-1.

Menjëherë pas kësaj ndeshjeje, kroati dha dorëheqjen dhe plasi “bombën” për mediat. “E lakmova Shqipërinë, por shumë shpejt pashë se atje nuk mund të ecej përpara. Një gjë e tillë u dëshmua në ndeshjen e fundit në Rumani, kur dy lojtarë kishin manipuluar ndeshjen. Është shumë për të qeshur, që një ekip kombëtar, në tetë takime humb me një apo dy gola, ndërsa nga Rumania pëson gjashtë”.
Pas largimit të Bariç, Duka i besoi holandezit Ari Han, por edhe ky nuk e pati të gjatë, pavarësisht se mori një barazim historik për kohën në Portugali. “I kërkova presidentit të mos qëndronte me lojtarët e vjetër, pasi nuk ishin më në planet e mia, por ai mbeti duke i përqafuar çdo grumbullim”, pat thënë Han, i cili në fakt u shkarkua nga Duka pas një humbjeje 3-0 në Danimarkë. Han qëndroi vetëm 14 muaj në krye të kuqezinjve.

Ndërkohë, fatin e holandezit pati edhe i ndjeri Josip Kuzhe, i cili drejtoi për dy vite Kombëtaren dhe u shkarkua nga presidenti pas humbjes 2-1 në Luksemburg. Pas kroatit, më 14 dhjetor të vitit 2011, FSHF i besoi italianit Xhani De Biazi, që rezulton trajneri më i suksesshëm i historisë së Shqipërisë, duke qëndruar në krye të pankinës për plot gjashtë vite radhazi./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: