Me siguri keni lexuar nëpër artikuj të ndryshëm që mosmarrja mjaftueshëm e vitaminës D mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të një sërë sëmundjesh. Është e rëndësishme t’i lexoni këta artikuj me kujdes, duke qenë se mund të ketë shpjegime të ndryshme për lidhjen e mungesës së vitaminës D me sëmundjet.

Studimet lidhur me vitaminën D vazhdojnë akoma, dhe mund të sigurojnë të dhëna më të sakta nëse suplementet e vitaminës D mund të ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe sëmundjeve të tjera kronike, shkruan “shëndeti”.

Nga depresioni deri tek kanceri, shumë sëmundje lidhen edhe me mungesën e vitaminës D. Megjithatë, mos përhapni menjëherë panik dhe filloni të pini ilaçe, por konsultohuni fillimisht me mjekun për t’u siguruar nëse po merrni lëndët ushqyese të nevojshme.

Obeziteti
Burrat, gratë dhe fëmijët obezë janë 35% më të rrezikuar që të kenë mungesë të vitaminës D krahasuar me njerëzit e tjerë me peshë normale, dhe 24% më të rrezikuar se njerëzit mbipeshë, sipas një studimi afatgjatë të kryer në vitin 2015.

Shpjegimi që japin shkencëtarët: Obeziteti pengon trupin të përdor vitaminën D si nga rrezet e diellit ashtu edhe nga burimet ushqimore, duke qenë se grumbullohet tek qelizat dhjamore dhe nuk përthithet siç duhet në të gjithë trupin. Thënë ndryshe: Obeziteti e përkeqëson mungesën e vitaminës D.

Diabeti
Sipas një studimi spanjoll të publikuar në vitin 2015, njerëzit që vuajnë nga diabeti dhe prediabeti kanë nivele më të ulëta të vitaminës D krahasuar me ata me nivele normale të sheqerit në gjak. Si njerëzit e dobët ashtu edhe ata obezë që vuajnë nga diabeti kanë nivele më të ulëta të vitaminës D. Megjithatë, shkencëtarët mendojnë se mungesa e vitaminës D dhe obeziteti së bashku mund të rrisin rrezikun e diabetit dhe çrregullimeve të tjera metabolike.

Sëmundjet e zemrës
Sëmundjet e zemrës dhe mungesa e vitaminës D lidhen me njëra-tjetrën; një studim i vitit 2009 ka zbuluar se njerëzit me nivele jashtëzakonisht të ulëta të vitaminës D janë 3 herë më të rrezikuar të vdesin nga ataku në zemër dhe 5 herë më të rrezikuar të kenë një vdekje të papritur kardiake.

Gjithsesi, ekspertët thonë se nuk ka të dhëna që vërtetojnë për një lidhje direkte mes niveleve të larta të vitaminës D dhe uljes së rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, prandaj është shumë herë për të thënë që nëse merrni suplemente mund të përmirësoni shëndetin e zemrës.

Lupusi
Lupusi, një sëmundje inflamatore kronike ku sistemi imunitar sulmon vetë organet dhe indet në trup, lidhet shpesh me mungesën e vitaminës D – duke qenë se pacientët që vuajnë nga lupusi shpesh këshillohen që të qëndrojnë në diell (90% të dozës ditore të vitaminës D ne e marrim nga rrezet e diellit).

Skleroza e shumëfishtë
Në vitin 2013, një ekip shkencëtarësh analizuan të dhënat e gati 500 pacientëve që ishin në fazat e para të zhvillimit të sklerozës së shumëfishtë, një sëmundje autoimunitare që prek sistemin nervor qendror. Në fund të studimit, shkencëtarët vunë re se nivelet e larta të vitaminës D të matura në fillim të shfaqjes së simptomave (dhe pas 6, 12 dhe 14 muajsh) ngadalësuan përkeqësimin e sëmundjes. Pacientët me nivele të larta të vitaminës D kishin më pak dëmtime në tru dhe më pak probleme në të lëvizur se ata me nivele të ulëta të vitaminës D.

Sëmundjet inflamatore të zorrës
Mungesat e vitaminave dhe mineraleve, përfshirë edhe mungesa e vitaminës D, janë shumë të zakonshme tek njerëzit me probleme gastrointestinale. Pacientët që vuajnë nga koliti ulceroz kronik, një lloj i sëmundjeve inflamatore të zorrës, sidomos ata që marrin edhe ilaçe, kanë shpesh mungesë të vitaminës D. Shkencëtarët mendojnë se mungesa në vitamina luan rol jo vetëm në rritjen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve inflamatore të zorrës, por edhe në përkeqësimin e simptomave.

Alopecia dhe rënia e flokëve
Gratë që vuajnë nga rënia e flokëve kanë nivele shumë të ulëta të vitaminës D. Kjo vitaminë është shumë e rëndësishme që rritja e flokëve të kalojë në të gjitha ciklet. Vitamina D madje mund të ndihmojë jo vetëm në parandalimin e rënies së flokëve, por kalimin nga një fazë e rënies në fazën e rritjes. Hulumtuesit shkencorë francezë kanë zbuluar se pacientët që vuajnë nga alopecia areata, një sëmundje autoimunitare që sulmon folikulat dhe shkakton rënie të qimeve në të gjithë trupin, kanë nivele shumë të ulëta të vitaminës D se njerëzit që nuk vuajnë nga kjo gjendje. Sa më të ulëta të jenë nivelet e vitaminës D, aq më shumë përkeqësohet sëmundja.

Astma
Sipas një studimi të kryer nga një grup shkencëtarësh nga Izraeli, personat që vuajnë nga astma dhe kanë nivele të ulëta të vitaminës D janë 25% më të rrezikuar që të përjetojnë sulme akute dhe duhet të vizitohen më shpesh tek mjeku. Autorët e studimit thonë se studimi i tyre mbështet rëndësinë e vitaminës D për personat që vuajnë nga astma, ku këta të fundit mund të marrin edhe suplemente nëse është e nevojshme për përmirësimin e gjendjes.

Ekzema
Studimet sugjerojnë se fëmijët që vuajnë nga dermatiti atopik, një lloj i ekzemës, shfaqin simptoma të shpeshta që ulin nivelet e vitaminës D. Simptomat e ekzemës gjithashtu përkeqësohen më shumë gjatë dimrit dhe kur ajri është i thatë dhe nuk marrin mjaftueshëm rreze dielli (burimi kryesor i vitaminës D. Përdorimi i suplementeve të vitaminës D mund të ndihmojë në përmirësimin e ekzemës.

Sëmundjet e mishrave të dhëmbëve
Vitamina e diellit ka një rol kyç në mbrojtjen e dhëmbëve ndërsa kalon mosha. Gjatë një studimi, të moshuarit që morën 700 IU vitaminë D (së bashku me kalcium) çdo ditë për 3 vjet ishin më pak të rrezikuar që t’ju prisheshin dhëmbët, madje edhe 2 vite pasi ndaluan së marri suplemente. Shkencëtarët thonë gjithashtu se ka të dhëna që tregojnë se mungesa e vitaminës D është një faktor rreziku për mishrat e dhëmbëve, dhe mund të përkeqësojë problemet dentare.

Alcajmeri dhe demenca
Studimet i kanë lidhur nivelet e vitaminës D me anomali në strukturën e trurit, rënie të aftësisë njohëse dhe demencën. Gjatë një studimi të fundit, i publikuar tek revista “JAMA Neurology”, ku u matën çdo vit nivelet e vitaminës D tek një grup të moshuarish dhe u kontrolluan për funksionin njohës, shkencëtarët zbuluan se nivelet e ulëta të vitaminës D lidheshin me një rënie të menjëhershme të aftësisë njohëse. Vazhdojnë të bëhen akoma studime për të përcaktuar nëse suplementet mund të ofrojnë ose jo shpresë për parandalimin dhe trajtimin e këtyre problemeve me kujtesën.

Depresioni
Sipas një studimi të kryer në vitin 2015, studentet të cilat kishin nivele të ulëta të vitaminës D ishin më të rrezikuara që të shfaqnin simptoma të diabetit. Një analizë tjetër që i është bërë më shumë se 31 mijë subjekteve kërkimore gjithashtu ka zbuluar të njëjtën lidhje. Shkencëtarët shpresojnë që suplementet e vitaminës D të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të depresionit.

Infeksionet e traktit urinar
Vitamina D parandalon infeksionet duke ndihmuar trupin të prodhojë antibiotikët e vetë natyralë. Një studim i fundit ka zbuluar se mungesa e vitaminës D është një faktor rreziku për infeksionet e traktit urinar tek fëmijët, sidomos vajzat. Është pak shpejt ta quajmë vitaminën D zëvendësuesin më të mirë të lëngut të boronicave të kuqe, megjithatë nivelet e ulëta lidhen me infeksionet urinare edhe tek të rriturit gjithashtu; një studim tjetër ka zbuluar se gratë.

Probleme me të folurin tek foshnja
Gratë që kanë nivele të ulëta të vitaminës D gjatë shtatzënisë janë gati dyfish më të rrezikuara që të lindin një fëmijë me shenja të problemeve në të folur, sipas një studimi australian të publikuar tek revista “Pediatrics”. Rezultatet e studimit nuk vërtetojnë se këto probleme shkaktohen si pasojë e vitaminës D, megjithatë theksojnë rëndësinë e saj në zhvillimin mendor të fetusit. Shkencëtarët mendojnë se ka mundësi që suplementet e vitaminës D mund të ulin rrezikun e zhvillimit të problemeve me të folurin tek fëmijët.

Lindjet e parakohshme
Pas një analize të të dhënave të 2000 grave shtatzëna, shkencëtarët zbuluan se nënat të cilat kishin nivele të larta të treguesit 25-hydroxy të vitaminës D në trup (që matet me një analizë gjaku) janë më pak të rrezikuara që të lindin para javës së 37-të. Autorët e këtij studimi sugjerojnë se vitamina D mund të ketë një efekt mbrojtës duke parandaluar infeksionet bakteriale në placentë, që shkaktojnë lindje të parakohshme. Në një studim tjetër, hulumtuesit shkencorë që analizuan të dhënat nga projekti “Collaborative Perinatal” (një studim i kryer tek më shumë se 42 mijë gra), raportuan se tek nënat me ngjyrë, përqendrimi i lartë i treguesit 25-hydroxy D lidhej me një rrezik më të ulët për lindjen para kohe të foshnjës.

Prishje të dhëmbëve të foshnjave dhe fëmijëve
Vitamina D është shumë e rëndësishme si për shëndetin tonë oral ashtu edhe zhvillimin e dhëmbëve – një tjetër arsye përse duhet të kini kujdes gjatë shtatzënisë.

Gjatë një studimi të publikuar tek revista “Pediatrics” u matën nivelet e vitaminës D tek gratë shtatzëna, më pas u kontrolluan dhëmbët e bebeve në moshën 1 vjeç. Shkencëtarët zbuluan se nënat e fëmijëve që kishin probleme me dhëmbët kishin pasur nivele më të ulëta të vitaminës D gjatë shtatzënisë, krahasuar me nënat e fëmijëve me dhëmbë të shëndetshëm.

Kanceri kolorektal
Që ekziston një lidhje mes vitaminës D dhe rrezikut për kancer shkencëtarët e kanë ditur që nga vitet 1940, kur një shkencëtar nga Kolegji Mjekësor i Virgjinias tregoi për një lidhje mes lirisë (që parashikon ekspozimin tonë në diell, burimi kryesor i vitaminës D) dhe vdekjes nga kanceri.

Së fundmi, një analizë që i është bërë më shumë se 1 milion subjekteve studimore ka zbuluar se nivelet e larta të vitaminës D lidhen me një rrezik më të ulët për zhvillimin e kancerit kolorektal. Nga ana tjetër, një eksperiment klinik i kryer në vitin 2006 si pjesë e Iniciativës së Shëndetit të Gruas zbuloi se gratë që marrin suplemente të kalciumit dhe vitaminës D për rreth 7 vite nuk janë më pak të rrezikuara nga kanceri kolorektal se gratë e tjera. Gjithsesi, duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore për të vërtetuar këto rezultate.

Kanceri i gjirit
Disa të dhëna të fundit sugjerojnë për një lidhje mes niveleve të larta të vitaminës D dhe rrezikut më të ulët për zhvillimin e kancerit të gjirit: një analizë afatgjate, për shembull, ka zbuluar se një rritje e vogël në nivelet e vitaminës D mund të ulë rrezikun me 12% për gratë që kanë hyrë në fazën e menopauzës.

Aktualisht po kryhet një studim shumë i rëndësishëm në lidhje me efektet e dozave të larta të vitaminës D si tek sëmundjet e zemrës ashtu edhe kanceri; rezultatet e këtij studimi mund të sigurojnë përgjigje më të sakta nëse vitamina D ndikon në rrezikun e zhvillimit të këtyre sëmundjeve.

Kanceri i pankreasit
Njerëzit me nivele të larta të vitaminës D janë 33% më pak të rrezikuar që të zhvillojnë kancer të pankreasit se ata me nivele të ulëta, sipas një studimi 20-vjeçar i kryer tek më shumë se 120 mijë njerëz nga hulumtuesit shkencore nga Brighami dhe Spitali i Grave në Masaçustes.

Kanceri i prostatës
Një studim i vitit 2014 ka zbuluar se nivelet e ulëta të vitaminës D lidhen me një rrezik më të madh për zhvillimin e kancerit të prostatës. Një studim tjetër nga Universiteti Mjekësor i Karolinës së Jugut ka zbuluar se pasi pacientët me kancer të prostatës morën 4,000 IU vitaminë D çdo ditë për 60 ditë, 60% e tyre shfaqën përmirësim të gjendjes.

Osteoporoza
Trupi ka nevojë për vitaminën D që të përthithë më mirë kalciumin dhe për zhvillimin dhe forcimin e kockave. Më shumë se 50% e grave të trajtuara për humbje të masës kockore kanë rezultuar që kanë nivele të pamjaftueshme të vitaminës D. Fondacioni Kombëtar i Osteoporozës rekomandon që moshat nën 50 vjeç të marrin 400 deri 800 IU vitaminë D çdo ditë, ndërsa ata mbi 50 vjeç të marrin 800 deri 1,000 IU vitaminë D (rreziku për zhvillimin e osteoporozës rritet me moshën).

Disfunksioni erektil (impotencë seksuale)
Meshkujt që kanë mungesë të vitaminës D janë 32% më të rrezikuar që të vuajnë nga disfunksioni erektil krahasuar me ata me nivele të larta, sipas një studimi të prezantuar në vitin 2015 tek takimi vjetor i Shoqatës Amerikane të Zemrës. Autorët e studimit thonë se rezultatet tregojnë për ndikimin që vitamina D ka në funksionin vaskular, përfshirë edhe qarkullimin e gjakut në organet gjenitale. Nëse studime të tjera do ta vërtetonin këtë lidhje, atëherë matja e niveleve të vitaminës D mund të shërbejë si mjet për të përcaktuar rrezikun e zhvillimit të disfunksionit erektil – dhe rritja e niveleve të vitaminës D mund të ndihmojë ndonjë ditë për trajtimin e kësaj sëmundjeje./shendeti/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: