Federata Italiane e futbollit njoftoi sot se nga e hëna do të jenë në shitje biletat për takimin Itali-Shqipëri, e cila luhet me 14-të mars e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”.

Takimi do të luhet në qytetin e Palermos, saktësisht në stadiumin “Renzo Barbera” me një kapacitet prej rreth 36 mijë vendesh. Sipas rregullave të përcaktuar nga FIFA, skuadrës mike I jepen vetëm 5% të biletave, që i bie afërsisht rreth 2 mijë vende që do të akomodohen në tribunën jugore të stadiumit.

Një biletë në këtë sector kushton 12 euro dhe mund të blihet në qindra pika në të gjithë Italinë si dhe Online.

Pavarësisht se në dispozicion janë pak bileta për tifozërinë kuqezi që pritet të jetë e shumtë në këtë sfidë, natyrisht që shumë shtetas shqiptarë që zotërojnë një dokument italian mund të jenë të “inflirtruar” në tribunat e tjera të stadiumit.

Bileta më e shtrejtë për këtë sfidë kushton 60 euro. Kjo ndeshje është tepër e rëndësishme për ecurinë e Shqipërisë pasi vendos shumë për objektivat që janë vendosur në fillim të këtyre eliminatore.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb