NGA: Granit Perzhita
Sot ishte një nga ato ditët që fryma të merrej çdo sekondë, dhe çdo sekondë të dukej si një muaj. E kisha të pamundur dje të flija, të vija sadopak gjumë në sy se kudo më shfaqej një buzëqeshje e jotja nga ato që na “dhuroje” pa instikt në ekranin e vogël të një shtëpie gjigande siç ishte ajo e Big-ut. E sikur t’a dija vehten time se nuk do flija, e nuk do mundja të qetësoja shpirtin se mendoja që paralelisht të vajtonin në shtëpinë tënde në qytetin e lindjes, vendosa të rizgjoj për të parën herë për të zhdukur pakëz dhimbjen, duke parë video të tuat Adela në Youtube.

Çtë shihja, çfarë vështroja. Vajza që ndoshta nga të paktat që goja nuk i merrej në transmetim live. Vajza që fliste një herë, dhe vetëm një herë. Sikur t’a kishte parashikuar atë që do të thonte. Çtë shihja Adela, çtë shihja! I vogël në moshë, i apasionuar pas masmedias në Shqipëri, isha akoma në fazën e “ëndrrës” për ktë sferë, por ndoshta kur pashë tek ty shpirtin e fortë të nsimave të reja, dhe eksperiencave të zellshme që ti i kërkoje me kaq ngulm atëherë mora zemër edhe unë. Që nga ekrani i Top-it, që nga ekrani i Vizion-it, që nga ekrani i RTVSH-së, që nga ekrani i News24-ës. Që nga çdo ekran që ti, Adelajda Xhamani dilje dhe na jepje “shpresë” ne të rinjve që aspirojmë gazetarinë sot në 2017-ën. Nuk jam vetëm unë. Nuk isha vetëm unë! Janë sa e sa të rinj Adela që ti, ti vajza njëzetëvjeçare ju dhe jetë, ju dhe frymë nga ai ekran i Big Brother Albania për të çuar ëndrrën e tyre deri në fund. Ti ndoshta nuk e di ktë gjë, por ne e dimë, dhe e ndjejmë dashamirësinë ndaj teje. Një njeri me shpirt të bukur si ti, me zemër të bardhë që ka pompuar veç gjak të pastër në venat e saj nuk kish’ rrugëzgjidhje tjetër veçse të kthehej në “helmim” për ditën tënde të ikjes.

Ti tani ke ikur. Duam ne, duan ata, duan ato, e mijëra të tjerë ti përsëri ke ikur! Më kujtohet një thenie e italianëve për vdekjet e parakohëshme që thonë se “ai ose ajo ka ikur me pushime por përsëri do të kthehet”. Si e si për të “mbytur” sadopak dhimbjen që na ka pushtuar zemrat, mendjen, dhe trupin. Ike shpejt Adelajda, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kujtohesh për gamën që i shtove mentalitetit meskin shqiptar.

Atij i dhe shpresë për një vend më të përparuar, i dhe një gazetari më të pastër në këndvështrimin tënd, i dhe buzëqeshje jetëve të një Shqipërie të tërë kur e kishte kapluar stresi, varfëria dhe mërzitja. E pafund gjëra të tjera Adela që sot ti nuk ke mundësi që ti dëgjosh! Por sërish ne do të kujtojmë. Ndoshta nesër do të jem një person me emër, një gazetar i famshëm, një moderator i mirë, ose kushdo, por një gjë e kam të sigurtë. Nuk do e heq asnjëherë nga sytë rrëzëllimën e pozitivitetit që tejçoje ti, dhe fytyra jote.

Në fund, po e theksoj se ky moment i vështirë është dhjetëfish më i vështirë për familjen tënde, nënën që jam i sigurtë që lëngon, babain, motrën dhe vëllain. Ata e dijnë mirë që të gjithë janë krah atyre. Kjo sepse për përuljen që ne kemi ndaj teje Adela, sepse në fund të fundit ne jemi fansa të tu, dhe një fans është i përjetshëm dhe i devotshëm. Faleminderit Adela, ashtu siç të njohu një Shqipëri të tërë, ashtu do të kujtohesh nga të gjithë ne. Buzagaz, e çiltër, dhe e sinqertë deri në grahmat e fundit!
Faleminderit për shpresën se ky vend mund të krijojë hapësira për një mentalitet më të mirë!
Faleminderit!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: