Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Nga konfliktet me Braçen te raportet me Bashën, Shehaj: PD të kërkojë hetimin e Ramës

Agron Shehaj

Agron Shehaj nga një sipërmarrës i suksesshëm, shumë shp-ejt u bë një nga protagonistët e grupit parlamentar të PD-së. Shehaj thotë për “Gazeta Shqiptare” se reforma në drejtësi është një prej arsyeve që e shtyu të hyjë në politikë. Ndaj deputeti i PD-së i qarkut të Vlorës ka vendosur të përballet në Kuvend dhe jashtë tij pa asnjë mëdyshje me mazhorancën e majtë, të cilën e akuzon ashpër për lidhje të forta me krimin e organizuar. Agron Shehaj shkon më tej kur thotë se, “duhet të kërkojmë hetimin e kryeministrit. Në rastin më të mirë ai ka qenë i informuar nga shërbimi sekret i huaj dhe i brendshëm mbi çfarë bënin ministrat dhe shefat e policisë. Në rastin më të keq ai ka qenë personalisht i përfshirë”. Nisur nga situata e kriminalitetit në vend, z.Shehja tregon arsyet se pse shqiptarët të majtë dhe të djathtë duhet të mbushin sheshet e Shqipërisë kundër klikës së pushtetit.

Z.Shehaj, viti 2017 ishte i vështirë për PD-në që nga humbja e zgjedhjeve e deri tek mbyllja e vitit që lamë pas me një protestë brenda dhe jashtë parlamentit…

Në 2017 nuk humbi vetëm PD-ja, por Shqipëria. Mendoj se jemi një nga vendet e vetme në botë që në 2017 nuk jemi në gjendje as të organizojmë zgjedhje të lira. Vetë Rama e pranoi që ka pasur blerje të votës.

Të paktën ju a u pajtuat me z.Braçe, me të cilin keni debatuar fort për buxhetin e vitit 2018?

Me Braçen dhe politikanët si Braçe më ndajnë idealet dhe puna. Braçe nuk ka punuar ndershmërisht një ditë të vetme në jetën e vet, unë kam filluar punë që 14 vjeç dhe arrita të krijoja kompaninë private me të madhe në Shqipëri, mbi 3000 të punësuar. ‘Ujqërit’, të mëdhenj dhe të vegjël si Braçe e mbajnë peng Shqipërinë, mbajnë larg investitorët dhe janë arsyeja kryesore pse shqiptarët ikin. Pas 27 vitesh do më vinte turp të vazhdoja në politikë, por për disa turpi nuk është arsye për t’u larguar nga politika.

2018-ta e gjen PD-në duke u përgatitur për protesta masive kundër qeverise, por cili është konkretisht qëllimi i tyre?

Qëllimi ynë është që të shkundim shqiptarët, të majtë dhe të djathtë dhe t’u tregojmë se këta të paaftë, mashtrues dhe trafikantë dje vodhën të ardhmen tonë dhe sot po vjedhin të ardhmen e fëmijëve tanë.

Nëse këto protesta do të bëheshin për çështje ekonomike që prekin direkt jetesën e qytetareve, besoni se sheshet e vendit do mbusheshin plot me njerëz, shumë më tepër ndoshta sesa për çështjen e zgjedhjes së kryeprokurores se përkohshme?

Krimi dhe shkelja e ligjit është burimi kryesor i varfërisë, pavarësisht se mund të duket pa lidhje. Protesta është kundër sundimit absolut të një grup njerëzish në kurriz të shumicës se qytetarëve. Këta kanë kapur shtetin, trafikojnë, bëjnë ligjet në interes të tyre, ushtrojnë presion ndaj mediave, tani kanë kapur edhe prokurorinë. Ka ndonjë shqiptar aq naiv sa të mendojë që Rama dhe ministrat e tjerë nuk dinin çfarë bënte Tahiri apo që kryeprokurorja e zgjedhur nga pushtetarët socialistë do jetë e lirë dhe e pavarur për të hetuar Tahirin për trafik droge apo Veliaj për vdekjen e Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës? Angazhimi i Ramës në mbrojtje të Tahirit tregon qartë që Tahiri ka punuar për llogari të elitës së PS-së. Njolla e trafikut të drogës do ndjekë përgjithmonë jo vetëm Ramën, por edhe PS-në.

Z.Rama ka deklaruar që nëse Tahiri është i fajshëm, ai duhet të dënohet…

Unë mendoj që duhet të kërkojmë hetimin e kryeministrit. Në rastin më të mirë, ai ka qenë i informuar nga shërbimi sekret i huaj dhe i brendshëm mbi çfarë bënin ministrat dhe shefat e policisë. Në rastin më të keq ai ka qenë personalisht i përfshirë. E di që tingëllon e pamundur, por kush e imagjinonte që ministri i Brendshëm të ishte realisht i përfshirë në trafikun e drogës para se të dilnin përgjimet? Kështu si po shkojnë punët, do jetë pothuajse e pamundur që të dënohet Tahiri dhe nëse dënohet ai s’ka për të qenë i vetmi, por do dënohet të paktën edhe Rama me kupolën e partisë socialiste.

Qeveria akuzon opozitën se është kundër reformës në drejtësi…

Qeveria mashtron. Të jemi të sinqertë, merita kryesore për reformën nuk është as e PS, as e PD apo e LSI, por e ndërkombëtarëve. Edhe pse PD-ja mund të jetë dukur skeptike, lidhet me rrezikun e kapjes së drejtësisë nga PS-ja. Rama këtë e përdor për të gënjyer duke thënë që PD është kundër reformës. Nuk ka ndonjë vend tjetër në botë apo një mendje të shëndoshë që i kërkon përgjegjësitë tek opozita. Aq më pak kur këtë e bën pushteti. Ju lutem t’i japim fund këtij absurdi.

Atëherë mendoni se reforma nuk duhet bërë?

Reforma në drejtësi është një prej arsyeve që më shtyu të hyja në politikë. Kjo qeveri është e korruptuar, e thonë raportet e ndërkombëtarëve mbi Shqipërinë. Rreziku është që nga një gjyqësor i korruptuar, por i pavarur të kalojmë një gjyqësor të korruptuar dhe të varur nga qeveria. Do ta shikojmë, ka shumë mundësi që Rama të përdorë drejtësinë për të sulmuar PD-në. PD është e hapur për çdo hetim, por po nuk u dënua edhe kupola socialiste nuk do ketë kurrë drejtësi.

Ndryshe nga disa kolegë tuaj të PD-së, ju përballeni në Kuvend me mazhorancën, edhe me statuse në “Facebook”, por çfarë ju bën kaq kritik ndaj kësaj qeverisjeje?

Më habit kjo pyetje, unë mendoj se po bëj shumë pak. Në gjendjen që është Shqipëria, e qeverisur nga një grup gangsterësh, e veshur me kostume që hetohet për lidhje me krimin dhe trafik droge, që ka pushtetin, paratë dhe pjesën më të madhe të mediave, unë duhet të kisha hyrë në grevë urie.

Si i keni raportet me kryetarin Basha?

Për sa më takon, shumë të mira.

Si i konsideroni zërat kundër tij brenda PD-së?

Jam shumë i ri në PD që të gjykoj mendimet brenda PD-së. Me disa prej tyre mund edhe të jem dakord, me disa të tjerë nuk jam dakord, por i respektoj.

Besoni se brenda PD ka njerëz të interesuar që PD të qëndrojë gjatë në opozitë?

Nuk besoj.

Intervistën e plotë e gjeni në GSH.al duke klikuar tek linku:  http://www.gsh.al/2018/01/08/nga-konfliktet-bracen-te-raportet-bashen-shehaj-pd-te-kerkoje-hetimin-e-rames/

 

 


Komente ( 7 )

  • ORE PO KY SIKUR VJEN NGA NJE PLANET TJETER. RAMA ESHTE I PADITUR NGA PD QE NE VITIN 2000. POR KUSH JA VERSHELLEN.

  • Problemi eshte qe keto jane nje tuf horrash dhe mbrojne njeri tjeterin. Ti e ke te veshtire te besh para se nuk te lene jo vetem ujqerit kundershtare po edhe ata brenda partise tende te cilet jane koke e kembe te korruptuar. Gjths ty te uroj suksese dhe shpresoj te gjesh hapsire dhe te besh dicka per kete vend dhe keta njerez te cilet jane lene te uritur dhe veshtire te shohin idealin e njerezve te drejte si ti.#njefijeshprese

  • …thjesht kujtohu Gone se sa mbetshtes ju erdhen ne pervjetorin e PD kete dhjetor qe kaloi, ne vlore,,, e kthyet ne parti ordineresh…

  • Pse se fillon nga vetja, pastaj kerko hetimin e te tjereve… Kerko ne radhe te pare hetimet per shefat e tu, Saliun, Lulken, Pollon, Ristanin e me shoke, qe te behesh i besueshem e te fitosh mbeshtetjen ne popull dhe pastaj ngrie zerin per Ramen, Like shtangistin, Monin dhe tegjithe politikanet e tjer.

  • Eri

    Te pakten ky eshte i sinqerte ne ate qe thote. Duhet mbeshtetur

  • Mire e ke ti o Gone, mireeeee. Ata nuk i çau dot Imperializmi Amerikan per afro nje shekull do i çani ju.