NJU JORK– Zërat që qarkullonin që prej 10 ditësh u konfirmuan sot. Aktorja Cynthia Nixon, një prej protagonisteve të serialit “Sex and the City” ka vendosur të sfidojë guvernatorin demokrat të shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i cili shpreson të rizgjidhet në muajin nëntor.

Cynthia Nixon, 51 vjeçe, e cila u bë e njohur me rolin e një avokateje, Miranda Hobbes, në këtë serial të famshëm, shpalli zyrtarisht kandidaturën për parapraket demokrate që do të zhvillohen në muajin shtator, në rrjetin social “Twitter” duke postuar një video prej 10 minutash.

Nixon, e cila ka tre fëmijë, është sot shumë e angazhuar për kauzën e edukimit publik.

“E dua Nju Jorkun, por zyrtarët tanë e kanë braktisur, ne jemi tashmë shteti më me shumë pabarabazi në vend”, deklaroi Nixon në këtë video duke përmendur disnivelin në rritje mes të pasurve dhe të varfërve.

Zërat për një kandidaturë të Nixon qarkullonin që prej fillimit të muajit mars pasi ajo u takua me strategët demokratë.

Andrew Cuomo, 60 vjeç, është që prej vitit 2011 guvernator i shtetit të Nju Jorkut, një bastion demokrat./Ata
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb