Arlind Ajeti pritet të zyrtarizohet te Palermo. Mediat italiane kanë raportuar dje se Torino ka arritur një marrëveshje me klubin sicilian për huazimin e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare.

Sipas portalit të njohur “Tuttosport”, edhe Ajeti ka pranuar të transferohet te Palermo për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të hapësirave të pakta te Torino. Palermo ndodhet në një pozicion të vështirë dhe këtë sezon synon mbijetesën. Në orët në vijim pritet të ketë diçka konkrete, por, sipas të gjitha gjasave, Ajeti do të firmosë për klubin sicilian.

Situata
Dy vitet e fundit kanë qenë pa dyshim më entuziazmuesit për Ajetin, por njëkohësisht edhe më të çuditshmit. Mbrojtësi kuqezi u bë një emër i njohur në arenën ndërkombëtare, duke u përballur me sukses ndërsa vishte fanellën e Shqipërisë. Ai u transferua në Serinë A te Frozinone dhe tregoi se e meritonte të luante në këtë kampionat me paraqitje më se bindëse. Por ekipi ra në Serinë B në fund të sezonit dhe Ajeti mbeti përsëri pa skuadër.

Mbrojtësi dhuroi dy paraqitje mbresëlënëse në “EURO 2016” me Shqipërinë dhe ashtu siç pritej shumë ekipe u vunë pas tij. Në fund ai zgjodhi Torinon, një skuadër me emër ku dukej se do të fitonte një vend mes titullarëve pasi po luante rregullisht në miqësoret e fazës përgatitore.

Dy dëmtime të njëpasnjëshme në fund të gushtit shkatërruan gjithçka dhe mbrojtësi e pa veten spektator në pjesën e parë të sezonit, gjithmonë në diskutim nëse do të vazhdonte të mbetej pjesë e ekipit torinez me të cilin ka luajtur vetëm një ndeshje në Kupën e Italisë. Pavarësisht kësaj situate, janë të shumta skuadrat e Serisë A që janë gati t’i japin mundësinë mbrojtësit të talentuar që të luajë rregullisht./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: