Një grup grash që kanë akuzuar publikisht Presidentin Donald Trump për ngacmime seksuale në të kaluarën u bënë thirrje ligjvënësve amerikanë të hetojnë lidhur me akuzat e tyre, në mënyrë që siç thonë, Presidenti të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

Akuzat ndaj Trump vijnë pas një vale diskutimesh mbarëkombëtare lidhur me rastet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës në të gjithë fushat, prej politikës tek media industria e filmit e më gjerë, shkruan VOA.

Ndërsa 2017-ës po i vjen fundi, Presidenti Trump po shënon përvjetorin e tij të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Por në qytetin e tij në Nju Jork, një grup grash u janë rikthyer akuzave të tyre ndaj zotit Trump për ngacmime seksuale, duke kërkuar përgjigje dhe mbatje pergjegjësie nga ana e tij.

“Dua të besoj se si amerikanë mund t’i lëmë mënjanë përkatësitë politike e të pranojmë se në të vërtetë disa gjëra, e tejkalojnë politikën dhe se do ta trajtojmë zotin Trump me të njëjtin standard sikurse Harvey Weinsteinin dhe burrat e tjerë që u mbajtën përgjegjës për sjelljen e tyre të dënueshme. Ndaj kërkoj që Kongresi të lërë mënjanë përkatësitë partiake dhe të hetojë historinë e ngacmimeve seksuale nga ana e zotit Trump”, thotë Rachel Crooks një nga akuzueset e zotit Trump.

Në tjetër akuzuese Jessica Leeds i rrëfeu në një intervistë gazetares së NBC-së Megyn Kelly pretendimet e saj për një incident me zotin Trump gjatë një udhëtimi me avion.

“Papritur ai u hodh mbi mua, duke më puthur e prekur gjithandej. Nga ajo që kujtoj ai nuk tha asgjë, as unë gjithshtu nuk fola nuk kërkova ndihmë, e gjitha u zhvillua në heshtje”, thotë Jessica Leeds një tjetër akuzuese.

Presidenti Trump i ka mohuar akuzat të cilat dolën në dritë vitin e kaluar pas publikimit të një regjistrimi nga ana e programit “Access Hollywood” të vitit 2005, që tregon zotin Trump duke u mburrur për aftësitë e tij për t’i prekur gratë në vende të papërshtashme.

Duke u përballur me pyetjet e gazetarëve lidhur me akuzat, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders i doli në mbrojtje Presidentin.

“Presidenti i ka mohuar akuzat, sikurse dëshmitarët okularë. Disa raporte kanë treguar se këta dëshmitarë okularë mbështesin gjithashtu pretendimin e presidentit. E përsëris, populli amerikan e dinte këtë dhe votoi për Presidentin. Ne ndihemi të gatshëm të ecim përpara lidhur me këtë çështje”.

Gazetarja: A mendon ai se është gjë e mirë që gratë që e kanë akuzuar po i rikthehen akuzave përsëri?

Sanders: Në përgjithësi, Presidenti mendon se është një gjë e mirë për gratë që të jenë në gjendje të ndihen rehat në mundësitë e tyre për t’u shprehur.

Katër ligjvënës amerikanë i kanë bërë thirrje presidentit Trump të dorëhiqet lidhur me akuzat për ngacmime seksuale. Zyrtarja e lartë e administratës Trump, ambasadorja Nikki Haley ka thënë se gratë kanë të drejtë të dëgjohen.

“Mendoj se çdo grua që është ndjerë e dhunuar apo e keqtrajtuar ka të drejtë të flasë”
Që nga largimi në tetor i producentit të filmave Harvey Weinstein, shumë gra kanë bërë publike akuzat e tyre për ngacmime apo sulme seksuale ndaj burrave me pushtet, në politikë, media e industrinë e filmit.

Të paktën 12 gra kanë bërë publike akuzat e tyre për ngacmime seksuale ndaj Presidentit Trump, lidhur me incidente që kanë ndodhur përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb