TIRANE- Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka ka hedhur idenë e lejimit të kanabisit për nevoja farmaceutike. Në një deklaratë për mediat, Jaka pohoi se duhet të zbatohet formula, ashtu sikur në vendet europiane, si Hollanda, Italia dhe Greqia. Ai shtoi më tej se duhet të kemi qasje ligjore dhe për prostitucionin.

“Pse mos të zbatojmë edhe ne formulën e Hollandës, Italisë, Greqisë, për lejimin e kanabisit për nevoja farmaceutike, siç e lejojnë ligjet europiane. Pse mos të kalojmë edhe tek ligjet e tjera, që është paketë, siç janë qasjet ligjore që liberalizojnë shërbimin e femrës, siç e ka Gjermania dhe Hollanda. Janë gjera normale, të jemi të ndershëm. Njëkohësisht të shprehim elementë sigurie, për turistin, qytetarët, për të parandaluar pasojat efektet dhe pasojat sociale që krijojnë vakumet që lë Legjislacioni shqiptar”, tha Jaka.


Jaka gjatë një konference për shtyp për projektligjin e Plehrave, ai u ndal të komentojë edhe ligjin për importin e plehrave, një ligj, i cili shkaktoi debate dhe kundërshti në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, por që në fund mori votat e nevojshme për kalimin në seancë plenare.

Kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh se klasa politike duhet ta votojë unanimisht këtë ligj, sepse i shërben ekonomisë së vendit. “Ky ligj nuk sjell mbetje, nuk sjell ndotje, por është një ligj që sjell lëndën e parë për ricikluesit shqiptar. Shpëton industrinë e riciklimit. Duhet të mirëkuptohet edhe nga ambientalistët, politika, dhe të gjithë ata që janë skeptikë dhe ata që mendojnë se ky ligj sjell ndotje.”, përfundoi kreu i Dhomës së Tregtisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: