Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nëpërmjet një postimi në Facebook i është përgjigjur deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi e cila nuk ka shprehur pëlqimin e saj për Reformën në Arsimin e Lartë.

Nikolla shkruan se kjo është hera e dytë që ajo e suprizon negativisht në një kohë kaq të shkurtër, pasi sipas saj “Kryemadhi po ngul këmbë në gabimin e saj”.

Deputetja e LSI-së, Kryemadhi, foli pak më herët në emisionin “Kjo Javë” në News 24 duke këmbëngulur për mosdakordësinë e saj në reformën e arsimit, gjë për të cilën kishte ndejtur pa folur dhe me bashkëshortin e saj Ilir Meta për ditë me radhë.

Postimi i plotë

E dashur Monika,
Ti më ke surprizuar jo rrallë pozitivisht për energjinë dhe vendosmërinë që ke. Por sot dua të të them se vendosmëria në gabim, nuk është po aq e vyer sa vendosmëria në mbrojtjen e të vërtetës. Është e dyta herë në një kohë të shkurtër që më surprizon negativisht, duke gabuar në vlerësimin për një punë të madhe të këtyre viteve, e cila në fakt është puna e përbashkët e koalicionit tonë: reforma në arsim. Kemi shumë për të bërë në mirëzbatimin e plotë të reformës, por e them me bindje që duhet të jemi krenarë pēr këtë reformë. Edhe unë, edhe ti.

Sot, përsëri iu ktheve mesazhit të gabuar drejtuar të rinjve, lidhur me reformën. Unë e di që zbatimi i reformës ka sjellë një shkundje të madhe nga një letargji e gjatë. Kjo shkundje ka krijuar edhe konfuzion te disa. Stres e pakënaqësi te disa të tjerë, por edhe mundësi për të abuzuar politikisht me të vërtetat e reformës. Këto mund të jenë sidoqoftë normale! Por rëndësi ka që rezultatet e para tregojnë se reforma është e duhura, nëse duam një gjeneratë që arsimohet realisht, jo një rini që thjesht shkon në shkollë.
Ndoshta nuk do t’i kisha shkruar këto rreshta, nëse gabimisht nuk do të kishe thënë sot dy të pavërteta.

E para, aktet nënligjore janë bërë dhe po vijojnë procedurën e miratimit. Kanë marrë kohë? Sigurisht që kanë marrë kohë, sepse njësoj si edhe ligji janë konsultuar me pedagogë, ekspertë vendas e të huaj. Janë organizuar edhe tri konferenca me pjesëmarrjen e ekspertëve më të mirē ndërkombëtarë në ndihmë të grupeve të punës. Madje, partnerët ndërkombëtarë që po bashkëpunojnë në hartimin e tyre, kërkuan marrjen e më shumë kohe, për shkak të punës voluminoze. Lejomë të të them që vetëm një prej akteve nënligjore të hartuara ka dispozita sa vetë ligji i arsimit të lartë.

E dyta, edhe mesazhi i parë, edhe ky mesazh e dashur mike, kanë autorësinë time! Nuk e kuptoj pse duhet të thuash që nuk e paskam shkruar vetë mesazhin e parë?! Sepse kjo s’është as e vërtetë dhe as argument. Perspektiva e qartë e kësaj reforme nuk duhet të errësohet
me demagogji për vota, në garën brenda koalicionit. As maturantëve e as studentëve nuk duhet t’u keqserviret kjo temë e madhe kombëtare, për t’u marrë votën.

Në mbyllje, duke të uruar fushatë të mbarë, të siguroj se koha po provon dhe do të provojë edhe më shumë që kam të drejtë. Qoftë kur e mbroj reformën nga keqinterpretimet dhe keqinformimi dhe qoftë kur të ftoj të jesh krenare për këtë punë të madhe të përbashkët.

Lindita

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb