TIRANE- Ministria e Arsimit, Lindita Nikolla nëpërmjet një mesazhi të veçantë uron të gjithë mësuesit e Shqipërisë për festën e 7-Marsit.

Duke pranuar problemet që arsimi ka, Nikolla shton se mësuesit meritojnë më shumë mbështetje, por kthesa në arsim sipas saj, ka nisur që me vendosjen e sistemit të ri të emërimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.

“Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote”,- thotë Nikolla.

MESAZHI I PLOTE
I/E dashur

Sot është dita që të sjell urimet e festës nga nxënës, prindër e kolegë: nëse ende nuk e ke marrë nga një ish kolege, atëherë unë jam e para që të uroj:

Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe!

Unë e di pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që Ti ndan çdo ditë me nxënësit e tu. Ëndrra për çdo nxënës fillon nga një mësues. Kështu ka qenë edhe për mua.

Nuk e ke filluar edhe ti ëndrrën tënde nga mësuesja jote? Unë po. Njoh mësuesen, mësuesit që i dhanë krah dhe jetësuan edhe ëndrrën e sime bije.

Shpesh pyes veten nëse në 16 vitet e mia të mësimdhënies u shërbeva dhe unë nxënësve të mi, siç u kërkova dhe mësuesve të sime bije.

Nuk di a ia dola që përmes punës së pandalur dhe të vërtetave të përbotshme të kultivoja dijen, po aq sa edhe sjelljen e qytetarisë demokratike.

Sa nxënës ndihmova të mësonin ndryshe përmes bashkëpunimit, debatit e të të ushtruarit?

Sa arrita të ngjall dëshirën për të ndryshuar edhe tek të tjerë, që në të kundërtën do të ishin në rrugë e problematikë për shoqërinë?

Përgjigjet përpiqem t’i gjej duke punuar së bashku me çdo mësues për kurrikulat dhe tekstet e reja, për programet e ndihmës për nxënësit e talentuar dhe me nevoja të veçanta, te klasat inteligjente, te shkolla qendër komunitare etj.

Mirënjohje edhe për kontributin tënd.

Si drejtuese e arsimit e di se Ti meriton edhe më shumë mbështetje. Vendosja e sistemit të ri të emërimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, është një pikë e rëndësishme kthese, por ende kemi shumë për të bërë.

Vijojmë me një skemë të re kualifikimi, pasi, siç Ti e di, vlerësuam nevojat e secilit prej jush me një testim kombëtar.

Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote.

Nëse shkolla është vendi ku e ardhmja hedh rrënjë, atëherë po shkolla është vendi ku e tashmja kërkon përfshirjen e të gjithëve.

Ndjesë për emocionet e mia, por dhe më shumë ndjesë nëse diku nuk ia kam dalë të jem edhe zëri yt.

Gëzuar dhe suksese!

Përqafime,
Lindita.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb