LUSHNJË- Pas shoqërimit të Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares nga policia në lidhje me vrasjen e dy të rinjve dje, kanë reaguar familjarët kreut të bandës së Lushnjës.

Të indinjuar ata kanë deklaruar se nipi i tyre nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen që tronditi dje qytetin e Lushnjës, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, i afërm i Xhulio Shkurtit. Sipas tyre ata implikohen në çdo krim në qytet pa pasur faj.

“Nipi ynë s’ka asnjë lidhje me ngjarjen. Na implikojnë pa lidhje në çdo krim në qytet. Media, politika, policia na implikojnë”, kanë thënë të afërmit e Aldo Bares.

Viktimat Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurtit). Ky i fundit mbeti i plagosur me 25 shtator të vitit 2016 së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu 25 vjeç në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e djeshme, në lagjen “Loni Dhamo” shumë pranë Komisariatit të Policisë.

Për ngjarjen e vitit 2016 ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu 25 vjeç. Ky i fundit ka vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009. Haxhiu doli nga burgu për vrasjen në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në Qershor të vitit 2015 për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb