NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- I nxehti afrikan ‘godet’ vendin! Temperaturat e këtyre ditëve të korrikut i kanë kaluar 37 gradë, ndërkohë që java që vjen, sipas sinoptikanëve, pritet të shkojë në 40 gradë. Instituti i Shëndetit Publik këshillon qytetarët që të bëjnë kujdes në këto ditë të nxehta, duke mos dalë në orët e pikut, dhe të konsumojnë një dietë të shëndetshme të pasur me fruta dhe lëngje të freskëta. Sipas specialistëve, kujdes duhet të bëhet sidomos për fëmijët, moshat e treta dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. Sipas sinoptikanëve të Institutit të Gjeoshkencave, gjatë javës që vjen, i gjithë territori i vendit pritet të përfshihet nga masa të nxehta ajrore që vijnë nga veriu i Afrikës, dhe temperatura pritet të arrijë në 40 gradë celsius.

KËSHILLA
Specialistët e shëndetit publik bëjnë apel për marrjen e masave në këto ditë përvëluese të korrikut. “Duhet evituar qëndrimi në diell në orët e nxehta të ditës; veçanërisht në orët e pikut, 11:00-16:00, qëndroni në hije. Duhet kujdes më i madh për personat e sëmurë kronikë, por edhe për fëmijët dhe të moshuarit”, – sqarojnë specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, valët e të nxehtit projektohen të rriten, për shkak të ndryshimit klimaterik, por ndikimet e tyre mbi shëndetin janë të parandalueshme, ndaj nëse qytetarët ndjekin disa rregulla bazë, temperaturat e larta të këtyre ditëve kapërcehen më lehtë.

“Mbani shtëpinë të freskët, kontrolloni temperaturat rregullisht. Ideale do të ishte t’i mbanit temperaturat poshtë 32°C gjatë ditës dhe 24°C natën. Vendosni grila përgjatë dritareve me diell, hapni dritaret natën dhe herët në mëngjes, dhe varni peshqirë të lagur për të freskuar ajrin e dhomës, që mund të ndihmojë të ulë temperaturat e brendshme. Qëndroni larg nxehtësisë. Rrini te dhoma më e freskët e shtëpisë, sidomos natën. Shmangni të dalën jashtë gjatë kohës më të nxehtë të ditës. Shmangni aktivitetin e lartë fizik, nëse keni mundësi. Qëndroni në hije. Mos lini fëmijët ose kafshët brenda makinave të parkuara. Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar. Bëni dushe ose banjë me ujë të freskët. Vishuni lehtë, rroba të gjera me materiale natyrore.

Vendosni kapele me borsë të gjerë ose me strehë. Përdorni çarçaf dhe mbulesa të lehta, pa mbushje, që të evitoni akumulimin e nxehtësisë. Sipas specialistëve, kujdes duhet të bëhet edhe me dietën ushqimore gjatë kësaj vale të nxehti, por dhe gjatë gjithë verës. “Pini rregullisht, por evitoni alkoolin dhe shumë kafeinë dhe sheqer. Hani porcione të vogla, dhe më shpesh. Evitoni ushqimet që janë të larta në proteina”, këshillon ISHP. Këto ditë të nxehta është domosdoshmëri që të pihen sa më tepër lëngje, edhe nëse nuk kanë etje, për të kompensuar lëngjet e humbura me anë të djersës. Sasia e lëngjeve mund të jetë të paktën 2 litra në ditë dhe mund të merret në formë uji, çaji, lëngje frutash të freskëta.

“Nëse juve ose të tjerët nuk ndiheni mirë, keni marrje mendsh, debul, me ankth, jeni shpesh të etur ose keni një dhimbje koke, kërkoni ndihmë. Lëvizni në një vend më të freskët sa më shpejt të jetë e mundur, dhe matni temperaturën e trupit tuaj. Pini ujë ose lëng frutash për t’u rihidratuar. Pushoni menjëherë në një vend të freskët, nëse keni spazma të dhimbshme muskulare; pini lëngje nga goja për rihidratim që përmbajnë elektrolite; dhe kërkoni ndihmë nëse ngërçet e nxehtësisë zgjasin më shumë se një orë. Konsultoni mjekun tuaj, nëse ndjeni simptoma të pazakonta ose nëse simptomat vazhdojnë. Nëse dikush ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë deri në delir, dridhje dhe/ose është i pavetëdijshëm, thërrisni mjekun ose ambulancën menjëherë”, sqarojnë specialistët e ISHP-së.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: