FIER- Në Fier kanë nisur sot zyrtarisht punimet për gazsjellësin TAP, ku filloi shtrimi i tubacioneve nëpër të cilat në vitin 2020 do të kalojë gazi edhe në vendin tonë. Në ceremoninë e fillimit të punimeve, drejtori i ekipit të Menaxhimit në TAP, Ian Bradshaw tha se pjesa më e madhe e punëtorëve në këtë projekt janë shqiptarë, 90% e tyre.

Ai tha se në fazat në vijim të projektit do të ketë edhe më shumë mundësi për punësim.

Këtë fakt e ka përmendur edhe kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, duke shtuar se “Numri i të punësuarve do rritet në 4200, nga 1700 që janë aktualisht, dhe vetëm nga procesi i ndërtimit do gjenerohen 57 mln euro për prodhimin e brendshëm të Shqipërisë”.

Rama më tej tha se përfitimet do rriten vit pas viti deri sa të nisë edhe rrjedhja e gazit në 2020.

“Korridori i gazit është një pjesë e përpjekjeve të BE për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm me gaz nga burimet që e kanë atë. Dua të nënvizoj gatishmërinë e plotë të kompanisë për të bashkëpunuar me një përgjegjshmëri të lartë sociale. Theksoj e së bashku kemi plotësuar dokumentacionin për 17 mijë hektarë. Sot TAP hyn në një fazë të re dhe të rëndësishme të punimeve të tij. Janë 215 km përmes të cilave gazsjellësi do të përshkojë Shqipërinë. Ne kemi avantazh nga ky projekt, rritjen e numrit të të punësuarve, në 2017 parashikohet të gjenerohen të ardhura të mëdha.

Nga nisja e punës, TAP pritet të gjenerojë 160 mln euro në vit. Ne jemi të vendosur të maksimizojmë fitimet e këtij projekti strategjik, dhe nuk duam të mbetemi të kufizuar si vendkalim i gazit të Kaspikut për në Europë. Kemi trashëguar një marrëveshje që kishte një boshllëk të madh për përfitueshmërinë, kemi negociuar për të gjetur një zgjidhje që edhe Shqipëria të marrë atë që i takon. Edhe Shqipëria, njësoj si Greqia dhe vendet e tjera, do të marrë atë që i takon si kontribut në aspektin social të projektit”, tha kryeministri.

Kreu i Qeverisë foli edhe për mundësitë që ka dhënë deri më tani ky projekt:
“Ka rehabilituar afro 100 km rrugë në Korçë e Çorovodë, ka ndërtuar 2 ura të reja dhe ka rehabilituar më shumë se 42 të tjera. U ka dhënë punë më shumë se 1.700 personave, ku 90% e tyre janë shqiptarë me një pagë mesatare më shumë se 600 euro”.

Ndërsa, sipas Ministrit të Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, interesi është rritur nga shumë kompani të huaja që po e shikojnë me interes zhvillimin e projektit të gazit në Shqipëri.

“Jemi të lumtur për bashkëpunimin me TAP-in dhe për faktin se shumë kompani shqiptare janë pjesë e këtij projekti. Kjo ka sjellë përfitime direkte edhe për shumë ekonomi familjare. Shpresoj që të sjellë të mira për rajonin. Siguria e rajonit i vlen edhe sigurisë europiane”, tha ministri Gjiknuri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb