*30 mijë nxënës ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës. Nikolla uron: Rruga e dijes e sigurt!
*Rama nga oborri i “Sami Frashërit”: Urimet me të përzemërta për vitin e ri shkollor

*Basha uron: Fillim të mbarë të vitit te ri shkollor!
*LSI, Manjani: Rruga e vetme për të të luftuar injorancën, shkolla

TIRANE- Rreth 490 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm nisën sot vitin e ri shkollor 2015-2016, ndërsa 30 mijë vogëlushë do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Kryeministri Rama, kreu i PD-së Basha, ministrja Nikolla dhe kryebashkiaku Veliaj kanë uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa i kanë inkurajuar për rezultate më të larta.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë 18 shkolla të reja të përfunduara, që do të shfrytëzohen për vitin e ri shkollor. Megjithatë, në kryeqytet mësimi do të vijojë të zhvillohet me turne, duke mos zgjidhur problematikën shumëvjeçare. Ndërkaq, sipas këtij dikasteri, ky vit shkollor do t’i presë nxënësit me më shumë terrene sportive e laboratorë, që do të garantojnë cilësinë e mësimdhënies. ”

LSI, MANJANI: RRUGA E VETME PËR TË LUFTUAR INJORANCËN, SHKOLLA
Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani uroi sot të gjithë nxënësit shqiptarë në nisje të vitit të ri shkollar, ndërsa tha se shkolla është e vetmja rrugë për të luftuar injorancën. “Prandaj kjo është një ditë e veçantë, kërkohet vëmendje, energji dhe solidaritet. Jemi të bindur se reformat e marra sëfundmi do japin suksesin e tyre. Një pjesë e mirë e të rinjve dhe të rejave kanë zgjedhur të formësohen në arsimin profesional, përgjigja më e mirë ndaj sfidave të vendit”,-tha ai.

Manjani këshilloi qeverinë të përmbyllë problemet e hasura në ditën e parë të shkollës. “Jemi koshientë që ka edhe vështirësi, vështirësi infrastrukturore, pajisje me bazë materiale në shkolla. LSI nxit qeverinë ti përmbyllë sa më shpejt vështirësitë dhe deficencat e vëna re. Ditë e veçantë, përshëndesim njeri-tjetrin, ia vlen beteja për nxënie, lufta nda injorancës është gjithnjë e vlefshme. LSI mbështetje ndaj forcave politike që luftojnë injorancën në çdo nivel”.

BASHA URON: FILLIM TË MBARË TË VITIT TË RI SHKOLLOR
Edhe kryedemokrati Basha ka zgjedhur rrjetin social Facebook, për të uruar vitin e ri shkollor 2015-2016. Në emër të forcës politike që përfaqëson Basha iu uroi të gjithë nxënësve një fillim sa më të mbarë. “Partia Demokratike iu uron të gjithë nxënësve dhe mësuesve fillim të mbarë të vitit të ri shkollor”.12015151_999274676790380_3242833148898277089_o

RAMA: MËSIMI KA RINISUR ME ENERGJI DHE AMBICIE TË REJA

Në nisje të ditës së parë të mësimit, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ishte mes nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë

120 klasa inteligjente janë çelur këtë vit në shkollat e mesme të vendit, tre nga cilat në gjimnazin “Sami Frashëri”. Kryeministri u ndal në klasën e 10-të, ku po zhvillohej lënda e matematikës dhe për herë të parë i gjithë procesi mësimor është dixhital.

“Jo rastësisht zgjodhëm shkollën “Sami Frashri”, një nga shkollat historikisht pararojë në Shqipëri, që e fillon këtë vit me tre klasa inteligjente nga 120 klasat “inteligjente” që janë çelur në gjimnazet e vendit, me objektivin që deri në çeljen e vitit të ri shkollor 2018-2019 të gjitha klasat e Shqipërisë të jenë të tilla. Nga oborri i kësaj shkolle besoj se s’ka vend më të përshtatshëm për t’ju uruar një vit të ri të mbarë të gjithë nxënësve dhe të gjithë prindërve, që shohin me shumë dhembshuri dhe me shumë ëndrra e shpresa fëmijët e tyre,”  – u shpreh Kryeministri.

“Unë shpresoj shumë, – ju drejtua nxënësve, Kryeministri, në një bisedë të lirshme me ta, – që ju të jeni një shembull i shkëlqyer për vënien në jetë të këtij programi të ri. Ju jeni të parët që filloni me klasat inteligjente. Jam i bindur jo vetëm do mësoni shumë nga kjo përvojë, por edhe mësueset që do punojnë me ju do mësojnë shumë.”

Ministrja Nikolla shpjegoi se ky vit fillon edhe me 6 kurrikula dixhitale, nga 3 të parashikuara: “Premtimi ynë ishte që të mundësonim tre kurrikula dixhitale. Kemi mundësuar 6 që këtë vit shkollor.”

Një tjetër risi transformuese e këtij viti shkollor janë tekstet shkollore me burim tre nga institucionet arsimore të cilësisë më të lartë në Europë, “Pearson”, “Cambridge” dhe “Oxford”. Një revolucion e cilësoi Kryeministri, që do të shtrihet në të gjithë ciklin shkollor në tre vitet në vijim.

“Për transformimin e të gjithë sistemit tonë arsimor është në proces një kantier i madh reformash, nga të cilat kanë filluar përfitimet e para për nxënësit. Të mos harrojmë që ky vit fillon edhe me produktet e para të një revolucioni të vërtetë që është bërë me tekstet shkollore. Fëmijët e klasës së I-rë dhe të klasës së VI-të do të kenë në dispozicion tekste nga tre burime të mirënjohura të cilësisë së librave arsimorë në Europë, “Pearson”, “Cambridge” dhe “Oxford”. Gjë që do të ndodhë edhe në tre vitet në vijim, duke plotësuar ciklin për të gjithë.”

VELIAJ: REZULTATET E LARTA, E VETMJA BILETË PËR JETË MË TË MIRË. BURSA PËR MË TË MIRËT
Kryebashkiaku Veliaj zgjodhi sot gjimnazin “Ismail Qemali” për të uruar të gjithë nxënësit shqiptarë për vitin e ri shkollor. Veliaj i inkurajoi gjimnazistët për të arritur rezultatet të larta, si dhe i ftoi të jenë pjesë e punëve komunitare.

“Kjo është mosha më fantastike në jetë, nëse do më jepej mundësia të isha edhe njëherë jo vetëm që do ta bëja shkollën tek Ismaili por edhe shumë gjëra që si kam bërë. Dilni me rezultate të mira, kjo e vetmja biletë për arsim, shkollim dhe punë më të mirë. Kjo këshillë është për të mirën tuaj personale. Sa më shumë afrohemi në BE, ju kujtoj se për të njëjtin vend pune do konkurrojnë një italian, një kroat dhe një anglez, pra nga e gjithë bota, ka shumë rëndësi që ne shqiptarët të jemi më të mirët e të fitojmë gjithmonë”

Veliaj më tej premtoi se do t’i propozonte Këshillit Bashkiak kthimin e bursave për nxënësit me rezultate më të mira. “Do kthejmë traditën e bursës për nxënësit më të mirë. Kjo iniciativë është gjëja më e bukur që mund të bëjmë në një qyet që ka nevojë për shembuj pozitivë”. “Mësoni fort por dhe bëni qejf fort”, tha në fund Veliaj.

URIMI I MINISTRES SË ARSIMIT DHE SPORTIT, LINDITA NIKOLLA, PËR NISJEN E VITIT TË RI SHKOLLOR 2015-2016

Me këtë rast Ministrja e Arsimit dhe Shkencave ka uruar të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë. Duke iu drejtuar nxënësve Nikolla tha se po punohet fort që ata të përballen me sfidat e së ardhmes dhe të jenë të barabartë me bashkëkohësit, në vëndet më të përparuara. Nikolla shtoi se qeveria ia doli të heqë nga duart e nxënësve shqiptarë 600 tituj tekstesh shkollore me probleme.

Të dashur nxënës dhe mësues!

Të dashur prindër!

Lejomëni T’ju përshëndes dhe të vi pranë jush me urimet më të ngrohta këto momente pragfillimi të vitit të ri shkollor.

Ju pershëndes së pari ju 30 mijë vogëlushve që zemra ju rreh fort me padurimin e pritjes së ziles së parë të shkollës.

Ju përqafoj e ju premtoj se rruga juaj e dijes do të jetë e sigurtë dhe e cilësisë së vërtet

Të dashur nxënës!

Flas me secilin prej jush 500 mijë nxënësit që nesër do t’i drejtoheni shkollës.

Ne po punojmë me tërë forcën e mendjes, por dhe dashurinë e zemrës për ndërtimin e shkollës që përgatit qytetarë për “shoqërinë e dijes”, që ju përgatit ju për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, si të barabartë me bashkëkohësit tuaj, në vëndet më të përparuara.

Viti i ri shkollor është një vit i veçantë, i cili përkon me zbatimin e një sërë reformash që kanë prekur sistemin tonë arsimor.

Unë jam e bindur se falë jush të dashur mësuese e mësues do ja dalim. Do ja dalim të realizojmë premtimet tona ndaj prindërve dhe shoqërisë.

Roli juaj është vendimtar në realizimin e objektivave reformuese! Ndaj edhe mbështetja jonë në drejtim të forcimit dhe mbrojtjes të dinjitetit të figurës së mësuesit është parësore. Mësuesi është shkolla dhe shkolla ka në duar fëmijët, dritën e syve të çdo prindi, por dhe ardhmërinë e Shqipërisë sonë.

Bashkarisht ja dolëm të reformojmë kurrikulën, bazuar në komptenca, në arritjet dhe përvojat më të mira europiane.

Ja dolëm të hiqnim nga duart e fëmijëve tanë 600 tituj tekstesh shkollore me probleme.

Për herë të parë këtë vit shkollor 76 mijë nxënës do të mësojnë me tekste të reja të klasës së parë dhe të gjashtë, botime të emrave të mëdhëdhenj siç janë “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: