TIRANE– Nis zbatimi i programit PAMECA V, i Misionit të Bashkimit Europian, dedikuar ndihmës dhe asistencës për Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë. Në ceremoninë e zhvilluar, i pranishëm ka qenë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit, si dhe ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian që mbështesin projektin.

Në fjalën e tij, ministri Xhafaj vlerësoi rolin e rëndësishëm që PAMECA ka luajtur me asistencën e saj në hartimin e Dokumentit Politik të Prioriteteve të Ministrisë së Brendshme.

“Në vijim, për jetësimin e këtij dokumenti dhe rekomandimeve të mësipërme, u konceptua dhe nisi puna për Operacionin “Forca e Ligjit”. Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e Operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët, nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë. PAMECA natyrisht ka qenë pjesë aktive e çdo tryeze konsultimesh, teksa kemi vlerësuar dhe reflektuar komentet mjaft të vlefshme të saj të dërguara në nëntor 2017, mbi draft-planin e veprimit. Vlerësoj gjithashtu kontributin e ekspertit të PAMECA-s pranë Task Forcës Speciale lidhur me përgatitjen e bankës së pyetjeve të nevojshme, lidhur me procesin e rekrutimit të ekspertëve të Task Forcës Speciale”, tha ministri Xhafaj.

Ai theksoi se programi PAMECA ka një rol kyç në thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe vendeve partnere të Bashkimit Europian në luftën kundër krimit të organizuar.

“Kam qenë gjithmonë i bindur se shumë nga sfidat që has sot konsolidimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë sfida, jo vetëm për autoritetet shqiptare, por dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Në përballje me fenomenin e krimit transnacional, përherë kam mbështetur nevojën e një koncepti të ri të bashkëpunimit mes autoriteteve tona ligjzbatuese dhe vendeve e institucioneve partnere europiane. Në këtë drejtim, domosdoshmëri parësore mbetet konsolidimi i besimit mes palëve. Roli i çmuar i misioneve të asistencës si PAMECA, në mbështetje të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm për të forcuar më tej nivelin e këtij besimi”, shtoi ministri Xhafaj.

Duke u ndalur tek lufta ndaj krimit të organizuar, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin deklaroi se ky është një fenomen që nuk njeh kufij dhe për këtë duhet të punojmë të gjithë bashkë.

“Gjithsesi, çelësi është vullneti politik dhe vendosmëria për t’u marrë me problemin pa asnjë kompromis. Dhe unë dua të falënderoj këtu me gjithë zemër z. Ministër Xhafaj dhe stafin e tij, për punën e tij serioze, të përkushtuar dhe partneritetin në këtë betejë. Në 2017-n, ne kemi parë për herë të parë një rënie drastike të prodhimit të kanabisit, por ne presim raportin e Guardia di Finanza në verën që vjen, në mënyrë që të sigurohemi që fitorja të jetë afatgjatë. Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Dhe unë besoj se ky është vetëm fillimi, që përfundimisht duhet të forcohet dhe të ndiqet nga operacione të ashpra, që duhet të godasin interesat kyçe të krimit”, nënvizoi diplomatja e BE-së.

Ambasadori Italian në Tiranë Alberto Cutillo përshëndeti arritjet e Qeverisë në luftën ndaj krimit të organizuar.

“E konsideroj me të vërtetë të mrekullueshëm impenjimin dhe angazhimin e Qeverisë aktuale shqiptare në luftën kundër krimit dhe në kërkimin e vazhdueshëm të mënyrave më të mira për të rritur kapacitetet e institucioneve shqiptare që janë për këtë luftë. Dhe ky impenjim është prova më bindëse se vetëdija në luftën kundër krimit dhe korrupsionit është me të vërtetë një çështje e rëndësishme që kërkon përgjigje. Reformat duhet të tregojnë tashmë në terren efikasitetin, kapacitete efektive për të arrestuar kriminelët dhe për t’i vendosur ata përpara drejtësisë. Arritja e rezultateteve të shpejta do t’u dëshmonte të gjithëve faktin se Shqipëria është tashmë e maturuar për të çelur negociatat për afrimin dhe anëtarësimin e saj”, theksoi ndër të tjera ambasadori Cutillo.

Drejtori i Marrëdhënieve Juridike me Autoritetet e Huaja në Prokurorinë e Përgjithshme, Arqile Koça pohoi se prioritet mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese.

“Përtej angazhimit të vazhdueshëm të gjithë bashkë kemi konstatuar se institucionet ligjzbatuese kanë nevojë për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, ashtu edhe ato në lidhje me infrastrukturën dhe teknologjinë, për t’iu përgjigjur me efikasitet dhe pa kompromis luftës kundër grupeve kriminale dhe trafiqeve ndërkombëtare. Institucioni i Prokurorisë shpreh vullnetin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të objektivave të punës tuaj, pasi ne jemi të bindur se ato konvergojnë me objektivat tona”, tha Koça.

FJALA E PLOTE E MINISTRIT XHAFAJ
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave partnere,
Të nderuar pjesëmarrës,
E quaj me vend që ta nis këtë fjalë përshëndetëse duke theksuar rëndësinë që institucionet e shtetit shqiptar, sot më shumë se kurrë, i japin asistencës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit ndërkombëtarë të misioneve të akredituara në Shqipëri.

Në çdo takim, në çdo rast kur kam mundur të përçoj një mesazh publik, kryefjala ime ka qenë besimi i ndërtuar mes dy palëve tona. Dëshmi e këtij qëllimi janë dhe raportet shumë të mira, profesionale dhe institucionale, mbi të cilat është ngritur puna e përditshme që më mban lidhur me shumë pjesëtarë të këtij eventi të rëndësishëm.

PAMECA V, si dhe gjithë njerëzit e angazhuar në strukturën e saj, ndjek një traditë, të konsoliduar tashmë, të bashkëpunimit cilësor mes autoriteteve shqiptare dhe atyre evropiane në fushën e asistencës dhe konsolidimit të agjencive ligj zbatuese në vendin tonë. Si e tillë, PAMECA V dhe gjithë përvojat e tjera të mëparshme të këtij misioni asistence të BE, kanë arritur të krijojnë një klimë të frytshme pune, pa të cilat do të ishte shumë e vështirë të flisnim sot për sukses real në reformat e shumta, në fushën e sigurisë publike, që kërkon integrimi dhe aspirata evropiane e Shqipërisë.

Dokumenti Politik i Prioriteteve, si akt i parë publik pas marrjes së detyrës, në të cilin unë dhe stafi im jemi përpjekur të prezantojmë vizionin dhe objektivat tona mbi politikat e sigurisë publike, ka qenë fryt edhe i një kontributi të drejtëpërdrejtë i ekspertëve të PAMECA-s, e cila ka pasur një rol të rëndësishëm në hartimin e tij. Mes këtyre prioriteteve vlen të përmenden, kontributet e ekspertizës tuaj lidhur me hartimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe aseteve kriminale apo të pajustifikuara, luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, pastrimit të parave, korrupsionit dhe vecanërisht me idetë për përmirësimin rrënjësor të ndërtimit dhe funksionimit të hetimit policor, përfshi edhe riorganizmin e Departamentit të Policisë Kriminale në qendër dhe në nivel vendor e parë kjo e lidhur edhe me efektet që krijojnë strukturat e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi.

Në vijim, për jetësimin e këtij dokumenti dhe rekomandimeve të mësipërme, u konceptua dhe nisi puna për Operacionin “Forca e Ligjit”. Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e Operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë. PAMECA natyrisht ka qenë pjesë aktive e çdo tryeze konsultimesh, teksa kemi vlerësuar dhe reflektuar komentet mjaft të vlefshme të saj të dërguara në nëntor 2017 mbi draft-planin e veprimit. Vlerësoj gjithashtu kontributin e ekspertit të PAMECA-s pranë Task Forcës Speciale lidhur me përgatitjen e bankës së pyetjeve të nevojshme lidhur me procesin e rekrutimit të ekspertëve të Task Forcës Speciale.

Në përmbushje të komponentëve që përbëjnë boshtin organizativ të projektit, shpreh konsideratën time për angazhimin e PAMECA-s në procesin e hartimit të paketës normative të Vetting-ut në Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera. Ka qenë deri tani një punë e gjatë por besoj e frytshme.
Unë shpresoj se PAMECA do të vazhdojë të japë kontributin e saj në këtë proces duke asistuar organet e Vetting-ut edhe në zbatimin në mënyrë korrekte të ligjit përmes monitorimit të standardeve të vendosura, në funksion të garantimit të cilësisë, pavarësisë dhe besueshmërisë së këtij procesi për punonjësit e Policisë, por edhe më gjerë.

Roli i PAMECA-s ka qenë po aq i çmuar në ndërtimin e një strategjie kombëtare për menaxhimin e integruar të kufijve, pikë tjetër thelbësore kjo në rendin e komponentëve që përbëjnë bazën e veprimtarisë së projektit. Synimi për një përmirësim të kuadrit institucional dhe infrastrukturor, si dhe për rritjen e kapaciteteve në drejtim të menaxhimit të rreziqeve, kanë gjetur një konfirmim tejet pozitiv me nënshkrimin e marrëveshjes me FRONTEX-in gjatë vizitës së Komisionerit Avramopoulos në Tiranë, marrëveshje që për të gjitha ata që duan të lexojnë e kuptojnë, synon të afrojë Shqipërinë më pranë BE duke e përfshirë atë në rrethin e vendeve që sigurojnë kufirin e jashtëm të BE sikundër kjo agjensi europiane bën me praninë e saj edhe në shumë vende të tjera të BE si Italia, Greqia, Spanja, Portugalia etj.

Të nderuar pjesëmarrës,
Kam qenë gjithmonë i bindur se shumë nga sfidat që has sot konsolidimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë sfida jo vetëm për autoritetet shqiptare por dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Në përballje me fenomenin e krimit transnacional, përherë kam mbështetur nevojën e një koncepti të ri të bashkëpunimit mes autoriteteve tona ligj-zbatuese dhe vendeve e institucioneve partnere europiane. Në këtë drejtim, domosdoshmëri parësore mbetet konsolidimi i besimit mes palëve. Roli i çmuar i misioneve të asistencës si PAMECA, në mbështetje të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm për të forcuar më tej nivelin e këtij besimi.

Vlerësoj se PAMECA me gjithë kontributet e mëdha duhet të orientohet edhe më mirë në asistencën e saj në prioritetet që kemi ndërtuar së bashku me BE, të mund të ofrojë modele të susksesshme të vendeve të tjera që mund e duhet të shërbejnë si orientim në procesin e reformave që kemi bashkëndërtuar, të ketë një rol më aktiv në analizat aq të domosdoshme që mundësojnë strategji dhe plane veprimi edhe më eficente si dhe për të koordinuar më mirë praninë dhe kontributet e aktorëve të tjerë europianë që veprojnë e asistojnë punën e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit.

Në këtë mënyrë do të arrijmë t’i japim rëndësinë e duhur forcimit të marrëdhënieve mes nesh, gjë që përkthehet në ndërthurje të përvojave, shkëmbimit të informacioneve, kryerjes së operacioneve të përbashkëta hetimore dhe reagimit efektiv në një kohë sa më të shpejtë të mundshme. Suksesi në këtë drejtim do të ishte i përbashkët.

Ju uroj pra një punë të mbarë dhe suksese në arritjen e objektivave të përbashkëta të këtij projekti.
Faleminderit!

FJALA E PLOTE E AMBASADORES ROMANA VLAHUTIN
I nderuar Ministër Xhafaj,
Të nderuar kolegë ambasadorë,
Të nderuar burra të shumtë dhe gra të pakta por mjaft të veçanta,

Me ç‘duket zbatimi i ligjit ngjan të jetë në shumicë dërrmuese me burra.

Jam shumë e gëzuar që jam këtu. Do të doja që të flas shkurt dhe konkretisht sepse detyrat para nesh janë mjaft ekzigjente, por krejt të qarta.

Shqipëria duhet patjetër ta heqë veten plotësisht nga harta e vendeve që vuajnë prej krimit të organizuar si dhe zakonit të pandëshkueshmërisë.

Në Shqipëri njerëzit kanë bërë shumë sakrifica dhe është bërë shumë punë dhe askush nuk ka të drejtën të abuzojë për interesat e tyre kriminale apo personale. Si shumë vende të tjera në tranzicion, Shqipëria ka paguar një çmim të lartë për varfërinë sistematike, mungesën e kujtesës institucionale dhe institucione funksionale si dhe kulturën e përhapur të mosndëshkimit, por kjo kohë ka përfunduar. Shqiptarët e kanë ndarë mendjen dhe zgjedhja e tyre është e qartë: është prosperiteti dhe parashikueshmëria e standardeve europiane dhe të drejtat dhe përgjegjësitë si kudo tjetër në BE. Ky saktësisht ka qenë dhe është fokusi ynë i përbashkët viteve të fundit për reformat më gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe aktualisht në aksionet kryesore për zbatimin e ligjit. Në këtë betejë dhe në betejat e tjera, Shqipëria nuk është e vetme. Për këtë vend do të marrë kohë, do të ketë ulje dhe ngitje, por nuk ka dyshime që do të fitojmë.

Krimi ndërkombëtar është kërcënim për sigurinë tonë. Pengon zhvillimin tonë shoqëror, ekonomik, politik dhe kulturor. Krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe nuk ka skrupuj dhe për fat të keq është ndonjëherë më i organizuar dhe më i koordinuar se disa institucione. Pra logjika e reagimit tonë është e qartë. Ne duhet të luftojmë atë sëbashku. Dhe kjo është pikërisht ajo që bëjmë ne Bashkimi Europian, vendet anëtare, Shtete e Bashkuara të Amerikës, organizatat ndërkombëtare, të gjithë jemi në një përpjekje të përbashkët për të bashkuar forcat dhe për të asistuar institucionet shqiptare për t’u bërë më të forta dhe më efiçente në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjithsesi, çelësi është vullneti politik dhe vendosmëria për t’u marrë me problemi pa asnjë kompromis. Dhe unë dua të falënderoj këtu me gjithë zemër z. Ministër Xhafaj dhe stafin e tij, për punën e tij serioze, të përkushtuar dhe partneritetin në këtë betejë.

Në 2017 ne kemi parë për herë të parë një rënie drastike të prodhimit të kanabisit, por ne presim raportin e Guardia di Finanza në verën që vjen, në mënyrë që të sigurohemi që fitorja të jetë afatgjatë. Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Dhe unë besoj se ky është vetëm fillimi, që përfundimisht duhet të forcohet dhe të ndiqet nga operacione të ashpra që duhet të godasin interesat kyçe të krimit.

Në këto përpjekje është thelbësore puna e prokurorisë. Dhe ne të gjithë presim për rezultate më efiçente të hetimit të krimit. Nuk ka njerëz që nëse kanë kryer krim të jenë mbi ligjin, pavarësisht emrit apo funksionit të tyre. Është përgjegjësi e prokurorisë për t’u siguruar që ata të shkojnë në gjyq.

Ne si Bashkim Europian përpiqemi të ndihmojmë me sa mundemi. Bashkimi Evropian investon 6 milion euro vetëm për misionin PAMECA V që fillon sot, por që ka tashmë edhe rezultate të prekshme. Shumë nga rekomandimet që ka dhënë PAMECA janë përfshirë në planet strategjike të Ministrisë së Brendshme, përfshirë edhe operacionin e madh “Forca e Ligjit”. Agjencitë e specializuara të BE si EUROPOL, FRONTEX dhe EUROJUST janë duke rritur bashkëpunimin me vendin tuaj.

Vetëm dje, gjatë vizitës së tij Komisioneri Avramopoulos, u firmos një një marrëveshje shumë e rëndësishme për bashkëpunimin operacional ndërmjet Frontex dhe Ministrisë së Brendshme. Me këtë, Shqipëria është një kryesuese në rajon dhe vende të tjera shpresojmë ta ndjekin së shpejti në një marrëveshje që do t’i bëjnë më të sigurt kufijtë kombëtarë dhe europianë. Strategjia për Ballkanin Perëndimor propozon partneritet më të ngushtë, më të avancuar dhe sistematik në zbatimin e ligjit me të gjithë vendet e këtij rajoni.

Kontributet e vendeve anëtare dhe të ekspertëve duhet të shtohen në mënyrë të mbështesin dhe rrisin trysninë në zbatimin e reformave.
Për të qenë më e qartë, duhet të ketë prova të qarta, të plota për hetime pro-aktive, procedime dhe në fund, dënime ndaj grupeve të organizuara kriminale, duke përfshirë edhe anëtarët më të rëndësishëm të grupeve që merren me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, – ende duhet të pëcaktohen si një çështje urgjente.

Unë jam e sigurt se shumë masa konkrete, asistencë dhe ekspertizë që është siguruar nga BE-ja, do të përkthen në rezultate dhe vendosjen e një kulture të fuqishme të ligjshmërisë në Shqipëri. Faleminderit të gjithë juve për përkushtimin tuaj, për investimin tuaj, për punën tuaj të palodhur në këtë kapitull tepër të rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb