Nga: VALENTINA MADANI*

Presidenti, Bujar Nishani po tenton ta zgjidhë kon fliktin me Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e këndit të lojrave në parkun e Liqenit artificial përmes një hetimi ndërkombëtar. Ai bëri dje të ditur se këtë e ka kërkuar edhe në mënyrë institucionale, sipas tij në respekt dhe në zbatim të Konventës së Aarhusit, nënshkruese e së cilës është edhe vendi ynë. Një muaj më parë, kreu i shtetit u solidarizua me përfaqësuesit e shoqërisë civile, duke e cilësuar vandalizëm betonizimin sipas tij të parkut të Liqenit.

Kurse dje gjatë takimit me ta, Nishani u tha aktivistëve të shoqërisë civile se e ka ndërmarrë këtë nismë pas shqetësimeve të qytetarëve dhe protestave të tyre kundër ndërhyrjes në parkun e Liqenit Artificial. “Presidenti i Republikës, pasi dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe problemet e ngritura nga aktivistët civilë, shprehu edhe njëherë gatishmërinë personale dhe institucionale se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve, pa dallim dhe në mënyrë të paanshme. Presidenti Nishani vuri në dukje nevojën e domosdoshme të konsolidimit të mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për garantimin e të gjitha të drejtave tona, duke i informuar gjithashtu të pranishmit se ka kërkuar në mënyrë institucionale një hetim të pavarur e të paanshëm ndërkombëtar të ndërtimit në parkun e Liqenit artificial të Tiranës, në respekt dhe zbatim të Konventës së Aarhusit, nënshkruese e së cilës është edhe vendi ynë”, – thuhet në njoftimin për shtyp të institucionit të Presidencës pas takimit që Nishani zhvilloi dje me aktivistët civilë.

SHOQËRIA CIVILE
Sipas këtij njoftimi, aktivistët civilë, nga ana e tyre ngritën disa çështje problematike si: papërputhshmëria e vendimeve arbitrare me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, moskonsultimi paraprak me ekspertë dhe me komunitetin për projekte apo ligje që bëhen në emër të të gjithë qytetarëve dhe që ndikojnë në jetën e përditshme, duke u cenuar interesat dhe cilësinë e jetës, apo edhe arroganca e theksuar e pushtetarëve të zgjedhur, etj. Aktivistët civilë paraqitën shqetësimin e veçantë për “betonizimin e lirisë, përveç betonizimit të parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, si dhe për “fjalorin jashtë çdo etike që përdoret nga njerëzit e veshur me pushtet, duke goditur përditë qytetarinë shqiptare”, duke i kërkuar kreut të shtetit si garant i Kushtetutës dhe unitetit të popullit, të përcjellë zërin dhe shqetësimet e tyre pranë institucioneve më të larta të republikës. Njëkohësisht ata vunë në dukje se duke pasur parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, tashmë është krijuar një përballje, ku presidenti dhe qytetarët janë dhe qëndrojnë fort në anën e kushtetutshmërisë në mbrojtje të thelbit të shtetit të së drejtës, të përfaqësimit sa më të ligjshëm e të moralshëm të interesave të popullit dhe të garantimit të të gjitha të drejtave të tyre.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: