TIRANË- Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka reaguar sot ndaj deklaratave të maxhorancës në lidhje me prishjen e Kishës Katolike në Elbasan. Institucioni i Presidentit të Republikës denoncon ato që i quan ‘sulme politike dhe fyerjet vulgare të organizuara nga Kryeministri i vendit ndaj Kreut të Shtetit Shqiptar në aulën e Parlamentit shqiptar’.

Në seancën e sotme parlamentar deputeti i PS-së, Taulant Balla tha se Kisha Katolike Shën Piu X në Elbasan rrezikon të prishet, pasi Gjykata e Lartë, ka vendosur që truallin në të cilin ajo është ndërtuar t’ia kalojë familjes së bashkëshortes së Presidentit Bujar Nishani.

Por Kreu i Shtetit i ka quajtur shpifje këto deklarata dhe ka theksuar se Presidenti është në shënjestër pasi kryeministri nuk po merr dot kontrollin e këtij Institucioni.

“Prej gati dy vitesh, Presidenti i Republikës gjendet nën një fushatë fyerjesh, shpifjesh, kërcënimesh dhe shantazhi të pandërprerë, të organizuara dhe urdhëruara nga kryetari i qeverisë. Kjo praktikë jakobine, e padëgjuar kurrë më parë në këtë vend, ku dhuna e pushtetit fyen, kërcënon, shantazhon familjen, fëmijët dhe jetën e Presidentit të Republikës është e paimagjinueshme në një vend normal. Kjo, për një qëllim fare të thjeshtë. Kryeministri, nuk po mundet të marrë nën kontroll Institucionin e Presidentit të Republikës. Shpifjet e ulëta dhe denigruese të urdhëruara nga Kryeministri i vendit sot në aulën e Parlamentit si një hakmarrje ndaj qëndrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe dinjitetit të shtetit të shqiptarëve nuk do munden dot të nëpërkëmbin dhe asgjësojnë Institucionin e Kreut të Shtetit”, thuhet në deklaratën e Nishani.

Presidenti thekson më tej se “Dhuna nuk do triumfojë kurrë mbi dinjitetin e shtetit” dhe se ky institucion do të vijojë të kërkojë respektimin e të drejtave kushtetuese. “Autoritarizmi nuk do ta mundë dot lirinë dhe demokracinë të cilat shqiptarët i kanë fituar pas vuajtjesh dhe sakrificash të mëdha. Presidenti i Republikës do vijojë të kërkojë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të Institucionit, pavarësisht sjelljeve të tilla që nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën, shtetin, kulturën, qytetarinë apo rrugën europiane ku shqiptarët duan të ecin”, përfundon deklarata e Presidentit Nishani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: