Nga: BEN ANDONI*
Nuk është thjesht procesi i dekorimeve të fundit apo festimet e fund-nëntorit, që presidentin në detyrë Nishani, e bëjnë një antisimbol të këtij posti. Janë shumica e vendimeve të presidencës së tij, gati të gjitha të diskutueshme, që e kanë zhvlerësuar figurën e tij dhe e kanë bërë të merret me rezervë për gjithçka. Moria e dekorimeve të fundit të tij, thjesht e tregoi edhe njëherë në mungesën e theksuar të vlerësimit për antifashizmin, por edhe më shumë akoma: shmangies gati me qëllim të vlerave.
Që Shqipëria antifashiste ia zbardhi fytyrën Shqipërisë të pas Luftës së Dytë Botërore, ky është një fakt i pamohueshëm, por më shumë se kaq është një element që na shpëtoi nga copëtimi. Pikërisht, ky cak do të duhej të theksohej si vlerë dhe të mbyllte këtë histeri kundër luftëtarëve të lirisë dhe mungesës së vlerësimit, që u pa në aktivitetet dhe festimet e fund-nëntorit. Pasi veprimtaria atdhetare e shumë syreshve të pavlerësuar prej tij është e dokumentuar, kurse ai vetë, thjesht duhej ta vinte në pah në procesin e nderimeve selektive që bëri.
Në kahun e nacionalistëve, në kujtesë të z. Nishani dhe stafit të tij, në javët e fundit të luftës, kur autoriteti më i lartë grek i kohës kërkonte ndarjen e Shqipërisë, Mehmet Konica i drejtohej për ndihmë personalitetit të madh Ruzvelt. A ndikoi Amerika për shumë gjëra që lidhen me pavarësinë shqiptare? Ky është një fakt i pamohueshëm, që na ndihu për ekzistencën dhe pothuaj pak i diskutueshëm. Falë kontributit edhe të SHBA-ve dhe pozicionimit të duhur shqiptar, e paçka pretendimeve greke, Shqipëria në Konferencën e Paqes do të rreshtohej me të Drejtët. Pikërisht, në morinë e personazheve të këtyre kohëve, presidenti mund të gjente një element shumë të vyer për të bërë hierarkinë e tij të vlerësimeve. Nderimi i protagonistëve të vërtetë do e ngrinin figurën e tij dhe jo ta ulnin, siç po ndodh rëndom.
Ajo që mbeti më e dhimbshme në këtë 70-vjetor, ishte se Shqipëria mbeti sërish e përçarë. Të dy kahet festuan veç e veç dhe gati jashtë tematikave dhe tagrit të festës. Kinse frika e Enver Hoxhës, e vetme, i bashkoi të dyja palët për të treguar ndarjen e tyre me këtë realitet, edhe pse PS-ja ka ende trashëgiminë e PPSH-së kurse PD-ja është e mbushur me komunistë. Në të pakët gjëra që z.Nishani mund të bënte në këtë situatë ishte thjesht të vendoste një rend.
Por, si ai, edhe paraardhësit e tij vite më parë, nuk mundën të konsakrojnë një datë që të jetë gjithëpërfshirëse. Si për ironi, në emër të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, tashmë janë hedhur krejt poshtë vlerat antifashiste të shqiptarëve që në L2B, luftuan deri në Bosnjë. Presidenti mund që t’i jepte fund kësaj tollovie thjesht me vlerësimin e 17 Nëntorit, datë e pakontestuar dhe duke i bashkuar të dy palët. Në këtë rol par exellence të njeriut mbi të gjithë palët, z.Nishani si garantues dhe përfaqësues i ceremonive solemne shtetërore, do ta ngrinte dhe do t’i shpëtonte disi presidencën e dobët. Kjo do t’i bënte disi më pak qesharakë edhe politikanët si edhe do të nderonte realisht Luftës Nacionalçlirimtare dhe të rënëve të saj me një ceremonial dinjitoz. Përfundimisht do merrte fund dhe 29 nëntori, që përkon me datën e konferencës së AVNOJ-it, ditë e themelimit të Jugosllavisë. Mbi të gjitha edhe kokëvrasjet e të gjitha palëve.
Por z.Nishani nuk mundi ta bëjë dot, pasi i gjithë ceremoniali tregoi edhe konjukturën që ai duhet të zbatojë, të jetë në shinat e njëanshmërisë që përfaqëson. Mu këto shina prej kohësh e kanë bërë atë që institucioni i tij të jetë jo vetëm i dobët, por dhe nga më të papërfillshmit moralisht në vend.
Dhe, të mendosh se në këtë përvjetor janë ende disa nga protagonistët e luftës, ende të gjallë, atëherë realisht e beson se z.Nishani është simboli i një antisimboli të madh që lidhet me luftën. E me sa duket, si dhimbset më, ngaqë nuk ka edhe kohë. S’ka më kohë të rregullojë asgjë për nivelin ku e ka përcjellë presidencën shqiptare.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: