TIRANE- Në një ceremoninë solemne të zhvilluar në Institucionin e Presidentit të Republikës, ku ishin të pranishëm artistë dhe aktorë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, regjisorë e skenaristë, familjarë dhe personalitete të artit e kulturës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerësoi aktorë të mëdhenj të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore, pas vdekjes aktorëve Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Kadri Roshit e Violeta Manushit “Në shenjë vlerësimi që ishin ndër të parët e artit skenik shqiptar, bashkëkontribues në fillesat e Teatrit Kombëtar, duke vënë në shërbim të roleve dhe interpretimeve e të zhvillimit të teatrit e kinematografisë në Shqipëri talentin, kulturën, dijen, urtësinë, punën e tij të palodhur që e bënë një shprehës të përkryer mjeshtërie të lartë dhe përkushtimi të pashoq.”
pre3-303x200

Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore edhe aktores Margarita Xhepa, “Si mjeshtre e përkryer dhe interpretuese e rrallë e artit skenik dhe atij kinematografik të vendit tonë të personazheve aq të spikatura jetësore, e cila për dekada me radhë ka portretizuar karaktere të panumërta dramatike e aq të dashura, duke mbetur përjetësisht e gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë.”;

Robert Ndrenikës “Në vlerësim të artistit të rrallë e të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij të paharrueshme në skenat teatrore dhe në kinematografi, është bërë tashmë, me thjeshtësinë e tij karakteristike të rrallë njerëzore, një nga figurat kryesore e të paçmueshme të artit kombëtar shqiptar.”; si dhe Tinka Kurtit “Me vlerësim të merituar shtetëror për interpretimet e saj të përkryera e mallëngjyese, duke u shndërruar prej disa dekadash me radhë në njërën prej aktoreve më të adhuruara e mbresëlënëse të filmit shqiptar që nga filmi i parë ‘Tana” e deri në qindra role të paharrueshme nëpër skenat tona teatrore.”
pre4-293x200

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Nishani u shpreh se kontributi i këtyre personalitete është i shtrirë gjatë në kohë dhe nga pikëpamja artistike i ka fillesat e tij që nga filmi i parë shqiptar ‘Tana’ ku ishin të pranishëm në moshë shumë të re në atë kohë me interpretimet e tyre mjeshtërore Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi Marie Logoreci, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Esma Agolli e shumë e shumë të tjerë, që percollën dimension të madh kulturor, artistik, e profesional.

Duke ju drejtuar të pranishmëve, kreu i shtetit vuri në dukje se “Nuk është aspak e lehtë që të përmbledhësh në një fjalë ceremoniale dekadat dhe vitet e punës rolet e panumërta, djersën, mundin, talentin, kontributin, arritjet artistike e kulturore, interpretimet magjepsëse të këtyre gjigantëve të skeëns dhe të ekranit e të kulturës sonë kombëtare, që më madhështore si dimension kanë pikërisht atë që sot e kësaj dite janë e duken të freskëta. Dhe jo vetëm në kujtesën e atyre që e kanë dashur dhe e duan teatrin, filmin, por në panteonin e asaj që përbën krenarinë e trashëgimisë sonë kombëtare të kulturës.
pre2-294x200

“Përpjekjet dhe arritjet e mjeshtrave të mëdhenj të kinematografisë sonë përfaqësojnë dimensione të patjetërsueshme të artit, kulturës dhe emancipimit tonë në tërësi. Vlerat e trashëgimisë së tyre janë dhe do të jenë gjithmonë ushqim shpirtëror dhe mendor pa të cilin jam i sigurt, se çdo komb, sado të lashtë dhe të pasur që mund ta ketë trashëgiminë e vet, nuk mund të ecë dot përpara, aq më tepër Shqipëria jonë e vogël., tha Nishani.

Nderim dhe mirenjohje për gjithçka keni bërë e keni arritur në skenë, patjetër edhe me ndihmën e pakursye të familjeve tuaja, të të afërmve e të miqve tuaj, Ndaj duke përfituar nga privilegji që kam dhe të adresohem në këtë ceremoni këtyre njerëzve, dua t’ju them vetëm faleminderit, dhe të mbeteni përherë ashtu siç jeni: monumente jo vetëm të kujtesës, por në tërësi të kulturës dhe civilimit shqiptar” – përfundoi fjalimin e tij Presidenti i Republikës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: