Nisma e dikurshme e kryeministrit Rama dhe deputetit te PS-së, Taulant Balla për rishikimin e gjithe medaljet dhe dekoratave të dhëna deri më tani, që nuk u votua dot per shkak te mungeses se votave nga ana e LSI-se, pritet te kaloje se shpejti ne Kuvend. Nisma ne fjale, e cila u shoqerua me debat ne kohen e propozimit, eshte pjese e programit te punimeve ne Kuvendin e ri te Shqiperise, ne periudhen 18 shtator-13 tetor.

Propozimi ne fjale erdhi pas përplasjeve për dekorimin e Shyqeri Çokut, torturuesit të at Zef Pllumit dhe prof Sami Repishtit, e debatit te madh publik qe shkaktoi. Aso kohe, kryeministri Edi Rama së bashku me deputetin e PS-së, Taulant Balla paraqiten nismën në Parlament për të rishikuar të gjitha medaljet e dekoratat e dhëna. Në të parashikohen rastet se cilët persona nuk e përfitojnë dekorimin e personave që kanë pasur përgjegjësi në ndëshkime dhe në realizimin e krimeve kundër njerëzimit apo gjenocideve.

Sipas draftit, ata që nuk do të dekorohen ose do t’u hiqet medalja ose dekorata në rast se shkelet një nga kriteret e përcaktuara në këtë draft janë personat që kanë kryer krime kundër njerëzimit ose dhe veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë.

“Përjashtohen nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendorë nderi sipas këtij ligji dhe në rast se e kanë marrë u hiqet, personat të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte; për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë, si dhe personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri në 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet: anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë; drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë; kryetar i Gjykatës së Lartë; Prokuror i Përgjithshëm; kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme; kryetar i degëve të Punës të Brendshme; punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit; bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit ose i favorizuar prej tij; anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve; gjyqtar si dhe prokuror hetues në procese politike”, thuhet në propozimet e Ramës dhe Ballës. Sipas argumenteve që jep Partia socialiste ky projektligj është i domosdoshëm, pasi synon të rishikojë kriteret, plotësimi i të cilave bën të mundur mospërfitimin ose heqjen e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit të marra në bazë të legjislacionit në fuqi.

Kush do bëjë verifikimet
Verifikimet do t’i beje një komision i posaçëm, ku kryetar do të jetë zëvendëskryeministri. Në Ligjin Nr. 112/2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë, duke shtuar dy nene, Partia Socialiste ka propozuar edhe anëtarët e këtij komisioni të posaçëm që do të marrin në shqyrtim çdo medalje ose dekoratë të dhënë.

“Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit për shkak të plotësimit të një prej kritereve të përcaktuara në nenin 5/1 të këtij ligji bëhet me vendim të komisionit të posaçëm me përbërje: zv.kryeministër, i cili është dhe kryetar i këtij komisioni të posaçëm, si dhe ministri i Mbrojtjes, i Punëve të Brendshme, i Drejtësisë, i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Drejtori i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, një përfaqësues i organizatave të veteranëve të LANÇ si një përfaqësues i organizatave të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë në cilësinë e anëtarëve”, thuhet në propozimin e së majtës, duke shtuar se propozimet për heqjen e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit bëhen nga Sekretariati Teknik i shqyrtimit të dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit që funksionon në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sekretariati teknik bën propozime për heqjen e dekoratave të titujve të nderit medaljeve dhe titujve vendorë të nderit kryesisht ose me kërkesë të palëve të treta vetëm pasi shqyrton dosjet përkatëse dhe verifikon prezencën e një prej kritereve të përcaktuara në nenin 5/1 të këtij ligji.

Detajet
Personat, të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte; për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë
Personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri në 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet:
-Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë

-Drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë

-Kryetar i Gjykatës së Lartë

-Prokuror i Përgjithshëm

-Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme

-Kryetar i degëve të Punës së Brendshme

-Punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit

-Bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar prej tij

-Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve

-Gjyqtar, prokuror hetues në procese politike

Komisioni i Posaçëm:

-Zv. kryeministri (kryetar)

-Ministri i Mbrojtjes(anëtar)

-Ministri i Punëve ë Brendshme(anëtar)

– Ministri i Drejtësisë(anëtar)

-Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë(anëtar)

-Drejtori i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura(anëtar)

-Një përfaqësues i organizatave të veteranëve të LANÇ(anëtar)

-Një përfaqësues i organizatave të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë (anëtar)/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: