Edhe pse Kryesia e Kuvendit të Kosovës dështoi të marrë vendim për të dytën herë në mungesë kuorumi, futja e Projektligjit për Shfuqizimin e Dhomave të Specializuara në rendin e ditës në mbledhje po shihet si tentim serioz dhe i rrezikshëm nga analistët. Dështimi i mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë në mungesë kuorumi, njësoj si tentativa e 22 dhjetorit për ta shfuqizuar atë që ishte miratuar dy vite më parë, edhe pse u cilësua si ‘nata më e rrezikshme për Kosovën’ dhe ‘thikë pas shpine për ndërkombëtarët” nga ambasadorët e Britanisë e ShBA-së, nuk ka përfunduar, pasi kërkesa për shfuqizimin e Speciales mbetet prapë pjesë e rendit të ditës në mbledhjen e ardhshme.

Tentativa për shfuqizim po shihet si e dëmshme për Kosovën nga analistët. Jehona Lushaku, ligjëruese e në Departamentin e Shkencave Politike në UP, thotë se është jo serioze që të njëjtat institucione që e kanë miratuar Specialen, të tentojnë ta shfuqizojnë atë. Por, ajo shton se formimi i Dhomave të Specializuara ka ardhur si rezultat i mossuksesit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, dhe atij të Bashkimit Evropian, EULEX, në Kosovë, ngase krimet e luftës kanë qenë kompetencë e tyre dhe është dashur që të gjendet mundësia e vënies së drejtësisë përgjatë 18 viteve të pasluftës, nëse veç ka pasur raste të tilla. “Nëse kjo iniciativë aprovohet në Kuvend, Dhomat e Specializuara do të kenë mundësi të riformohen nga Kombet e Bashkuara. Në këtë rast, ndërkombëtarisht do të interpretohet që shteti i Kosovës ishte kundër drejtësisë dhe do te duhet një instancë tjetër ndërkombëtare për ta vënë drejtësinë. Kjo, jo vetëm që do të na dëmton raportin me shtetet mike, por do ta dëmton edhe imazhin tonë ndërkombëtar”, tha Lushaku për “Gazetën Jeta në Kosovë”. Ajo thotë se baza legale që u krijua me ndryshime kushtetuese dhe me ligj të veçantë, të miratuara me shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, tani kur këto dhoma janë konsoliduar dhe kanë filluar punën është joserioze të merret nga të njëjta institucione ndonjë vendim tjetër nga ai që kanë marrë vet para disa kohe.

“Çdo kontestim i këtyre Dhomave e luhat seriozitetin e institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës, konteston konsistencën e këtyre institucioneve në vendimmarrje, vë në pah instrumentalizimin e institucioneve shtetërore nga interesa të caktuara dhe luhatë thellë besueshmërinë tonë shtetërore nga bashkësia ndërkombëtare. Të gjitha këto pika cenojnë shtetin e Kosovës dhe konsekuencat do të jenë të mëdha. Për konsekuencat kanë paralajmëruar ambasadorë të shteteve mike të Kosovës, si ShBA, por edhe shtetet evropiane”, ka shtuar Lushaku. Analisti Imer Mushkolaj tha se deputetët edhe mund ta shfuqizojnë Specialen sipas planeve të tyre, e kjo do të çonte në zvarritjen e procesit të nisjes së punës nga kjo gjykatë por e njëjta do të formohej prapë nga mekanizma tjerë ndërkombëtarë.

“Ekzistojnë mekanizma që mund ta ribëjnë, që do të jetë shumë me i dëmshëm ai version se ky që e kemi. Kushdo që mendon që me shfuqizimin e ligjit mund t’i ikë drejtësisë, e ka gabim për shkak se herëdokurdo do të ballafaqohet me drejtësi, vetëm se dëmi për vendin do të jetë shumë i madh, një dëm që në fakt është shkaktuar edhe më 22 dhjetor”, tha ai. Mushkolaj beson se liderët do të vazhdojnë të insistojnë në zhbërjen e kësaj gjykate, por tha se nuk i beson ndryshimit të qëndrimit të kreut të Kuvendit, Kadri Veseli. “Unë nuk i besoj praktikisht, pavarësisht se deklarativisht po tingëllon shumë mirë, ngase do t’i kryejë obligimet ndërkombëtare e të tjera, nuk i besoj se reagimi i tij ka ardhur shumë vonë dhe fjalët që po i thotë është deshtë t’i thotë në datën e 22 dhjetorit, t’ua thotë deputetëve të vet që kanë dhanë nënshkrimin për shfuqizim, dhe është pa logjikë dhe absurde te mendosh që ata deputetë kanë vepruar krye në veti dhe pa e marrë miratimin e Veselit.

Mushkolaj thotë se kryeparlamentari praktikisht nuk ndërmerr ose nuk ka marrë veprime që ta parandalojë shfuqizimin, ndërkohë që “deklarativisht po shprehet se është kundër shfuqizimit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.
“Futja në rend dite tregon që qëllimi i tyre nuk ka marrë fund dhe se ata do ta çojnë deri në fund këtë iniciativë, duket se pavarësisht reagimeve shumë të ashpra ndërkombëtare dhe reagimet brenda vendit, ata kanë zgjedhur të provojnë që ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale, por nuk e di kjo do të ishte një akt i dëmshëm për shtetin tonë, se me këto po shihet që ata interesat e qytetarëve i janë shumë më lart se të qytetarëve të cilët i udhëheqin”, përfundoi ai.
Edhe sot ambasadori amerikan, Greg Delawie tha se përkushtimi i Kosovës për të vënë drejtësi është vënë “nën kërcënim serioz” me iniciativën e 43 deputetëve, dy nga të cilët kanë tërhequr firmat në ndërkohë.
“Kjo paraqet një rast të tmerrshëm ku interesat personale janë mbi ato shtetërore. Deputetët që e mbështetin këtë nismë do të përballen me pasoja dhe ata e dinë këtë sepse ne ua kemi thënë këtë”, tha Delawie.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha para mediave se nuk i komenton deklaratat e ambasadorit dhe se partia e tij nuk ka ndërruar qëndrimin që ka pasur kundër kësaj gjykate.
Tentimin për shfuqizimin e Speciales e cilësoi si vepër penale në ditën e nisjes së saj, juristi Dastid Pallaska. “Shfuqizimi i Gjykatës Speciale për të parandaluar arrestimin dhe ndjekjen penale të disa pushtetarëve është pengim i drejtësisë, pra është vepër penale. Kjo do të thotë që Prokuroria e Gjykatës Speciale ka mundësi që qysh sonte – sipas ligjit që aktualisht është në fuqi – të shpallë fletarrestet dhe të fillojë ndjekjen penale të atyre që po synojnë të pengojnë drejtësinë!”, ka shkruar ai.

Ndërkohë Kuvendi ishte zyrtarisht në pushim dimëror, kreu i saj Kadri Veseli doli me një kolumne ku tha se Gjykata Speciale do të ndodhë, që paraqet qëndrim të kundërt me atë të deputetëve të tij nënshkrues që po kërkojnë shfuqizimin, e të cilët zyrtarisht nuk i kanë tërhequr nënshkrimet, pavarësisht që ambasadorët e QUINT-it të akredituar në Kosovë dhe BE u kanë bërë thirrje deputetëve që të tërhiqen nga iniciativa për shfuqizimin e saj.

Ndërsa shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj tha se nuk ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se kanë votuar kundër formimit të Speciales dhe do të votojnë pro shfuqizimit të saj. Presidenti Hashim Thaçi, i cili dikur e kërkonte nga deputetët që kjo gjykatë të votohet dhe riktheu në publik debatin për këtë temë, duke thënë se nuk pret drejtësi nga Specialja, sot thotë se do të zbatojë secilin vendim që marrin deputetët, ngase siç thotë ai “deputetët janë të zotë e vetëvetes”. Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dështoi dje për të dytën herë në mungesë kuorumi dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se do ta thërrasë mbledhjen javën e ardhshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: