“AMARCORD-I” i kryeministrit ditën e mërkurë, iu kushtua fig urës së Abatit. Duke shënuar se “100 vjet më parë kthehej në shtëpinë e Atit një shqiptar i pashoq, Abati i Mirditëve, siç quhej në epokën kur jetoi, Imz. Prenk apo Primo Doçi”, Edi Rama shënon se ai “me një zell të rrallë atdhetar dhe misionar, një nga figurat më në zë të shoqërisë ‘Bashkimi’, që Marubi e ka pavdekësuar në këtë foto gjithnjëherësh me anëtarësinë e saj të shquar ku spikasin At Gjergj Fishta o.f.m. dhe Imz. Jak Serreggi dhe vet Abati Prenk Doçi, themelues, ai mund të konsiderohet si i pari shqiptar që i ra kryq e tërthor botës së njohur, prej Indisë e deri në Kanada”.

Në Amarcord, vihet re edhe se Abati sakrifikoi shumë për t’u kthyer e për të shërbyer në tokën e të parëve, me gjithë pengesat e autoriteteve osmane, prej të cilave njihej si kryengritës i paepur, deri sa më 1888, Papa Leoni XIII e emëroi Abat të mitruar me prerogativa ipeshkvnore të të sapokrijuarës Abaci nullius, të pavarur nga dioqezat e tjera, të Shna Llezhdrit të Oroshit.

“Një nga pasardhësit e tij në këtë fron të përnderuar abacial do të jetë edhe i Lumi Imz. Frano Gjini, një nga 38 martirët e lumnuem të Kishës nga Papa Francesku. Figura e Imz. Primo Doçit është objekt i një rizbulimi të vonuar në kohë por të mirëseardhur”, e mbyll postimin e tij kryeministri.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb