NGA RUDINA HOXHA*

Një javë në vit, Arkiduka i Austrisë, Karl von Habsburg dhe familja e tij vendosin t’i kalojnë pushimet në një vend që të gjithë e kanë qejf. Këtë vit ata zgjodhën Shqipërinë. “Sepse ne e pëlqejmë dhe jemi të lidhur me vendin tuaj”, – thotë Karl von Habsburg, Arkiduka i Austrisë, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”.

Kjo vizitë korrespondon edhe me inaugurimin e një rruge brenda bllokut të ambasadave në Tiranë sipas emrit të të atit, Otto von Habsburg. Politikani austriak, i cili ka qenë edhe president i degës austriake të Lëvizjes Paneuropiane, jep edhe mesazhin e tij për Shqipërinë, Greqinë dhe Ballkanin kur vjen puna te perspektiva e tyre europiane.
“E parë edhe nga perspektiva historike, Shqipëria ka luajtur gjithmonë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në historinë e Europës. Kështu, mesazhi im është se ka kaluar koha e të menduarit në nivel kombëtar. Tani është koha për të menduar në nivel europian”, – thotë Karl von Habsburg, i cili, i dhënë shumë edhe pas medias, financon edhe një radio në Ukrainë, me qëllim mbajtjen gjallë të perspektivës europiane të krahinave të pushtuara nga trupat ruse.
Një rrugë në Tiranë mori emrin e babait tuaj, Otto von Habsburg, të shtunën e kaluar dhe e gjithë familja juaj ishte e pranishme në këtë ceremoni inauguruese. Cilat janë përshtypjet tuaja lidhur me këtë ngjarje?
Ishte një gëzim i madh. Disa muaj më parë, ne biseduam për një mundësi të tillë. Pa dyshim, si djali i Otto von Habsburg, jam shumë i kënaqur tek shikoj që kujtimi i tim eti është ruajtur në një mënyrë shumë të veçantë. Gjithashtu, duke mos folur si djali i tij por si një europian i bindur në vetvete siç jam, mendoj se është një gjë jashtëzakonisht e mirë t’i japësh këtë ngjyrim specifik europian një vendi të caktuar dhe njëkohësisht të përkujtosh një personalitet që ka zënë vend që në fillesat e zhvillimit europian. Pra, nga çdo anë që mund ta shohësh një gjest të tillë, mendoj se ishte një moment shumë i gëzueshëm, shumë i këndshëm dhe shumë-shumë frymëzues.
Sipas jush, përse një gjest i tillë ndodhi në Shqipëri?
Mendoj se ka të bëjë me një lidhje jetëgjatë. Siç e përmenda edhe gjatë ceremonisë, për ne fëmijët e Otto von Habsburg, historia e Shqipërisë dhe pozita e saj gjeostrategjike ishin shumë të qarta në mendjet tona. Nga pozita historike, Shqipëria ka qenë pika kyçe midis Romës lindore dhe asaj perëndimore. Nga çdo anë që ta kapësh, vendi juaj ka qenë gjithmonë një nga ato pikat decizive në histori. Babai ynë gjithmonë e konsideroi këtë fakt një gjë të mirë dhe e respektoi shumë. Pra, ky fakt ka qenë pjesë e arsimimit tonë. Prandaj kjo gjë është shumë logjike; babai ynë kishte kontaktet e tij këtu ndërsa ne bëmë miqtë tanë këtu. Pra ishte një miqësi jetëgjatë me vendin tuaj.
Përse zgjodhët këtë herë Shqipërinë për të kaluar një javë pushime me familjen tuaj?
Sepse ne të gjithë e pëlqejmë Shqipërinë dhe jemi të lidhur me të. Kështu e dimë që do të kalojmë mrekullueshëm. Sepse ju keni gjithçka – plazhe fantastike, fshatra të bukur dhe njerëz jashtëzakonisht të këndshëm. Pra, është fantastike të kalosh pushime këtu. Gjithashtu, me këtë rast, ne shfrytëzuam këtë kohë për të realizuar edhe projektin e inaugurimit të rrugës këtu në Tiranë sipas emrit të babait tonë.
Keni udhëtuar shpesh nëpër Shqipëri dhe çfarë ju ka lënë mbresë më shumë?
Kam parë shumë, sepse kam pasur rastin të jem deputet në Parlamentin Europian dhe kam qenë edhe pjesë e delegacionit që mbulonte edhe Shqipërinë. Por kësaj here ne u përqendruam në veriun e Shqipërisë. Dhe është një gjë shumë e mirë kur familjes tënde i tregon gjithë këto gjëra të bukura. Kështu, gjatë këtyre ditëve, vizituam Shkodrën, Thethin, u dashurova me malet atje, absolutisht një bukuri spektakolare.
Si përfaqësues i Europës, si e shikoni perspektivën europiane të Shqipërisë?
Europa nuk është e plotësuar pa Shqipërinë si një anëtare e Bashkimit Europian. Për mua nuk është çështja ‘nëse’, por kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së. Sa më shpejt, aq më mirë! Për mua, Europa është para së gjithash, megjithëse nuk ekziston një ushtri e BE-së, një zonë e caktuar e sigurt. Nuk po flas për siguri ushtarake, por për një zonë të sigurt për vendet anëtare. Dhe, pa dyshim, është jashtëzakonisht e rëndësishme që vende si Shqipëria të bëhen pjesë e këtij sistemi të tërë sigurie, e cila ofron shumë perspektiva, ekonomike e të tjera. Mund të them se është thelbësore të punohet sa më shpejt dhe në mënyrë të realizueshme. Patjetër, të gjithë e dimë që nuk ndodh brenda natës, do kohën e vet për t’i mobilizuar të gjithë në proces. Por kuptohet, integrimi europian nuk është diçka që ndalon në kufijtë e Shqipërisë. Dua të theksoj se mesazhi im është gjithmonë europian. E parë edhe nga perspektiva historike, Shqipëria ka luajtur gjithmonë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në historinë e Europës. Kështu, mesazhi im është se ka kaluar koha e të menduarit në nivel kombëtar. Tani është koha për të menduar në nivel europian. Kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga kombet. Jo, aspak! Ajo që them është të konsiderohet perspektiva europiane. Dhe kur Europa nuk ju trajton mirë, dhe kjo ndodh herë pas here, mendoj se është e rëndësishme të mos e humbasësh këtë perspektivë europiane.
Si i vlerësoni momentet që po kalon Ballkani?
Se ç’po ndodh në Greqi, ka një efekt mbi atë që po ndodh në Ballkan. Dhe kjo do të ndihet edhe në muajt që do të pasojnë. Duhet të jemi realistë për këtë gjë. Ne po e ndjekim me kujdes situatën në Greqi. Grekët duhet të marrin një vendim. Dhe ky vendim shkon te pyetja: A doni Alexis Tsipras apo doni Europën? Sepse këto dy elemente nuk shkojnë bashkë. Sa u takon vendeve të Ballkanit, ajo që mund të thuhet nga një perspektivë afatgjatë është se qëllimi ynë ka qenë gjithmonë integrimi i vendeve të Ballkanit, që nuk janë pjesë e BE-së, në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Të paktën për t’i përfshirë këto vende në sistemin e sigurisë. Të paktën, për Shqipërinë, NATO nuk është më një çështje. Por çështja e integrimit europian është ende një çështje në axhendë. Dhe këtu ne mund të jemi aktivë në kuadrin e Lëvizjes Paneuropiane.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb