NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE– Lutjet për ndihmë të prindërve të 17-vjeçarit Roland Nika, të cilat nuk u dëgjuan nga shteti shqiptar, kanë prekur mjekët e spitalit Kontinental të Tiranës. Me shumë guxim dhe profesionalizëm ekipi prej shtatë mjekësh i këtij spitali ka realizuar me sukses të plotë dhe për më tepër falas zhbllokimin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mishi i huaj, operacion që zyrtarisht ishte cilësuar i pamundur të kryhej në vend.

Me dorën e brishtë që i dridhet, por i çliruar nga brenga e tij më madhe që po i merrte frymën e që është dashur ta vuajë për 4 muaj, i riu nga Shkodra gjen forcat për të falënderuar të gjithë ata që i erdhën në ndihmë në momentet kur ai kishte më shumë nevojë.

Por heronjtë e vërtetë që i dhanë një jetë të dytë Rolandit janë mjekët e Spitalit Kontinental në Tiranë. Në limitet e jetës me një frymëmarrje të reduktuar në vetëm 15 %, 17-vjeçari është futur në sallë dhe i është nënshtruar një operacioni tejet delikat në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Ndërhyrja për eliminimin e plotë të mishit të huaj nga fyti i pacientit është kryer përmes teknologjisë më të përparuar miniinvazive. Për më shumë se tre orë ekipi i specializuar i përbërë nga 7 mjekë dhe ndihmës-mjekë, i drejtuar nga Dr.Mustafa Ibro, realizuan fillimisht shpimin e masës bllokuese të llojit beninj dhe më pas po përmes sondës kryen prerjen dhe djegien e mbetjeve anësore duke bërë të panevojshëm vendosjen e stendës në trake.

Histori të tilla suksesi Spitali Kontinental numëron shumë, edhe pse ka ende prej atyre që marrin rrugën e Turqisë apo të ndonjë shteti tjetër për të kryer ndërhyrje të tilla kirurgjikale.

Operacioni i 17-vjeçarit që i shpëtoi atij jetën erdhi në momentin kur të riut nuk i kishin mbetur edhe shumë ditë frymëmarrje për shkak të mbylljes totale të fytit që çon në asfiksi të plotë.

Ai që e denoncoi publikisht rastin në “News 24” dhe “Balkan Web” ishte babai i Rolandit, Pashk Nika që iu drejtua medias si shpresa e fundit.

Në ndihmë të familjes Nika u solidarizuan edhe shumë qytetarë shqiptarë nga brenda dhe jashtë kufijve të cilët ofruan kontribute modeste në llogarinë e hapur nga familja me synimin që i riu të mund të dërgohej privatisht në Turqi.

Momentalisht Rolandi do të vijojë të mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve të spitalit Kontinental edhe për disa ditë, por më pas ai do të duhet t’i rikthehet shërbimit të Politraumës për shkak të dëmtimeve të tjera në trup të pësuara 4 muaj më parë pas një aksidenti me motorr.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: